Kardinali Sako: "Të krishterët irakianë janë dëshmitarë të fesë"
R.SH. / Vatikan
"Pavarësisht gjithçkaje që përjetuam, besojmë ende se kemi një thirrje për të dëshmuar: besimin tonë në këtë vend, ku myslimanët janë me shumicë". Këtë deklaroi për media të Vatikanit Patriarku Kardinal Louis Raphaël I Sako, kreu i Kishës Kaldease në Irak, menjëherë pas kremtimit të Meshës dje, gjatë rishenjtërimit të Kishës historike Al-Tahira, në Mosul.
Besim e shpresë
Duke treguar ndërtesën shenjte - të dhunuar nga i ashtuquajturi Shtet Islamik në vitin 2014 e të dëmtuar rëndë gjatë betejës njëvjeçare për çlirimin e Mosulit - Kardinali Sako kujtoi se të krishterët irakianë "vuajtën shumë e shumë edhe u lodhën". Rreth 200,000 të krishterë mbeten në vend: rënie e ndjeshme nga miliona që përbënin bashkësinë vetëm disa dekada më parë. Por, theksoi Kardinali Sako, të krishterët irakianë "nuk e humbasin kurrë besimin e shpresën. Gjithçka bazohet në shpresë".
Kthimi i “Liturgjisë së Shpirtit”
Kisha Kaldease Al-Tahira u ndërtua në mesin e shekullit të 18-të me leje të veçantë nga Pashai i Mosulit, i cili donte të falënderonte të krishterët për rolin e tyre aktiv në mbrojtjen e qytetit kundër sulmit persian të vitit 1743. Kisha u ndërtua në vendin e Manastirit të Shën Gabrielit të shekullit të 5-të, i cili u bë shkollë teologjike e njohur në shekujt e 9-të dhe të 10-të. Në atë manastir, shpjegoi Patriarku Sako, lindi liturgjia kaldease. "Është liturgji e Shpirtit", vijoi. "E thirrja e Shpirtit e ndryshon gjithçka". Lutjet e liturgjisë kaldease, shtoi ai, nuk janë "spekulative ose teologjike", por "të shkurtra dhe të kuptueshme", të nxjerra drejtpërdrejt nga Bibla. Patriarku, më pas, tregoi kryqet në stilin kaldeas, që dekorojnë Kishën, duke theksuar se ato janë të zhveshura, pa trupin e Jezusit, si në kryqëzimet perëndimore. "Kjo na jep shpresë: Jezusi është ngjallur, kujtoi Sako, e edhe nëse persekutohemi, edhe nëse vritemi, ne e kemi këtë shpresë."
Një ardhmëri e pasigurt
Kisha e Al-Tahira u përurua të mërkurën, më 15 tetor, me një ceremoni laike që tërhoqi shumë gazetarë vendas, si dhe kryetarin e bashkisë së Mosulit dhe guvernatorin e provincës Nineveh. Mesha e ripërkushtimit, e kremtuar dje, ishte ngjarje më intime, ku mori pjesë një grup i vogël besimtarësh kaldeas. U kremtua me kombinim të arabishtes, neo-aramaishtes kaldease dhe frëngjishtes, për t'i bërë homazh delegacionit të L'Oeuvre d'Orient, organizatës që financoi rindërtimin e kishës.
Tetë vjet pasi Mosuli u çlirua nga ISIS, shumë pak të krishterë u kthyen për të jetuar përgjithmonë në qytet. Shumica e pjesëmarrësve në ceremoni erdhën nga fshatrat e krishtera përreth. Noah, 29 vjeç, i cili vinte nga Karamlesh, qytet kryesisht i krishterë, pohoi: "Kjo rihapje më jep shpresë se të krishterët mund të kenë të ardhme në Irak. Gjërat janë më mirë tani, sesa më parë, por nuk e dimë se si do të ndryshojë situata politike. Me vullnetin e Zotit, mund të qëndrojmë".