Kërko

Refugjatët e kampit të Bulengos, në Goma Refugjatët e kampit të Bulengos, në Goma

RD Kongo, kardinali Ambongo: Vendi i së cilës është heshtja e fajit të botës

Kryeipeshkvi i Kinshasës bën thirrje për paqe në vendin e tij, të shkatërruar nga dekada konfliktesh dhe nga “një krizë humanitare. Nevojiten veprime serioze përballë “miliona të vdekurve, shkatërrimit të fshatrave dhe shpërndarjes së familjeve” përballë një komuniteti ndërkombëtar që “vazhdon të përfitojë nga plaçkitja sistematike e burimeve”.

R.SH. – Vatikan

Populli i Republikës Demokratike të Kongos nuk mund të presë më, vuajtja është aq e madhe sa duhet trajtuar, ashtu si edhe shkaqet rrënjësore të kësaj krize që ka zgjatur rreth 30 vjet në vend. Kardinali Fridolin Ambongo Besungu, kryeipeshkëv metropolit i Kinshasës dhe president i Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvore të Afrikës dhe Madagaskarit, flet për nevojën që të arrihet paqja në vendin e tij, "ku mbeten aktivë mbi 120 grupe të armatosura", ku luftërat e ndryshme të viteve të fundit "kanë shkaktuar miliona të vdekur, kanë shkatërruar fshatra dhe kanë shpërndarë familje, në heshtjen fajtore të një bote që vazhdon të përfitojë nga plaçkitja sistematike të burimeve të këtij vendi, i cili me përvojën e tij dëshmon se gara e armëve çon në shkatërrimin e të mirës së përbashkët".

Çarmatimi - shpjegon kardinali për mediat e Vatikanit, i cili mori pjesë ditët e fundit në Takimin Ndërkombëtar "Guxo Paqen", organizuar në Romë nga Komuniteti i Shën Egjidit - duhet të fillojë para së gjithash nga zemra, sepse kriza që shkatërron Kongon është para së gjithash një krizë e humanitetit, e vlerave njerëzore dhe morale. Qenia njerëzore e ka humbur prej kohësh vlerën e saj, madje i është mohuar, dinjiteti dhe vlera e saj si qenie të krijuara sipas ngjashmërisë e shëmbëllimitZotitnuk njihen më, sepse e vetmja gjë që ka rëndësi janë mineralet dhe pasuritë që duhen marrë, ndërsa për qeniet njerëzore askush nuk kujdeset".

Dialogu ndërfetar

Në vendet e prekura nga konfliktet apo luftërat, do të ishte i nevojshëm një gjuhë e përbashkët dhe e bashkëndarë mes autoriteteve fetare dhe politike, gjë që megjithatë nuk ndodh në Kongo, ku në këtë moment, shpjegon kardinali, "dialogu është i hapur dhe i konsoliduar mes katolikëve dhe protestantëve", por jo me "shumicën e Kishave të reja evangjelike, shumica e të cilave inkurajohen, ose themelohen, nga politikanët, dhe që për rrjedhojë janë në shërbim të atyre që mbajnë pushtetin. Kur takohemi nuk flasim për të njëjtat gjëra". Ajo që nevojitet, pra, është një "konvertim i vërtetë, si njerëz të fesë, para se të flasim për konvertimin e politikanëve".

Situata dramatike humanitare

Populli është shkatërruar nga një situatë aq e rëndë sa kërkon veprime serioze "që njohin njerëzit si pikënisje". Kjo nuk ndodh, dhe është e dukshme në pjesën lindore të vendit, "ku lulëzojnë grupet e armatosura, ku ka ndërhyrje nga vendet fqinje, ku ka përqendrimin më të lartë të të zhvendosurve që paguajnë çmimin e gjithë kësaj situate: njerëz që nuk kanë ushqim, që nuk kanë ujë, që nuk kanë mallra të nevojshme themelore, me rritjen e pashmangshme të sëmundjeve që rishfaqen periodikisht, si Ebola apo kolera", e cila në këto javë po përjeton ndoshta epideminë më të keqe të 10 viteve të fundit, me pothuajse 60 mijë raste në vetëm nëntë muaj dhe 1.700 vdekje.

30 tetor 2025, 11:45