Kërko

2024.09.06 Il pubblico al Festival della politica di Mestre

Çelësi i fjalëve të Kishës: bashkësia politike e Kisha

Sjellja e Hyjit në qeverisjen e botës, që dëshmon një respektim shumë të thellë të lirisë njerëzore, duhet të frymëzojë urtinë e atyre që qeverisin bashkësitë njerëzore. Ata duhet të sillen si mbarështues të provanisë hyjnore

R.SH. – Vatikan

Pasi folëm për jetën ekonomike, fillojmë sot të shqyrtojmë ç’thotë Doktrina Shoqërore e Kishës për jetën politike. Nisemi nga aspektet biblike, që i japin Kishës të drejtën për të folur e për thënë mendimin e vet mbi bashkësinë politike të çdo vendi. Populli i Izraelit, në fazën fillestare të historisë së vet, nuk ka mbret, si popujt e tjerë, pasi njeh vetëm zotërimin e Jahvesë. Është Hyji që ndërhyn në histori nëpërmjet njerëzve karizmatikë, siç dëshmon Libri i Gjyqtarëve. Të fundit, Samuelit, profet dhe gjyqtar, populli do t’i kërkojë një mbret (shih 1 Sam 8, 5; 10, 18-19). Samueli paralajmëron izraelitasit për rrjedhojat e një ushtrimi despotik të mbretërimit (shih 1 Sam 8, 11-18); pushteti mbretëror, megjithatë, mund të jetohet edhe si dhuratë e Jahvesë, që i vjen në ndihmë popullit të Vet (shih 1 Sam 9, 16). Në fund, Sauli do të marrë lyerjen mbretërore (shih1 Sam 10, 1-2). Ndodhia vë në dukje tensionet që e çuan Izraelin në një konceptim të mbretërimit të ndryshëm nga ai i popujve përreth: mbreti, i zgjedhur nga Jahve (shih Lp 17, 15; 1 Sam 9, 16) dhe prej Tij i shuguruar (shih1 Sam 16, 12-13), do të shihet si biri i Tij (shihPs 2, 7) dhe këtij të fundit do t’i duhet ta bëjë të dukshëm zotërimin dhe planin e shpëtimit (shihPs 72). Pra, duhet të bëhet mbrojtësi i të dobtëve dhe t’i sigurojë popullit drejtësinë: denoncimet e profetëve do t’i drejtohen pikërisht mospërmbushjes së detyrave nga ana e mbretërve (shih1 Mbr 21; Is 10, 1-4; Am 2, 6-8; 8, 4-8; Mik 3, 1-4).

Prototipi i mbretit të zgjedhur nga Jahve është Davidi, për të cilin tregimi biblik thekson me kënaqësi gjendjen e tij të përvuajtur (shih1 Sam 16, 1-13). Davidi është ruajtësi i premtimit (shih2 Sam 7, 13-16; Ps 89, 2-38; 132, 11-18), që e bën atë nismëtar të një tradite të veçantë mbretërore, traditën “mesianike”. Ajo, me gjithë mëkatet dhe pabesnikëritë e Davidit dhe të pasardhësve të tij, kulmon në Jezu Krishtin, “të lyerin e Jahvesë” (domethënë “të shuguruarin e Zotit”: shih 1 Sam 2, 35; 24, 7.11; 26, 9.16; shih edhe Dal 30, 22-32) në shkallën më të lartë, bir i Davidit (shih dy gjenealogjitë tek Mt 1, 1-17 dhe Lk 3, 23-38; shih edhe Rom 1, 3).

Dështimi i mbretërimit në planin historik nuk do të çojë në zhdukjen e idealit të një mbreti që, duke i qëndruar besnik Jahvesë, të qeverisë me urtësi dhe të veprojë me drejtësi. Kjo shpresë shfaqet shumë herë në Psalme (shihPs 2; 20; 21; 72). Në profecitë mesianike është pritur, për kohën eskatologjike, figura e një mbreti në të cilin banon Shpirti i Zotit, plot me urti e dituri dhe në gjendje që t’u japë të drejtën të varfërve (shihIs 11, 2-5; Jer 23, 5-6). Bari i vërtetë i popullit të Izraelit (shihEz 34, 23-24; 37, 24), ai do t’u sjellë paqen njerëzve (shih Zak 9, 9-10). Në letërsinë e librave që në Bibël paraqesin urtinë e popullit hebre, mbreti paraqitet si ai që jep gjykime të drejta dhe që e urren papastërtinë (shih Fu 16, 12), që i gjykon të varfrit me drejtësi (shih Fu 29, 14) dhe që është mik i njeriut me zemër të pastër (shih Fu 22, 11). Bëhet gjithnjë e më i qartë kumtimi i asaj, që Ungjijtë dhe tekstet e tjera të Besëlidhjes së Re e shohin të realizuar në Jezu Krishtin, mishërimi përfundimtar i figurës së mbretit të përshkruar nga Besëlidhja e Vjetër.

