Kërko

2025.11.07  Il lavoro della Fondazione Avsi in Repubblica Dominicana

Çelësi i fjalëve të Kishës: risitë e botës së punës

Globalizimi i punës e risitë, që sjell, nuk duhet ta dobësojnë mundësinë për të shprehur një humanizëm të punës në nivel planetar, një solidaritet të botës së punës në këtë nivel, me qëllim që duke punuar në një kontekst të tillë, njeriu të kuptojë gjithnjë e më shumë thirrjen e vet unitare dhe solidare

R.SH. – Vatikan

Javën e kaluar, në emisionin tonë, pjesë e ciklit kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, folëm mbi mënyrën se si e sheh magjisteri papnor solidaritetin ndërmjet punëtorëve, i cili shprehet përmes sindikatave dhe organizatave të tjera, që i ndihmojnë punëtorët në marrëdhëniet me punëdhënësit, duke luftuar për të drejtat e tyre e për kushte më të mira pune. Me globalizimin e shoqërisë, janë eksperimentuar forma të reja prodhimi e fabrikat dhe ndërmarrjet janë zhvendosur në vende të ndryshme nga ato ku merren vendimet strategjike dhe larg prej tregut të konsumit.

Dy janë faktorët që ndikojnë në këto dukuri: shpejtësia e jashtëzakonshme e komunikimit, pa kufij hapësinorë dhe kohorë, si edhe lehtësia relative për të transportuar mallra e persona nga njëra anë e globit në tjetrën. Si rrjedhim, pronarët e ndërmarrjes janë gjithnjë e më larg nga vendi i prodhimit, duke u bërë shpesh mospërfillës për pasojat e vendimeve, që marrin. Nga ana tjetër, nëse është e vërtetë që globalizimi, a priori, nuk është as i keq dhe as i mirë në vetvete, por varet nga përdorimi që i bën njeriu (shih Gjon Pali II, Fjalim për Akademinë Papnore të Shkencave Shoqërore (27 prill 2001), 2), është e qartë se nevojitet edhe globalizimi i mbrojtjes sociale, i të drejtave minimale themelore, i barazisë, siç kërkon me të drejtë Kisha, e cila tërheq vëmendjen për rrezikun e shfrytëzimit të forcës punëtore aty ku të drejtat e saj nuk janë në të njëjtin nivel me vendet më demokratike. Për të mos folur për fragmentimin fizik të ciklit prodhues, me pjesë që realizohen në vende të ndryshme, me qëllimin për të arritur rendimente e përfitime më të mëdha. Kjo ndryshon strukturën e punës, me pasoja për jetën e individëve dhe të bashkësive.

Lindin profesione të reja, ndërsa të tjera zhduken

Globalizimi i ekonomisë me liberalizimin e tregut, rritja e konkurrencës, shtimi i ndërmarrjeve të specializuara në produkte e shërbime të caktuara, kërkon elasticitet më të madh në tregun e punës, në organizimin dhe në mbarështimin e proceseve prodhuese. Puna, sidomos ajo brenda sistemeve ekonomike të vendeve më të zhvilluara, po kalon një fazë, që shënon kalimin nga një ekonomi e llojit industrial në një ekonomi kryesisht të përqendruar në shërbimet dhe në ripërtëritjen teknologjike. Falë risive teknologjike, bota e punës pasurohet me profesione të reja, ndërsa të tjera zhduken. Tranzicioni i sotëm shënon kalimin e punës së varur, të kuptuar si vend fiks, në atë me kohë të pacaktuar, që karakterizohet nga një shumicë veprimtarish, të pasura me premtime, por edhe plot me pikëpyetje shqetësuese, sidomos përballë pasigurisë në rritje rreth perspektivave për punë.

