Kërko

2019.10.04 Vangelo della 27.a domenica C - fede come un granello di senape

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës së 27-të gjatë vitit kishtar 'C': nëse do të kishit fe!

Për çdo gjë, që bëjmë/presim diçka si këmbim, o Jezus:/të na duartrokasin,/të na japin medalje,/ndonjë fletë lavdërimi,/të bëjmë karrierë,/ose të kemi ndonjë fitim. ...Por, sigurisht, nuk është kjo logjika e Mbretërisë së Zotit/Ti na kërkon të shërbejmë/me bujari e falas,/pa pritur shpërblime,/pa qëllime të tjera,/pa llogari absurde./Lirisht e plot gëzim, besnikë e të thjeshtë,/vëllazërorë e të gatshëm,/duke e ditur se, në fund të fundit,/s’kemi bërë asgjë të jashtëzakonshme,/por vetëm detyrën

R.SH. - Vatikan

Shëmbëlltyrat e shkurtra të Ungjillit të së dielës XXVII të vitit kishtar, marrë nga shën Luka, na kujtojnë dy karakteristika të fesë: intensitetin dhe faktin se është falas. Për të vënë në pah vlerën e një besimi të qëndrueshëm, edhe nëse i paktë, Krishti ngul këmbë në rrjedhojat, që sjell: nëse kemi fe, mund t’ia ndryshojmë vendin edhe pemës me rrënjë më të thella. Për të na thënë se feja është dhuratë e Zotit, Jezusi jep si shembull shërbëtorin, i cili e vendos shërbimin e tij me dashuri para plotësimit të nevojave të veta. Le të ndjekim pjesën ungjillore (Lk 17,5-10):

Në atë kohë, apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: “Na e shto fenë!”

Zotëria u tha: “Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mali: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ – e ai do t’ju dëgjonte.

Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjishu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë’.”

Të lutemi së bashku

Për çdo gjë, që bëjmë,

presim diçka si këmbim, o Jezus:

të na duartrokasin,

të na japin medalje,

ndonjë fletë lavdërimi,

të bëjmë karrierë,

ose të kemi ndonjë fitim.

 

Për çdo gjë, që bëjmë,

duam menjëherë një shpërblim, o Jezus:

një shenjë vlerësimi,

falënderimi a mirënjohjeje

për lodhjen dhe impenjimin,

që treguam.

 

Por, sigurisht, nuk është kjo

logjika e Mbretërisë së Zotit.

Ti na kërkon të shërbejmë

me bujari e falas,

pa pritur shpërblime,

pa qëllime të tjera,

pa llogari absurde.

Lirisht e plot gëzim, besnikë e të thjeshtë,

vëllazërorë e të gatshëm,

duke e ditur se, në fund të fundit,

s’kemi bërë

asgjë të jashtëzakonshme,

por vetëm detyrën.

 

Të sigurt se Ti, o Jezus,

bëre shumë më tepër, për secilin prej nesh:

Ti na dhurove jetën tënde në kryq.

 

04 tetor 2025, 11:36