Jezusi dhe autoriteti politik

Jezusi nuk e pranon pushtetin shtypës dhe despotik të krerëve të Kombeve (shih Mk 10, 42) dhe pretendimin e tyre që të quhen bamirës (shihLk 22, 25), por nuk u kundërvihet kurrë drejtpërsëdrejti autoriteteve të kohës së Vet. Në diskutimin për tatimin që duhet t’i jepet Cezarit (shih Mk 12, 13-17; Mt 22, 15-22; Lk 20, 20-26), Ai pohon se duhet t’i japim Hyjit atë që është e Hyjit, duke dënuar në mënyrë implicite çdo përpjekje për të hyjnizuar dhe absolutizuar pushtetin tokësor: vetëm Hyji mund të kërkojë gjithçka nga njeriu. Në të njëjtën kohë, pushteti tokësor ka të drejtë për atë që i takon: Jezusi nuk e quan të padrejtë tatimin, që duhet t’i jepet Cezarit.

Jezusi, Mesia i premtuar, ka luftuar dhe ka ngadhënjyer mbi tundimin e një mesianizmi politik, të karakterizuar nga zotërimi i Kombeve (shihMt 4, 8-11; Lk 4, 5-8). Ai është Biri i njeriut që ka ardhur “të shërbejë e të japë jetën e Vet” (Mk 10, 45; shih Mt 20, 24-28; Lk 22, 24-27). Nxënësve të Vet që bisedojnë se kush është më i madhi, Zoti u mëson të bëhen të përvuajtë dhe t’u shërbejnë të gjithëve (shihMk 9, 33-35), duke u treguar bijve të Zebedeut, Jakobit dhe Gjonit, që lakmojnë të ulen në të djathtën e Tij, udhën e kryqit (shihMk 10, 35-40; Mt 20, 20-23).

Bashkësitë e para të krishtera

Nënshtrimi, jo pasiv, por për arsye të ndërgjegjes (shih Rom 13, 5), ndaj pushtetit në fuqi i përgjigjet rendit të caktuar prej Hyjit. Shën Pali flet dhe përcakton marrëdhëniet dhe detyrat e të krishterëve ndaj autoriteteve (shih Rom 13, 1-7). Ai ngul këmbë për detyrën civile të pagimit të tatimit: “Jepni gjithkujt çka i përket: tatimtarit tatimin, doganierit doganën, atij që është për t’u druajtur drojën, atij që është për nderim nderimin” (Rom 13, 7). Apostulli sigurisht nuk dëshiron të përligjë çdo pushtet, por t’i ndihmojë të krishterët për të pasur kujdes që ta bëjnë të mirën para të gjithë njerëzve (shih Rom 12, 17), edhe në lidhje me autoritetin, pasi ai është në shërbim të Hyjit për të mirën e personit (shih Rom, 13, 4; 1 Tim 2, 1-2; Tit 3, 1) dhe “shfren hidhërimin e Hyjit në atë që bën të keqen” (Rom 13, 4).

Shën Pjetri i fton të krishterët kështu: “nënshtrohuni çdo pushteti njerëzor për arsye të Zotit” (1 Pjt 2, 13). Mbreti dhe qeveritarët kanë detyrën “për të ndëshkuar bakëqijtë e për të lavdëruar ata që bëjnë mirë” (1 Pjt 2, 14). Autoriteti i tyre duhet të “nderohet” (shih1 Pjt 2, 17), domethënë të njihet, pasi Hyji kërkon një sjellje të drejtë, që t’ia mbyllë “gojën padijes së njerëzve të pamendë” (1 Pjt 2, 15). Liria nuk mund të përdoret për të mbuluar dashakeqësinë e tyre, por për t’i shërbyer Hyjit (shih po aty). Bëhet fjalë atëherë për një dëgjesë të lirë dhe përgjegjëse ndaj një autoriteti që respekton drejtësinë, duke siguruar të mirën e përbashkët.

