Kërko

2025.03.18 Madre Teresa con i bambini dell'orfanotrofio

Misionaret e Bamirësisë kremtojnë 75-vjetorin në Romë: "Karizma e Nënë Terezës është gjallë"

Misionaret e Bamirësisë festojnë, në Romë, 75-vjetorin që nga njohja zyrtare e kongregatës së themeluar nga Nënë Tereza. Në San Gregorio al Celio, ku shenjtorja ndenji disa herë, përkujtohet edhe 50-vjetori i shtëpisë së motrave. Imzot Spreafico: "Të jeni dritë për ata që jetojnë në terrin e luftës, vetmisë dhe braktisjes"

R.SH. – Vatikan

Kanë kaluar 75 vjet që nga 7 tetori 1950, dita kur kryeipeshkvi i atëhershëm i Kalkutës, imzot Ferdinand Perier, njohu kanonikisht kongregatën e Misionareve të Bamirësisë, themeluar nga shenjtja shqiptare Nënë Tereza, "një ikonë universale e bamirësisë së jetuar deri në ekstrem në favor të më të varfërve, njerëzve të refuzuar nga shoqëria", siç e quan Papa Leoni XIV në Nxitjen apostolike "Dilexi te". Që atëherë, murgeshat e veshura me sarin e bardhë me tri vijat blu - që simbolizojnë kushtet e tyre të varfërisë, bindjes dhe shërbimit për të varfrit - kanë shkruar një histori afërsie dhe dashurie, dhuruar më të varfërve ndër të varfër. Për të kremtuar këtë përvjetor të rëndësishëm, të shtunën, më 18 tetor, në Bazilikën e Shën Anastasit në Romë, u mblodhën shumë njerëz për Meshën e kryesuar nga ipeshkvi i nderit i Frosinone-Veroli-Ferentino dhe Anagni-Alatri, imzot Ambrogio Spreafico, i cili përkujtoi edhe 50-vjetorin e pranisë së familjes rregulltare të themeluar nga Nënë Tereza në San Gregorio al Celio, në qendër të Romës, në një ish-pulari, dhuruar motrave Misionare të Dashurisë nga murgjit kamaldolezë, në vitin 1975.

“Nënë Tereza ju udhëhoqi nëpër rrugët e botës, duke kërkuar edhe në qoshet më të fshehura gra dhe burra, që kanë nevojë për dashuri dhe kujdes”, nënvizoi ipeshkvi në homelinë e tij. “Të varfrit shpesh fshihen, sepse bota nuk do t’i shohë. Në një shoqëri si e jona, ku duket se mbizotërojnë pushteti dhe paratë, karizma juaj shkëlqen edhe më shumë, ndërsa misioni juaj sot është i thirrur të hedhë dritë mbi ata që jetojnë në errësirë, si gratë dhe burrat e shtypur nga lufta, vetmia, sëmundja dhe braktisja, madje, edhe në vendin tonë (Itali), ku thuhet se mbretëron mirëqënia”.

Një trashëgimi që vazhdon

Nënë Tereza kujdesej për të varfrit dhe të sëmurët në rrugët e Kalkutës, "duke bartur dashurinë e Zotit", pohoi imzot Spreafico. "Sot Jezusi na dërgon në rrugët me pluhur të Gazës, Ukrainës, Indisë dhe të shumë vendeve të harruara, si Myanmari, Sudani, madje, edhe në qoshet e fshehura të këtij qyteti, aq plot me njerëz sa shpesh askush nuk dëshiron të shohë" me të vërtetë. Pastaj, ai kujtoi misionin në San Gregorio al Celio për gjysmë shekulli, pikërisht aty ku dikur ndodhej "triclinium pauperum", kuzhina e të varfërve ku Shën Silvia dhe djali i saj, Papa Gregori i Madh, u shërbenin 12 njerëzve të varfër çdo ditë. "Jini gjithmonë 'triclinium pauperum', duke i mirëpritur ata që kanë nevojë jo vetëm për ushqim, por edhe për kujdes, dashuri dhe dinjitet", përfundoi ai. Motër Miriam Teresa kujtoi se pikërisht më 22 nëntor 1975, i varfri i parë u prit në rezidencën e Misionareve në San Gregorio al Celio, ku Nënë Tereza qëndronte të paktën dy herë në vit: herën e fundit, dy muaj para vdekjes, më 5 shtator 1997. Dhoma e saj e vogël është ende aty dhe besimtarët mund ta vizitojnë. "Ai i varfër ishte i pari nga shumë bij të dashur të Zotit, të cilëve kemi pasur privilegjin t'u shërbejmë", pohoi motra. "Përmes 'po'-së së brishtë të Nënës dhe 'po'-së sonë të brishtë të përditshme, Zoti përhap dashuri në mbarë botën, në 130 vendet ku jemi të pranishme dhe ku vazhdojmë të lutemi për të qenë bashkëpunëtore të përvuajtura të Zotit". Kujtojmë se motrat e Nënë Terezës shërbejnë kudo edhe në Shqipëri e Kosovë, ku japin një kontribut të madh sidomos në favor të më të moshuarve, që kanë mbetur vetëm e, në favor të më të mjerëve të shoqërisë.

Pesë bashkësi aktive në Romë

Sot, në San Gregorio, 22 murgesha kujdesen për 40 të pastrehë mbi 50 vjeç, me probleme shëndetësore. Për motër Maria Dolores, përgjegjëse rajonale e kongregatës, "në një botë që përpiqet të gjejë paqe dhe ende ecën në errësirë, mesazhi i Nënë Terezës është i gjallë dhe sjell shpresë". Shtëpia në kodrën Celio është e dyta e hapur në Romë nga themeluesja. E para u përurua në vitin 1968 në Tor Fiscale, ku tani banojnë Etërit Misionarë të Bamirësisë, bashkësi mashkullore rregulltarësh themeluar nga shenjtja shqiptare në vitin 1984. Ndërsa vëllezërit kontemplativë banojnë në Sant'Agapito.

Në Romë, ka rreth shtatëdhjetë motra Misionare të Dashurisë, të ndara në bashkësi të ndryshme. Ato kanë pesë shtëpi murgeshash aktive: përveç asaj në San Gregorio, ka një shtëpi në Tor Bella Monaca, një në zonën e Casilina-s (ku jetojnë edhe novicet, që aspirojnë të bëhen Misionare të Bamirësisë), një në Primavalle, ku mirëpresin nënat shtatzëna, dhe "Dono di Maria" (Dhuratë e Marisë), struktura në Vatikan, dhuruar Nënë Terezës nga Papa shenjt Gjon Pali II, në të cilën ka një kuzhinë për të varfrit, një fjetore dhe një shtëpi strehimi për gratë. Së fundi, në Acilia, pranë Romës, është dega kundruese e kongregatës.

20 tetor 2025, 10:57