Imzot Gjergj Meta: Imzot Simon Kulli, njeriu i veprimit, i thelbit të gjërave
R.SH. / Vatikan
Homelia për funeralin e imzot Simon Kullit, ipeshkëv i Sapës, mbajtur nga Presidenti i Konferencës Ipeshkvore të Kishës Katolike në Shqipëri e ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta.
Katedralja “Nënë Tereza” – Laç i Vaut të Dejës
2 dhjetor 2025
“Nëpër të na shkëlqeu shpresa e ngjalljes së lume, kështu që edhe pse na trishton tani gjendja e sigurt e vdekjes, na ngushëllon premtimi i pavdekësisë së ardhshme.”.
Këto fjalë, të shkëputura nga prefacioni që do të lexojmë pas pak në meshë, janë interpretimi më i mirë i dialogut midis motrës së Lazrit, Martës, asaj që shqetësohej për shumë gjëra dhe Jezusit, në pjesën e Ungjillit që sapo e dëgjuam. Sa shumë dhembje dhe pyetje e kanë banuar zemrën e Martës për vdekjen e vëllait të saj. Për të, guri i vendosur mbi varrin e Lazrit ka qenë si një gur i vënë mbi zemrën e saj, që peshonte rëndë mbi të. Sa “pse?” i janë mbledhur në zemër, ashtu sikurse edhe ne të gjithëve sot tri ditë, kur vëllai ynë dhe bariu i kësaj dioqeze, imzot Simoni, u kthye në shtëpinë e Atit. Megjithatë, nuk kemi pse të nxitohemi që të gjejmë përgjigje sesbën. Një poet modern, Rainer Maria Rilke, duke i shkruar një poeti të ri, i thotë: “Të lutem, të kesh durim me gjithçka që është e pazgjidhur në zemrën tënde e të mundohesh të provosh dashuri për pyetjet në vetvete, sikur ato të jenë dhoma të mbyllura ose libra të shkruar në një gjuhë të huaj. Mos u brengos për të pasur përgjigje që ende nuk mund të të jepen, sepse nuk do të ishe në gjendje t’i mbaje… përjetoi pyetjet tani. Ndoshta kështu një ditë të largët, pak e nga pak, pa e kuptuar do të gjendesh duke jetuar brenda përgjigjeve.”.
Edhe ne ashtu si Marta themi: – Sikur ti të ishe këtu!; – Sikur të kishte ndodhur ndryshe!; – Pse, o Zot, kaq i ri?!; – Pse në këtë dioqezë, e cila brenda pak vitesh humb një bari tjetër në moshë të re?!; – Pse pikërisht tani…?! E shumë pyetje të tjera, që na mundojnë të gjithëve. Por tek e fundit, janë të gjitha arsyetimet tona. Janë të gjitha pyetje që vijnë nga ne.
Në këtë pjesë të Ungjillit është edhe një personazh: Maria, motra tjetër, ajo që kishte zgjedhur pjesën më të mirë dhe që nuk flet asnjë fjalë, sikurse edhe ne, që mbetëm pa fjalë për lajmin e hidhur. Ajo e dinte se vetëm takimi me Krishtin e heq perden e territ që i kishte mbuluar me vdekjen e të vëllait. Edhe neve do të na e heqë atë perde vetëm ai takim. Derisa kjo të ndodhë për secilin prej nesh, duhet të kemi durimin të presim, të zgjedhim pjesën më të mirë, të kundrojmë Krishtin dhe të rrimë zgjuar në lutje. Në letrën e tij drejtuar Kolosianëve, Shën Pali thotë se jeta jonë është e fshehur me Krishtin në Hyjin. E kur të duket Krishti – Jeta jonë, atëherë edhe ne bashkë me Të do të shfaqemi plot lavdi. (krhs. Kol 3, 3-4)
Të dashur miq, të gjithë ne e kemi njohur imzot Simonin, kush më shumë e kush më pak; dikush duke jetuar me të një jetë të tërë e dikush duke bërë pak udhë me të. Por secili prej nesh e ka një kujtim me të, që mund ta tregonte sot. T’i mbajmë ato kujtime me të në zemrat tona.
Këto ditë, ndërsa bisedoja me një meshtar që ka jetuar e punuar me imzot Simonin, e pyeta se çfarë do të mbante mend prej tij. Ai m’u përgjigj: – Dom Gjergj, mons. Simoni nuk ka folur për dashurinë, ai ka folur në dashuri; nuk ka folur për dijen e urtinë, ka folur në dije e në urti.
Po! Kjo e bënte të veçantë Simonin. Ai nuk ishte njeriu i fjalëve të mëdha e të stërholluara, por ishte njeriu i veprimit, i thelbit të gjërave. U shkonte gjërave drejt e në esencë, sikur i vinin nga brendia më e brendshme e jetës së tij, nga ajo pjesë që Meister Eckhart e quante pjesa më e thellë e jona, “ajo pikë që nuk është e prekur nga koha, nuk është e turbulluar nga emocioni, nuk është e plagosur nga kujtesa dhe nuk mbërrihet as nga mendimet. Është një pikë e padukshme, e heshtur, por reale, sikurse flaka që digjet pa u konsumuar.”.
Në fjalët e atij meshtari e gjeta të përshkruar më së miri portretin e imzot Simonit. Ai i jetonte gjërat, më shumë sesa i thoshte ato. Kishte të theksuar empatinë, e nevojshme për të qenë një bari i mirë. Jetonte me dhembjen e me gëzimin e tjetrit. E këtë e tregonte sa herë e shihje duke luajtur me të rinjtë, duke ecur në biçikletë me to; duke qëndruar mes njerëzve me aftësi ndryshe; duke u kujdesur për të varfrit e duke kaluar kohë me fëmijët. Duket se këtyre të fundit u ka besuar edhe “testamentin” e tij. Më 2 nëntor, imzot Simoni ka kremtuar Meshën e Shenjtë me fëmijët dhe ka shkuar bashkë me to te kripta e katedrales “Nënë Tereza”. Atje u ka shpjeguar atyre se çfarë është kripta dhe u ka folur për imzot Lucjanin, duke shtuar: – Edhe unë do të vij këtu dikur, por kjo nuk është banesa jonë e fundit, është vetëm banesa jonë e përkohshme. Sikur ka profetizuar, pa e ditur se fiks pas një muaji do të shkonte aty vërtet; se ajo “dikur” do të ishte pikërisht sot, më 2 dhjetor.
Tri javë më parë, ne ipeshkvijtë e Shqipërisë kemi bërë shtegtimin tonë jubilar. Nuk e kishim bërë kurrë më parë një gjë të tillë, të rrinim kaq ditë të gjithë bashkë, të udhëtonim bashkë. Dhe ja, qëndruam së bashku, u lutëm së bashku, kaluam dyert e shenjta të Bazilikave romake së bashku. Qe një moment hiri, por paska qenë edhe hera e fundit që ishim të gjithë bashkë, edhe me Simonin. Ato ditë kuptuam, ndonëse ndoshta secili në mënyra të ndryshme, se kishim nevojë të rrinim më shumë bashkë. Tani them se e kemi kuptuar edhe më shumë ose më mirë, e kemi perceptuar e ndierë edhe më shumë atë gjë.

