Kërko

Sekretarët e CCEE u mblodhën me rastin e takimit të tyre vjetor Sekretarët e CCEE u mblodhën me rastin e takimit të tyre vjetor

CCEE: bashkimi i të krishterëve si instrument paqeje

Presidenca e Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (CCEE) fton të gjitha Kishat e kontinentit që t'i kushtojnë një qëllim të veçantë lutjeje paqes gjatë Javës së ardhshme të lutjes për bashkimin e të krishterëve.

R.SH. / Vatikan

Thirrja u drejtua nga imzot Gintaras Grušas, President i CCEE-së, drejtuar Presidentëve të Konferencave Episkopale Evropiane, në kontekstin e nënshkrimit të fundit të Charta Oecumenica (Kartës Ekumenike) të përditësuar, që u bë në Romë më 5 nëntor 2025. Me këtë gjest, hapet zyrtarisht faza e pranimit të dokumentit në të gjithë Evropën.

«Lutja mbetet shpirti i gjithë lëvizjes ekumenike (UR, 8) dhe gjen një shprehje veçanërisht të fortë gjatë Tetëditëshit vjetor të lutjes për bashkimin e të krishterëve», nënvizon arqipeshkvi Grušas në letrën e tij. Bashkimi midis të të pagëzuarve në Krishtin – pohon ai – përfaqëson sot një instrument të fuqishëm paqeje për mbarë botën.

Ftesa vjen në 25-vjetorin e nënshkrimit të Charta Oecumenica-s së parë, të nënshkruar në Strasburg më 22 prill 2001, dhe në një kontekst ndërkombëtar të shënuar nga kërcënime të rënda ndaj paqes, me konflikte të armatosura dhe tensione gjeopolitike në rritje. Përballë kësaj situate, Kishat janë të thirrura të rinovojnë me forcë një thirrje të përbashkët për lutje, në mënyrë që bashkimi të mos rritet vetëm midis të krishterëve, por të bëhet tharm pajtimi edhe midis popujve dhe palëve në konflikt.

«Kjo lutje e përbashkët dhe pranimi i Charta Oecumenica-s së përditësuar – përfundon Presidenti i CCEE-së – i beson ndërmjetësimit të së Lumes Virgjër Mari, Nëna e Evropës, dhe Shenjtërve Pajtorë të Evropës».

Charta Oecumenica e përditësuar përfaqëson një etapë domethënëse në rrugëtimin ekumenik të Kishave në Evropë. Pas 25 vitesh, dokumenti vazhdon të jetë një pikë referimi thelbësor për të promovuar dialogun, bashkëpunimin dhe dëshminë e përbashkët midis Kishave të krishtera të kontinentit. Rishikimi u realizua nga një grup pune i krijuar nga Komiteti i Përbashkët i Presidenca e Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (CCEE) dhe Konferencës së Kishave Evropiane (CEC).

Kishat tashmë janë të ftuara për një pranim të thellë dhe të frytshëm të Kartës, që të përkthehet në një angazhim të rinovuar në lutjen e përbashkët, në dialogun ekumenik, në formim dhe në dëshminë e ndarë së bashku, në kontekste të ndryshme kishtare dhe shoqërore.



15 janar 2026, 10:15