Kërko

Lavoro, Allerta Caldo per i lavoratori arrivano i bollini rossi

Çelësi i fjalëve të Kishës: institucionet ekonomike në shërbim të njeriut

Përdorimi rigoroz i pasurive ekonomike është themelor për mirëqenien e shoqërisë. Ky proces nuk mund t'i besohet ekskluzivisht tregut, ose shtetit, por duhet të jetë rezultat i një bashkëveprimi sinergjik ndërmjet protagonistëve të ndryshëm ekonomikë dhe shoqërorë. Një sistem ekonomik i drejtë ndërtohet vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të tregut me shtetin dhe me organizmat e ndërmjetme, bazuar në vlera morale dhe në ekuilibrin ndërmjet lirisë private dhe veprimit publik

R.SH. - Vatikan

Në emisionin e sotëm, në vijim të ciklit kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, fillojmë të reflektojmë mbi mënyrën se si ekonomia mund dhe duhet të jetë në shërbim të njeriut. Ekonomia moderne përballet me një pyetje themelore: si t’i përdorë më së miri burimet, të cilat nga natyra e tyre janë të pakta, për të përmbushur nevojat individuale dhe kolektive. Çdo protagonist ekonomik, qoftë prodhues apo konsumator, publik apo privat, duhet të gjejë mënyra racionale për të përdorur mallrat dhe shërbimet në dispozicion. Racionaliteti dhe efikasiteti në ndarjen e burimeve jo vetëm që e zgjidhin këtë problem, por përcaktojnë edhe frytshmërinë e përgjithshme të të gjithë sistemit ekonomik, i cili varet nga aspekte, që përfshijnë tregun, shtetin dhe organizmat shoqërore të ndërmjetme.

Roli i tregut të lirë

I pari ndër aspektet, tregu i lirë, është afirmuar historikisht si një sistem i aftë për ta bërë më të frytshëm prodhimin e mallrave dhe të shërbimeve. Sipas Doktrinës Shoqërore të Kishës, tregu është mjet i domosdoshëm në "shpërndarjen e burimeve dhe në përgjigjen ndaj nevojave" të shoqërisë, pasi nxit shkëmbimin bazuar në preferencat individuale (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 34). Për më tepër, në një treg vërtet konkurrues, përfitimet janë të qarta: fitimet e tepërta rishpërndahen nëpërmjet taksave, nevojat e konsumatorëve plotësohen dhe kush sjell risi teknologjike dhe ekonomike shpërblehet.

Megjithatë, tregu, i vetëm, nuk mund të konsiderohet qëllim në vetvete. Siç pohohet në Doktrinën Shoqërore, nuk mjafton të punosh për fitimin individual; përfitimi social, ai që promovon të mirën e përbashkët, duhet të jetë në qendër të dinamikës ekonomike. Kur tregu nuk pyet për vlerat morale dhe etikën shoqërore, ka rrezik të degjenerojë në një forcë tjetërsuese dhe çnjerëzore. Kjo është arsyeja pse tregu, megjithëse është institucion i pazëvendësueshëm, duhet të udhëhiqet nga synime morale, që ia kufizojnë autonominë dhe ia orientojnë veprimtarinë drejt të mirës së përbashkët.

Siç theksohet nga parimet e Kishës, liria ekonomike duhet të rregullohet gjithmonë nga një kuadër ligjor i përshtatshëm, në mënyrë që të mos e reduktojë njeriun as në konsumator, as në prodhues të thjeshtë. Një treg, që i largohet kontrollit shoqëror e ndryshon njeriun, duke ia shtrembëruar natyrën dhe dinjitetin. "Liria ekonomike është vetëm një element i lirisë njerëzore" (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 39) dhe duhet të jetë në shërbim të personit. Shoqëria ka nevojë për mallra të cilat, "nga natyra e tyre, nuk janë dhe nuk mund të jenë mallra të thjeshta" (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 40), për mallra të panegociueshme sipas rregullit të "shkëmbimit ekuivalent" dhe sipas logjikës së kontratës, tipike për tregun.

Veprimi i shtetit: subsidiariteti dhe solidariteti

Shteti luan një rol jetësor, duke u siguruar që tregu të funksionojë brenda një kuadri të qëndrueshëm ligjor dhe shoqëror. Veprimet e tij duhet të ndjekin parimin e subsidiaritetit, që do të thotë se ndërhyrja publike duhet të ndodhë vetëm kur nuk ekzistojnë alternativa të tjera më të frytshme. Njëkohësisht, ai duhet të respektojë parimin e solidaritetit, duke ndërhyrë për të mbrojtur më të brishtët dhe për të zvogëluar pabarazitë.

Sipas Doktrinës Shoqërore, "shteti ka për detyrë të mbështesë veprimtarinë e sipërmarrjeve, duke krijuar kushte të favorshme për punësim" (Gjon Pali II, enc. Centesimus annus, 48). Megjithatë, kjo mbështetje nuk duhet të kthehet në asistencializëm, duke ndërhyrë gjithnjë e me tepri, por duhet të matet duke u bazuar në nevojat e vërteta shoqërore. Ndërhyrja e shtetit duhet të synojë krijimin e një kuadri barazie ndërmjet palëve në lojë, duke u siguruar që asnjë pjesëmarrës në treg të mos ketë mundësi të shfrytëzojë pushtetin mbi të tjerët, duke i çuar konkurrentët në një gjendje skllavërie ekonomike.

