COP30, Kardi. David: duhet ta shkurajojmë shfrytëzimin e natyrës
R.SH. / Vatikan
Shumë paralajmërime janë bërë në COP30 të këtij viti për planetin, që është larg sigurie. Kardinali Pablo Virglio David, Ipeshkëv i Kaloocan, në Filipine, dëgjoi një të panjohur, ndërsa merrte pjesë në një veprimtari, në Samitin e Klimës së OKB-së në Belém të Brazilit. "Takova një burrë nga Pavijoni Oqeanografik", shpjegon ai. “Më pyeti nëse isha nga Filipinet e kur ia ktheva me një po, ai më tha: ‘Pra, ju jeni ndër viktimat e para të ndryshimeve klimatike’.” Burri shpjegoi se një rritje prej vetëm një shkalle të temperaturës së Oqeanit Paqësor, mund t’i shkatërronte të gjithë shkëmbinjtë koralorë.
Kardinali David ishte i vetëdijshëm për këtë realitet dhe shpresonte se mund t’i ndihmonte edhe të tjerët ta kuptojnë. “Shumë të huaj vijnë në plazhet tona dhe shohin rërën e bardhë”, vazhdoi kardinali, “por nuk e kuptojnë se rëra e bardhë mbi të cilën ecin, është ajo që ka mbetur nga korali i vdekur, i zbardhur dhe i thërrmuar nga ngrohja globale”. Është rërë e bukur për t’u parë, por ai vëren: “Të gjithë këta njerëz po shkelin mbi diçka të vdekur”. Problemi i Filipineve është shpesh mungesa e ndërgjegjësimit, megjithatë vendi i njeh mirë pasojat katastrofike të ndryshimeve klimatike.
Efektet shkatërruese të ndryshimit klimatik
“Vetëm disa javë më parë, pas emërimit të Kryeipeshkvit të ri të Cebu-së, një tërmet i fortë goditi pjesën veriore të ishullit. Disa ditë më vonë, një tajfun i fuqishëm ndoqi të njëjtën rrugë”. Kardinali filipinas kujton, më pas, se si familja e kushëririt të tij u përpoq të shpëtonte çatinë e shtëpisë kur, brenda natës, niveli i ujit u rrit ndjeshëm. "Ata nuk kishin kohë të kursenin asgjë. Uji arriti në katin e dytë, kështu që iu desh të hapnin një vrimë në çati dhe të prisnin ndihmë". Është histori dramatike dhe flet për urgjencë, që nuk mund të shtyhet më. "Tajfunët po bëhen më të fortë, më shkatërrues dhe sjellin me vete shumë më tepër shi se më parë. E derdhin në fshatra dhe qytete brenda pak orësh, duke shkaktuar katastrofa"- kujton ai - Por fatkeqësitë natyrore, shton, keqësohen edhe nga çkujdesja njerëzore. "Shumica e përmbytjeve u shkaktuan nga sisteme të kontrollit të përmbytjeve të ndërtuara ligsht, projekte fantazmë ndërtuar pa studime fizibiliteti, rezultat i korrupsionit". Kardinali David shpjegon se miliarda peso janë keqpërdorur në emër të parandalimit të përmbytjeve, fonde që mund të ishin ndarë për arsim, kujdes shëndetësor ose mirëqenie sociale. "Ne jemi dyfish viktima " - vijon Kardinali: "viktima të krizës klimatike dhe viktima të një qeverie të papërgatitur, që nuk di si t'i përgjigjet saktësisht gjithë kësaj situate".
Tarifa e Tokës, për të shpëtuar Tokën
Duke reflektuar për samitin që po zhvillohet në Brazil, Kardinali David thotë: “Është pothuajse si Rrëshajët. Ne vijmë nga vende të ndryshme anembanë botës, flasim gjuhë të ndryshme, e megjithatë e kuptojmë njëri-tjetrin. Nuk e kuptova sa seriozisht po e merrnin njerëzit COP30: vetëm prania atje, ndërmjet kombeve, ishte e pabesueshme”.
Për Kardinalin David, ky është burim i madh ngushëllimi: “Më bindi se ka njerëz që vërtet kujdesen për shtëpinë tonë të përbashkët, Tokën”. Në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Caritas Internationalis, kardinali foli në emër të popullit filipinas, së bashku me të mbijetuarit e ciklonit në vendin e tij, duke u ndaluar tek realiteti pas destinacionit idilik turistik të arkipelagut.
Para se të largohej nga Filipinet, Kardinali David u takua me ipeshkvijtë e rajonit Mindanao-Sulu, të cilët paraqitën idenë konkrete: "Tarifa e Tokës". “Është propozim përmes të cilit kombet bien dakord të vendosin një tarifë, një taksë, jo vetëm për ndotjen, por edhe për vetë nxjerrjen, për çdo fuçi karburanti fosil të nxjerrë nga Toka”, shpjegon ai. "Këto para mund të përdoren më pas nga Kombet e Bashkuara për të financuar projekte të qëndrueshme dhe për të siguruar fonde për komunitetet indigjene në përpjekjen për t’i përtërirë pyjet, shkëmbinjtë koralorë dhe ekosistemet". Duke filluar nga rrënja, domethënë, në pikën e nxjerrjes, ai pohon: "tashmë mund ta dekurajojmë shfrytëzimin. Nuk duhet ta bëjmë shumë të lehtë shpërdorimin e natyrës".
Rrealizim i kthesës ekologjike
"Njerëzit më pak përgjegjës për ngrohjen globale janë ata që vuajnë më shumë" - pohon kardinali David. "Por kthesa është ende e mundur. Nëse e dëgjojmë njëri-tjetrin dhe dëgjojmë vërtet britmën e Tokës, ka ende shpresë". Ky është thelbi i mesazhit të tij për COP30, jo mesazh dënimi, por kthese, ndryshimi. "Nuk jam këtu për të treguar me gisht", pohon kardinali filipinas David. "Jam këtu për të thënë: ju lutem, për hir të Zotit, të ulemi së bashku dhe të shqyrtojmë ndërgjegjet tona".
Duke u mbështetur në traditën katolike, më pas përshkroi atë që e quan “katër elementët e pajtimit - rrëfimi, puna e pendimit, pendesa dhe falja” - duke i zbatuar në marrëdhënien e njerëzimit me mjedisin.
"Rrëfim do të thotë të pranosh dështimet tona, atë që kemi bërë dhe atë që nuk e kemi bërë për mjedisin", shpjegon ai. Puna e pendimit është keqardhja, aftësia për të thënë: “Më vjen keq për mjerimin që shkaktuam”. Pendesa manifestohet përmes akteve të dëmshpërblimit, hapave konkretë për të ndrequr situatën. Dhe falja, qoftë e dhënë apo e kërkuar, e përfundon procesin". Nëse këto katër elementë vihen në praktikë, Kardinali David beson se do të ketë shenja më të dukshme të asaj, që Papa Françesku e quajti kthesë ekologjike. "Nuk është kurrë vonë. Ne ende mund ta shpëtojmë shtëpinë tonë të përbashkët".