Ndërron jetë Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli
R.SH. / Vatikan
Dioqeza e Sapës në Shqipëri është në zi pas lajmit të rëndë të ndarjes nga jeta të Ipeshkvit të saj, Imzot Simon Kulli, në moshën 52-vjeçare. Sipas njoftimeve nga Kuria dioqezane e Sapës, ipeshkvi Simon Kulli ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, e shtune 29 nëntor, si pasojë e një arresti kardiak.
Imzot Simon Kulli lindi më 14 shkurt 1973 në fshatin Pistull të Dioqezës së Sapës, rreth 20 kilometra nga qyteti i Shkodrës.. Pas kalimit në amshim të ipeshkvit të mëparshëm, Imzot Lucjan Avgustini, më 25 maj 2016, Dom Simon Kulli u zgjodh nga Këshilli i Konsultorëve si “Administrator Dioqezan i Dioqezës së Sapës”, detyrë të cilën e ushtroi me përkushtim deri në datën 15 qershor 2017 kur Papa Françesku e emëroi ipeshkëv të dioqezës së Sapës, një dioqezë në pjesën veriore të Shqipërisë, në zonën mes Shkodrës dhe Pukës. Qendra e saj shpirtërore dhe administrative është Katedralja në qytetin Vau-Dejës.
Curuculum Vitae Dom Simon Kulli
Dom Simon Kulli lindi 14.02.1973 në fshatin Pistull të Dioqezës së Sapës. Fshat ky, 20 km nga Shkodra. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në fshatin Pistull.
Me 2 shkurt 1992 hyri në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër, dhe kryen dy vite parapergatitje për fillimin e studimeve filozofike e Teologjike.
Në vitin 1994 fillon studimet e Filozofisë; pas dy viteve, në vitin 1996 fillon studimet e Teologjisë, ndërsa me 14 shtator të vitit 1999 shugurohet diakon në Katedralen e Shkodrës, Gjatë periudhës së diakonatit, nga shtatori deri në Janar të vitit 1999 shërbeu në Katedrale të Shkodrës me famullitarin Dom Lucjan Avgustini, dhe nga janari i vitit 2000 deri në qershor shërbeu në Dajç të Zadrimës me dom Injac Dema Vikari Gjeneral i Dioqezes.
Dhe me 29 qershor të vitit Jubilar 2000, shugurohet meshtar po në Katedralen e Shkodrës së bashku me katër meshtarë të tjerë shqiptarë nga Imzot Angelo Massafra. Këta janë shugurimet e para meshtarake që u shuguruan pas 46 viteve të regjimit komunist në Shqipëri.
Pas shugurimit meshtarak, menjëherë u emërua në Dajç të Zadrimës dhe shërbeu si ndihmës famullitar pranë Mons. Injac Demës, e njëkohësisht ishte dhe Sekretar i Ipeshkëvit të Dioqezës së Sapës, në atë kohë, Imzot Dodë Gjergjit. Në Dajç shërbeu nga viti 2000 – 2002.
Në vitin 2002, dom Simoni emërohet Kancelar Dioqezan i Sapës.
Prej vitit 2006 e deri në ditët e sotme ushtron detyrën e Famullitarit të Katedrales “Shën Tereza e Kalkutës” – Vau-Dejës. Nga viti 2001 deri në vitin 2012 kreu detyrën e Drejtorit të Caritasit Dioqezan të Sapës. Po nga viti 2010 deri më 25 maj ushtroi deyrën e Delegatit të Caritasit Dioqezan, si edhe detyrën e Vikarit Gjeneral dhe Ekonomit të Dioqezës së Sapës.
Me kalimin në amshim të ipeshkëvit, Imzot Lucjan Avustini, me 25 maj 2016, Dom Simon Kulli zgjidhet nga Këshilli i Konsultorëve “Administrator Dioqezan i Dioqezës së Sapës”.
Më 15 qershor 2017 dom Simon Kulli u emërua nga Papa Françesku Ipeshkëv i Dioqezës së Sapës, mision që e kreu me fe, shpresë, zell e dashuri deri sot, 29 nëntor 2025, ku Hyji Atë e thirri në Shtëpinë e Tij në Qiell.