Kërko

Nuns inside the Church of Santa Maria in Traspontina as they pay tribute to the statue of Our Lady of Fatima

Raporti i Fides: shtohen katolikët në mbarë botën, por pakësohen thirrjet

Pavarësisht nga numri gjithnjë e në rritje i katolikëve në të pesë kontinentet, numri i meshtarëve dhe i motrave rregulltare zvogëlohet. Këtë vënë në dukje të dhënat e dosjes së përgatitur nga agjencia e shtypit misionar FIDES, me rastin e Ditës Misionare Botërore, që kremtohet të dielën, më 19 tetor

R.SH. – Vatikan

 Shtohet numri i katolikëve në pesë kontinente, përfshirë Evropën, por meshtarët dhe murgeshat pakësohen në nivel global. Këto janë disa nga të dhënat, që vë në dukje dosja statistikore e publikuar nga agjencia e Veprave Papnore Misionare, Fides, me rastin e Ditës Botërore Misionare, që kremtohet të dielën, më 19 tetor, me temën "Misionarët e shpresës ndërmjet njerëzve”. Të dhënat janë nxjerrë nga "Vjetari Statistikor i Kishës", i botuar në vitin 2025 dhe kanë të bëjnë me gjithë realitetin e Kishës Katolike në mbarë botën, duke përfshirë anëtarët e bashkësive të ndryshme, strukturat baritore, veprimtaritë në fushën shëndetësore, asistenciale dhe edukative.

Më shumë katolikë sesa në vitin 2024

Nga një popullsi botërore prej 7,9 miliardë banorësh, numri i katolikëve është 1,4 miliardë, me një rritje të përgjithshme prej 15.881.000 vetësh krahasuar me vitin e kaluar. Kjo rritje në numrin e besimtarëve përmbys prirjen e mëparshme, e cila dëshmonte për një rënie të katolikëve në Evropë. Shtimi i katolikëve është i dukshëm në Afrikë (+8,3 milionë) dhe në Amerikë (+5,6 milionë), ndjekur nga Azia (+954.000), Evropa (+740.000) dhe Oqeania (+210.000). Përqindja e katolikëve në popullsinë botërore është pak më e lartë se vitin e kaluar (+0,1), 17,8%: shifër që, në thelb, konfirmon statistikat e mëparshme.

Numri i meshtarëve dhe murgeshave është në rënie, por jo në Afrikë dhe Azi

Ndërsa numri i të pagëzuarve është në rritje, numri i përgjithshëm i meshtarëve në mbarë botën është në rënie: ata janë gjithsej 407.000, me një rënie drastike në Evropë (-2.500), që ndiqet nga Amerika (-800) dhe Oqeania (-44). Një rritje e ndjeshme e meshtarëve vihet re në Afrikë (+1.451) dhe në Azi (+1.145), dy kontinente, që vazhdojnë të jenë rezervuar i privilegjuar i thirrjeve për misionin e Kishës. Edhe rregulltarët e motrat rrergulltare të jetës së kushtuar përjetojnë një rënie: numri i përgjithshëm i të parëve arrin në 48 mijë vetë, me një humbje prej 600 rregulltarësh; ndërsa ai i motrave rregulltare arrin në 589 mijë, me një rënie të ndjeshme prej 9.700 motrash, sidomos në Evropë, ku statistikat tregojnë se ka 7.300 motra rregulltare më pak, si edhe në Amerikë (-4.000). Ndërkaq, në Afrikë, Kisha Katolike shtohet me 1.800 murgesha të reja. Në të gjithë botën, ka afërsisht 106.000 seminaristë në Seminaret e Mëdha (dioqezanë dhe rregulltarë), me një humbje prej 2.000 vetësh krahasuar me vitin e kaluar; nga ana tjetër, ka një rënie të lehtë (-140) të seminaristëve në Seminaret e Vogla, që kanë mbetur rreth 95.000 vetë, me një rritje të lehtë në kontinentin aziatik dhe në Amerikë (+27). Në të kundërt me klerin, diakonët e përhershëm vazhdojnë të shtohen në të gjithë botën (+1.234), duke kapërcyer 51.000 vetët, kryesisht falë rritjes së vërejtur në Amerikë (+1.200) dhe në Oqeani (+57).

Shtyllat e ungjillëzimit

Raporti i agjencisë Fides nxjerr në pah punën e misionarëve laikë, të cilët arrijnë në mbi 440.000 vetë në të gjithë botën, si edhe atë të katekistëve (gjithsej 2,8 milionë në nivel global): njerëz që, veçanërisht në "tokat e misionit", ose në kontekstin e Kishave të reja, janë shtylla të vërteta për shërbimin baritor dhe ungjillëzimin. Ai konfirmon impenjimin e gjerë të bashkësisë katolike në fushën e arsimit në të gjithë botën, i dukshëm si në vendet më të përparuara, ashtu edhe në Jugun global, në kombe ku veprimtaritë fillestare të ungjillëzimit shpesh shoqërohen me nisma edukative. Kisha Katolike mbështet mbi 74.000 kopshte në të gjithë botën, të frekuentuara nga 7,6 milionë fëmijë, si edhe 102.000 shkolla fillore për 36 milionë nxënës. Ka mbi 20,7 milionë nxënës në 52.000 shkolla tetëvjeçare e të mesme, ndërsa 7 milionë adoleshentë dhe të rinj të tjerë ndjekin institucione të arsimit të lartë, kolegje dhe universitete që administrohen nga realitete, ose kongregata katolike.

Misionarët e shpresës

Edhe spitalet dhe qendrat e kujdesit social të lidhura me Kishën Katolike arrijnë në 104.000 në pesë kontinentet: mbi 5.000 institucione spitalore dhe rreth 145.000 farmaci, së bashku me 504 lebrozarë, japin një kontribut të rëndësishëm në kujdesin për të sëmurët, të varfrit dhe të vuajturit, duke u dhënë shpesh përparësi atyre që nuk kanë mundësi ekonomike. Ka mbi 15.000 shtëpi për të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe njerëzit me aftësi të kufizuara, 11.000 qendra kujdesi për fëmijë dhe 50.000 objekte të tjera të shpërndara në të gjithë botën. Këto përfshijnë qendra dëgjimi, qendra mikpritjeje, strehimore për personat e zhvendosur dhe shërbime sociale të të gjitha llojeve, ku vullnetarët, meshtarët, rregulltarët dhe laikët vazhdojnë të jenë misionarë shprese çdo ditë.

17 tetor 2025, 14:41