Gjithashtu, shteti duhet të garantojë që të gjithë të kenë të drejtë për mallra dhe shërbime, të cilat tregu nuk mund t’i shpërndajë në mënyrë të barabartë, siç janë arsimi dhe shëndetësia, pasi pikërisht këto janë ato “të mira”, që nuk mund të reduktohen në mallra. Kështu, kjo prirje e tregut dhe e shtetit për të plotësuar njëri-tjetrin bëhet thelbësore në sigurimin e shpërndarjes së drejtë të burimeve dhe në zbatimin e politikave të solidaritetit dhe të rishpërndarjes.

Financat publike: mjet për zhvillim dhe solidaritet

Financat publike luajnë një rol vendimtar në këtë drejtim. Mbledhja e taksave dhe administrimi i pasurive publike duhet të orientohen drejt së mirës së përbashkët, duke siguruar shpërndarjen e drejtë dhe racionale të burimeve. Sistemi tatimor, që respekton parimet e solidaritetit dhe të barazisë nxit shtimin e punësimit dhe mbështet iniciativat sipërmarrëse.

Miratimi i politikave të drejta tatimore jo vetëm që nxit zhvillimin ekonomik, por ndihmon edhe në forcimin e besueshmërisë së shtetit, i cili bëhet garant për të drejtat shoqërore. Qëllimi përfundimtar i financave publike është të sigurojë mbrojtje të përshtatshme sociale për më të varfrit, duke respektuar barazinë dhe duke promovuar dinjitetin njerëzor. Siç nënvizon magjisteri papnor e kishtar, financat publike duhet të ndjekin parimet e "racionalitetit, barazisë dhe rigorozitetit" në administrimin e pasurive publike, gjithmonë të orientuara drejt përmirësimit të cilësisë së jetës së shtetasve.

Roli i organizmave ndërmjetëse: kundërpeshë e domosdoshme

Një aspekt qendror i sistemit ekonomiko-shoqëror është roli i organizmave ndërmjetëse, të cilat qëndrojnë ndërmjet tregut dhe shtetit. Këto organe, ku përfshihen organizatat jofitimprurëse, kooperativat, sindikatat dhe shoqatat, janë themelore për mirëqenien kolektive. Funksioni i tyre nuk është vetëm ekonomik, por edhe shoqëror e kulturor, pasi ato kontribuojnë në forcimin e strukturës shoqërore dhe në promovimin e së mirës së përbashkët.

Organizatat private jofitimprurëse, në veçanti, përfaqësojnë një model në të cilin frytshmëria dhe solidariteti bashkëjetojnë harmonishëm. Këto organizma janë shprehje e vullnetit kolektiv e shpesh, karakterizohen nga një impenjim i fuqishëm shoqëror. Shteti e ka për detyrë t’i vlerësojë këto nisma, duke krijuar një ambient, që favorizon autonominë dhe përgjegjësinë e shtetasve.

Të gjithë protagonistët ekonomikë dhe shoqërorë, përfshirë tregun, shtetin dhe organizmat e ndërmjetme, nënvizon Kisha Katolike, duhet të punojnë në sinergji, duke krijuar një ekuilibër dinamik, që nxit demokracinë ekonomike dhe ndarjen e drejtë të pasurive.

Konsumi dhe kursimi: çështje morale

Sot, më shumë se kurrë, konsumatorët duhet të reflektojnë mbi vendimet, që kanë të bëjnë me konsumin dhe kursimin. Burimet financiare në dispozicion të tyre bëjnë që konsumatorët të ndikojnë në ekonomi përmes shitblerjes. "Vendimi për të investuar në një vend e jo në një tjetër, në një sektor prodhimi e jo në një tjetër, është gjithmonë vendim moral dhe kulturor", siç pohon Papa shenjt Gjon Pali II në enciklikën Centesimus annus (36). Asnjë blerje nuk është neutrale: ajo mund të ketë implikime etike përsa u përket kushteve të punës, për shembull, ose ambientit apo respektit për të drejtat e njeriut.

Konsumizmi, që na kërkon “të kemi” më shumë se sa “të jemi” në këtë botë, pengon zhvillimin e një personaliteti njerëzor të matur e të përgjegjshëm. Kisha promovon ato "mënyra jetese", që shkojnë përtej konsumit dhe përqendrohen në vlera si kërkimi i së vërtetës, i së bukurës dhe i së mirës. Vetëm kështu, njeriu mund t'i kundërvihet kulturës konsumiste dhe ta orientojë ekonominë drejt vendimeve më të drejta dhe më të qëndrueshme, me vëmendje më të madhe ndaj dinjitetit njerëzor dhe ambientit natyror.

18 dhjetor 2025, 09:10