Kërko

Imzot Martin Kmetec Imzot Martin Kmetec

Papa në Turqi "do të sjellë një mesazh të fortë paqeje për botën

Ipeshkvijtë e Turqisë, ’udhëtimi i Papës në Turqi një mesazh për të mëdhenjtë e tokës që të mos luajnë me tragjeditë e të vegjëlve’

R.SH. / Vatikan

Papa, prej kohësh, i fton të mëdhenjtë e Tokës të mos luajnë me tragjeditë e popujve të vegjël dhe të komuniteteve më të brishta. Ati i Shenjtë i nxit ata të angazhohen dhe të punojnë seriozisht për drejtësinë dhe për ndërtimin e paqes. Udhëtimi i Papës në Turiq do të jetë, sigurisht, një mundësi për të ripohuar me forcë këtë thirrje''. Kështu shprehet imzot Martin Kmetec, kryeipeshkëv metropolit i Izmirit dhe president i Konferencës Episkopale Turke, pas zyrtarizimit të udhëtimit të parë ndërkombëtar të Papës, në Turqi nga 27 deri më 30 nëntor dhe më pas, në Liban më 2 dhjetor 2025.

''Reagimi ynë - thotë imzot Kmetec për agjencinë e lajmeve Sir - është gëzimi i thellë dhe mirënjohja për këtë gjest të Papës, që tregon vëmendje të madhe ndaj Kishave të vogla të krishtera. Është domethënëse që ai ka zgjedhur të fillojë vizitat e Papnisë të tij pikërisht nga këto Kisha, të pranishme në Lindjen e Mesme, një rajon i shënuar nga vështirësi dhe konflikte. Në veçanti, jemi të lumtur që vizita e Papës do të vazhdojë edhe në Liban. Kemi shpresë që ky udhëtim i Papës të sjellë fryte dhe të forcojë tek ne ndërgjegjësimin për të qenë pjesë e grigjës së Krishtit''.

Lidhur me 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë, ipeshkvi vëren se: ''Papa Leoni dëshiron të realizojë premtimin e bërë nga Papa Françesku për të shkuar në Nikea, duke takuar edhe Patriarkun Bartolomeu. Bëhet fjalë për një gjest thellësisht ekumenik. Përveç kësaj, është e rëndësishme të kujtojmë se edhe Kishat ortodokse, shpesh të vogla dhe pak të dukshme, kanë nevojë për mbështetje, vëmendje dhe dashuri vëllazërore. Kjo vizitë përfaqëson pikërisht një shenjë konkrete që shkon në atë drejtim''. Kryeipeshkvi Kmetec kujton se prej kohësh një Komision i përzier po punon për përgatitjen e kësaj vizitë papnore, për ''të përcaktuar programin, duke u përpjekur ta harmonizojë atë me kriteret e një vizite shtetërore, duke marrë parasysh edhe aspektet që lidhen me sigurinë dhe logjistikën''.

08 tetor 2025, 12:56