Kërko

Një punonjës i Caritas qëndron përpara një ndërtese të shkatërruar nga shpërthimi në portin e Bejrutit. Një punonjës i Caritas qëndron përpara një ndërtese të shkatërruar nga shpërthimi në portin e Bejrutit.

Karitasi i Libanit: Papa e ka dëgjuar thirrjen e vendit tonë për ndihmë

Kryetari i Karitasit të Libannit, organizatës bamirëse, Atë Michel Abboud, u flet mediave të Vatikanit për vizitën apostolike të Leonit XIV në Tokën e Kedrave nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor, që do t'i japë vrull misionit të tyre dhe do të rivendosë besimin tek njerëzit. "Papa vjen për të na treguar dashurinë e tij atërore".

R.SH. / Vatikan

Duke filluar në vitin 2011, mbërritja e 1.5 milion refugjatëve sirianë, të cilët iknin nga lufta e sapo filluar, shkaktoi një efekt shkatërrimtar në financat tashmë të brishta të Libanit, vend me vetëm 4.5 milion banorë. Shërbimet sociale dhe shëndetësore ishin nën presion. Sirianët hynë në tregun e punës për të ofruar aftësitë e tyre dhe për të shmangur jetesën me ndihmë sociale, por kjo krijoi konkurrencë të egër me mysafirët e tyre libanezë. Më në fund, filloi paqëndrueshmëria politike. Pastaj, më 4 gusht 2020, shpërthimi në portin e Bejrutit: pamje ende të skalitura në kujtesën e të gjithëve. E akoma, kohët e fundit, ringjallja e tensioneve me Izraelin. Për të mos përmendur pandeminë COVID.

Në dritën e situatës jashtëzakonisht të brishtë me të cilën Libani përballet prej vitesh, duke folur me presidentin e Caritas Liban, Atë Michel Abboud, udhëtimi i Papës Leoni XIV në Tokën e Kedrave, Liban, merr karakterin simbolik të një përkëdheljeje atërore - për një bir të plagosur.

Nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor Papa do të vizitojë Libanin. Atë Michel, cilat janë, sipas mendimit tuaj, pritjet e popullit libanez për këtë udhëtim?

Libanezët e dinë mirë se shtegtimi i Papës është vizitë apostolike, vizitë atërore. Kjo vizitë i inkurajon që ta shohin veten si pjesë të Kishës. Është vizitë solidariteti: falë saj, populli libanez do të dijë se, pavarësisht nga të gjitha situatat e vështira që përjetoi, nuk duhet ta ndjejë veten të braktisur. Kisha dhe bota janë pranë Libanit. Kjo është shumë e rëndësishme për ne: fakti që Papa, kreu i Kishës Katolike në botë, vjen këtu, në Tokën e Kedrave dhe të martirëve.

Cilat janë shpresat e Caritasit të Libanit për këtë vizitë?

Caritasi Libanez mendon gjithnjë se Papa, kreu i Kishës, është përfaqësuesi i saj, sepse ne jemi organizatë kishtare. Caritasi po punon për gjithë popullin libanez, pa diskriminim, për të mirën e të gjithëve. Gjatë pesë viteve të fundit, Libani kaloi një situatë të rëndë, sidomos ekonomikisht. Kjo krizë krijoi, siç i quajmë ne, të varfrit e rinj. Këta njerëz më parë ishin donatorë të Caritas, por tani kanë nevojë për ne. Duke vizituar Libanin, Papa do t'u japë zë atyre që vuajnë, dhe ky zë do të dëgjohet nga shumë njerëz që mund të ndihmojnë. Caritas Libani u takua së fundmi me Papën Françesku. Biseduam me të për britmën e popullit libanez, të të varfërve. I kërkuam të bashkonte zërin e tij me tonin për t’ia drejtuar bashkësisë ndërkombëtare, në mënyrë që të mund t'i dëgjojë edhe ata, që vuajnë në heshtje. Gjithmonë kemi pasur shpresë tek Papa!

Sipas mendimit tuaj, cila është çështja më urgjente për t'u përballuar në Liban?