Decentralizimi prodhues

Decentralizimi prodhues, që u jep ndërmarrjeve të vogla punë të shumta, të përqendruara më parë në njësi të mëdha prodhuese, favorizon ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Puna në këto sipërmarrje, puna artizanale dhe puna e pavarur mund të përbëjnë një rast për ta bërë më njerëzore punën, por nuk janë të pakta, në këtë sektor, rastet e trajtimeve të padrejta, të punës së nënpaguar dhe sidomos të pasiguruar. Në vendet në zhvillim, përveç kësaj, është përhapur, këto vitet e fundit, dukuria e shtrirjes së veprimtarive ekonomike “informale” apo “në të zezë”, gjë që premton fitime ekonomike relativisht të lehta, por ngre probleme etike dhe juridike.

Doktrina shoqërore dhe “risitë”

Përballë këtyre “rerum novarum” (risive) të jashtëzakonshme të botës së punës, Doktrina Shoqërore e Kishës porosit që edhe në këto ndryshime të shihet njeriu si faktor vendimtar dhe “arbitër” i kësaj faze të ndërlikuar. Ai duhet të mbetet protagonisti i vërtetë i punës së vet. Siç shkruan Papa shenjt Gjon Pali II në enciklikën Laborem exercens (10), njeriu mund dhe duhet të marrë mbi vete me krijimtari e përgjegjësi risitë dhe riorganizimet aktuale, me qëllim që të ndihmojnë në zhvillimin e personit, të familjes, të shoqërisë dhe të krejt njerëzimit. Përtej kategorive vetëm ekonomike, Kisha e di mirë dhe gjithmonë na ka mësuar se njeriu, në ndryshim prej çdo qenie tjetër të gjallë, ka nevoja që sigurisht s’mund të kufizohen vetëm në “pasurinë” (Koncili II i Vatikanit, Kusht. barit. Gaudium et spes, 35), pasi natyra dhe thirrja e tij janë në marrëdhënie të pazgjidhshme me Transhendenten. Njeriu i bën ballë aventurës së shndërrimit të gjërave nëpërmjet punës së vet për të plotësuar nevojat fillimisht materiale, por shtyhet gjithnjë përtej rezultateve të arritura, në kërkim të asaj që mund t’i përgjigjet më thellësisht nevojave të paeliminueshme shpirtërore.

Forma të reja solidariteti

Ndryshojnë format historike me të cilat shprehet puna njerëzore, por nuk duhet të ndryshojnë kërkesat e saj të përhershme, që përmblidhen në respektimin e të drejtave të patjetërsueshme të punëtorit. Përballë rrezikut të mohimit të këtyre të drejtave, duhet të mendohen forma të reja solidariteti, vë në dukje Kisha. “Duhet të globalizojmë solidaritetin”, thoshte Papa Gjon Pali II në takimin jubilar me botën e punës, më 1 maj të vitit 2000 (2). Po atë ditë, në homelinë e meshës për Jubileun e punëtorëve, Ati i Shenjtë nënvizonte: “Kurrë realitetet e reja, që hyjnë me forcë në procesin prodhues, si globalizimi i financës, i ekonomisë, i tregtisë dhe i punës, nuk duhet ta dhunojnë dinjitetin dhe qendërsinë e personit njerëzor dhe as lirinë e demokracinë e popujve. Solidariteti, pjesëmarrja dhe mundësia për t’i qeverisur këto ndryshime rrënjësore përbëjnë, nëse jo zgjidhjen, sigurisht garancinë e nevojshme etike që personat dhe popujt të bëhen jo mjete, por protagonistë të së ardhmes së tyre. E gjithë kjo mund të realizohet dhe, meqë është e mundur, e kemi për detyrë ta realizojmë”.

Aspektet negative të globalizimit të punës nuk duhet t’i dobësojnë mundësitë për të shprehur një humanizëm të punës në nivel planetar, një solidaritet të botës së punës në këtë nivel, me qëllim që duke punuar në një kontekst të tillë, njeriu të kuptojë gjithnjë e më shumë thirrjen e vet unitare dhe solidare.

27 nëntor 2025, 09:38