Kërko

Kard. Pizzaballa: për të arritur paqen duhet dëgjuar dhimbja e të tjerëve

Patriarku latin i Jeruzalemit, për mediat e Vatikanit, flet për shpresën që plani amerikan të çojë në zgjidhje me "perspektiva më të qarta" që t'i japin lehtësim popullatës palestineze të Gazës. Ai shpreh dhimbjen e tij për episodet e vazhdueshme të dhunës të kryera nga kolonët, edhe kundër të krishterëve, fton shtegtarët të kthehen në Tokën e Shenjtë dhe shpreson për rifillimin e dialogut midis liderëve fetarë për t'u ribashkuar, hebrenj, myslimanë dhe të krishterë, "njëri me tjetrin".

R.SH. – Vatikan

Në Gaza, edhe në orët e fundit nën bombardimet izraelite, është e rëndësishme të ecet drejt fazës 2 të planit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që të çojë në një proces politik për arritjen e zgjidhjes me dy shtete. Kombet e Bashkuara, pas miratimit të rezolutës nga Këshilli i Sigurimit, angazhohen të ecin përpara dhe të "mishërojnë vrullin diplomatik në masa konkrete dhe urgjente në terren". Një konkretizim që do të duhet të kalojë nëpërmjet një sërë hapash që, është shpresa e shumëkujt, mund të nënkuptojnë vërtet një kalim thelbësor për palestinezët e rraskapitur nga lufta, të shkatërruar nga rrënimet. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, patriarku latin i Jeruzalemit, duke folur me media të Vatikanit, i kërkon komunitetit ndërkombëtar të ketë "guximin" për të imponuar zgjidhje për të sjellë lehtësim për një popull në gjunjë pas dy vitesh bombardimesh dhe që tani vuan pasojat e dimrit.

Hirësi, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me abstenimin e Rusisë dhe Kinës, ka votuar planin e paqes për Gazën të propozuar nga presidenti amerikan Trump. Qeveria e Shtetit të Palestinës e miraton planin, ndërsa Hamasi thotë se nuk ka ndërmend të çarmatoset në ato kushte. Si e gjykoni vendimin e OKB-së dhe si e shihni situatën aktualisht? Ka shpresë?

Vendimi i OKB-së nuk ndryshon asgjë në terren, por është një njohje e komunitetit ndërkombëtar, është një plan që, si të gjitha planet, nuk mund të jetë kurrë i përsosur, por është ai që ekziston dhe është i vetmi që në këtë moment ka ndalur zgjerimin e luftës dhe që mund t'i japë një minimum perspektivash popullatës palestineze dhe jo vetëm. Prandaj, le të themi se vota e OKB-së është një lloj vlerësimi përgjithshëm i komunitetit ndërkombëtar që, edhe pse nuk ndryshon asgjë, është gjithsesi i rëndësishëm nga pikëpamja ideale dhe politike e përgjithshme. Sa i përket jetës në territor dhe zbatimit konkret, e kemi ditur që në fillim se do të ishte shumë e vështirë, dhe do të jetë ende shumë e vështirë, të shohim të realizuara pikat e ndryshme të planit të Trump. E dimë që Hamasi nuk ka asnjë qëllim të dorëzojë armët. Mendoj se edhe Izraeli nuk ka shumë dëshirë të tërhiqet plotësisht nga Rripi. Le të themi se të dyja palët janë ato që kanë dashur të pranojnë këtë plan, por kanë, si të thuash, vështirësi serioze. Duhet të këmbëngulet. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vetmet që, me vendet arabe dhe Turqinë, mund të arrijnë të imponohen, sepse në këtë moment vullneti i mirë nuk është i mjaftueshëm. Duhet të kesh edhe guximin të imponosh politikisht zgjidhje që pak nga pak të çojnë në perspektiva më të qarta. Por do të duhet shumë kohë dhe do të jetë shumë e lodhshme.

20 nëntor 2025, 12:21