Po presim të zbulojmë se kur do të vijë më në fund paqja. Ndërkaq jetojmë në ankth të vazhdueshëm. Nëse flet me njerëz në Liban, ata jetojnë sikur ne të ishim ende në luftë. Për këtë arsye, jemi të shqetësuar për të ardhmen. Nuk kemi të ardhme të sigurt tani. Zakonisht themi: 'Na e jepni paqen, e ju merrni çfarë të doni'. Jetojmë në ankth, por kemi edhe shpresë se diçka do të ndodhë. Kur të vijë Papa, libanezët do ta perceptojnë se ai po sjell një shenjë paqeje. Ka 4 milionë libanezë në Liban, e më shumë se 12 milionë jashtë Libanit. Ata do të ishin të gatshëm të ktheheshin dhe të jetonin këtu, nëse një situatë paqësore do t'ua lejonte ta bënin këtë e gjithashtu do t'u lejonte të kryenin punën e tyre këtu.

Si do ta përkufizonit punën e Caritas-it të Libanit në vitet e fundit?

Misioni ynë nuk ka ndryshuar, por kemi rritur gamën e shërbimeve tona. Punojmë për t'i mbajtur njerëzit tanë gjallë. Nëse dikush është i uritur, vdes. Pra, ne u japim ushqim, që të mos vdesin. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit e sëmurë. U sigurojmë atyre mjekë për t'i mbajtur gjallë. Për ata që nuk mund të përballojnë kujdesin spitalor, paguajmë ne. Ka statistika dramatike që tregojnë se sa njerëz kanë vdekur, ngaqë nuk mund të mjekoheshin. Caritasi Libanez vitet e fundit ka paguar miliona dollarë, falë shumë donatorëve bujarë, në mënyrë që njerëzit të mund të përballonin mjekimin në spital. Ka shumë emigrantë në vendin tonë. Ka sirianë: për ne ata janë bij të Zotit. E ndiejmë si detyrim shpirtëror për t'i ndihmuar. Numri i tyre është në rritje. Prandaj, Caritas ka rritur shërbimet. Ne kemi burime për të menaxhuar falë shumë njerëzve bujarë, donatorëve nga Libani dhe jashtë vendit, por edhe numri i të varfërve është rritur.

Në program është planifikuar edhe vizita e Papës Leoni në portin e Bejrutit, vendi i shpërthimit shkatërrues të 4 gushtit 2020. Çfarë domethënie kishte kjo tragjedi për vendin dhe për Caritas-in?

Caritas-i punoi për pasojat e shpërthimit. Ne ndihmuam shumë, veçanërisht psikologjikisht, por edhe në rindërtim. Banorët e Bejrutit, të cilët humbën shtëpitë e tyre, kanë ende etje për të vërtetën. Duan të dinë se kush është përgjegjës për atë shpërthim. Vizita e Papës Leoni do t'i ndihmojë të mos ndihen të braktisur. Pasojat e shpërthimit rëndojnë ende shumë në jetën e tyre. Vizita e Papës ka vlerë të fortë simbolike, vlerë atësie dhe solidariteti për të gjithë martirët që humbën jetën në shpërthim. Do të jetë ngushëllim për familjet që humbën të afërmit e tyre. Solidaritet për të gjithë të plagosurit që humbën shtëpitë e tyre. Për ne në Caritas, do të jetë inkurajim për të vazhduar misionin tonë!

Së pari Papa Gjon Pali II dhe më pas Papa Françesku kanë thënë se Libani është më shumë se një vend; është "mesazh, projekt paqeje". A është kjo ide ende e vlefshme sot, sipas mendimit tuaj?

Po, sepse në Liban ka 18 bashkësi fetare, veçanërisht myslimanë dhe të krishterë. Ata e kanë kuptuar se nuk mund të jetohet në izolim, por vetëm në komunitet. Nëse myslimanët besojnë se Zoti është mëshirë, atëherë ata duhet të jetojnë në përputhje me të: kjo mëshirë është për njerëzit me të cilët jetojnë. Nëse të krishterët besojnë se Zoti është dashuri, atëherë ata duhet ta jetojnë këtë dashuri ndaj të tjerëve. Prandaj, nëse çdo bashkësi jeton fetarizmin dhe fenë e vet, ata do të jetojnë në harmoni. Prandaj, Libani mbetet mesazh, mbetet dëshmi.

Shumë të rinj libanezë largohen nga vendi. A mendoni se vizita e Papës mund t'u ofrojë atyre një shenjë konkrete shprese?

Po, sepse kur ta shohin Papën duke ardhur në vendin e tyre, do të ndihen nostalgjikë dhe do të duan të kthehen. Ata do të jenë në gjendje të ringjallin besimin që e kanë humbur në vendin e tyre. Sapo të shohin Papën në Liban, do ta dinë se nuk janë vetëm!

18 nëntor 2025, 13:06