 Lutja për qeveritarët, e porositur nga shën Pali gjatë përndjekjeve, tregon në mënyrë eksplicite atë që autoriteti politik duhet të garantojë: një jetë të qetë dhe të paqtë, për ta jetuar atë me dhembshuri dhe dinjitet të plotë (shih 1 Tim 2, 1-2). Të krishterët duhet “të jenë të gatshëm për të kryer çdo vepër të mirë” (Tit 3, 1), “duke treguar butësi të vazhdueshme kundrejt të gjithë njerëzve” (Tit 3, 2), të vetëdijshëm se janë shpëtuar jo prej veprave të tyre, por prej mëshirës së Hyjit. Pa “një larje të rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë” (Tit 3, 5-6), të gjithë njerëzit janë “të pamendë, të padëgjueshëm; (endeshim) larg së vërtetës, robër të dëshirave dhe të prirjeve të ndryshme; (kemi jetuar), në të këqija dhe në smirë, të denjë për të qenë të përbuzur, (kemi) urryer njëri-tjetrin” (Tit 3, 3). Nuk duhet të harrohet mjerimi i gjendjes njerëzore, të shënuar nga mëkati dhe të shpërblyer nga dashuria e Hyjit.

Kur pushteti njerëzor del prej kufijve të rendit të dashur prej Hyjit, vetëhyjnizohet dhe kërkon nënshtrimin absolut; bëhet atëherë Bisha e Zbulesës, imazhi i pushtetit sundues përndjekës, e dehur “me gjak të shenjtërve dhe me gjak të dëshmitarëve të Jezusit” (Zb 17, 6). Bisha ka në shërbim të vet “profetin e rrejshëm” (Zb 19, 20), që i shtyn njerëzit ta adhurojnë me shenja të mrekullueshme, që joshin. Ky vegim tregon në mënyrë profetike të gjitha kurthet e përdorura nga Djalli për të qeverisur mbi njerëzit, duke futur në shpirtin e tyre gënjeshtrën. Por Krishti është Qengji Fitimtar i çdo pushteti që absolutizohet, gjatë rrjedhës së historisë njerëzore. Përballë këtij pushteti, shën Gjoni porosit rezistencën e martirëve: në këtë mënyrë besimtarët duhet të dëshmojnë se pushteti i korruptuar dhe djallëzor është mundur, pasi nuk ka më asnjë ndikim mbi ta.

Kisha kumton se Krishti, ngadhënjyes mbi vdekjen, mbretëron mbi gjithësinë që Ai vetë ka shpërblyer. Mbretëria e Tij shtrihet edhe në kohën e tashme dhe do të mbarojë vetëm kur gjithçka do t’i dorëzohet Atit dhe historia njerëzore do të arrijë në plotësi me gjykimin përfundimtar (shih1 Kor 15, 20-28). Krishti i zbulon autoritetit njerëzor, gjithnjë të tunduar nga zotërimi, domethënien e tij autentike dhe të plotësuar nga shërbimi. Hyji është Ati i vetëm dhe Krishti i vetmi mësues për të gjithë njerëzit, që janë vëllezër. Sovraniteti i përket Hyjit. Zoti, megjithatë, “nuk ka dashur ta ruajë vetëm për vete ushtrimin e të gjitha pushteteve. Ai i jep çdo krijese funksionet që ajo është në gjendje të ushtrojë, sipas aftësive vetjake të natyrës së vet. Kjo mënyrë të qeverisuri duhet të imitohet në jetën shoqërore. Sjellja e Hyjit në qeverisjen e botës, që dëshmon një respektim shumë të thellë të lirisë njerëzore, duhet të frymëzojë urtinë e atyre që qeverisin bashkësitë njerëzore. Ata duhet të sillen si mbarështues të provanisë hyjnore”.

Mesazhi biblik frymëzon pareshtur mendimin e krishterë mbi pushtetin politik, duke kujtuar se ai buron nga Hyji dhe është pjesë përbërëse e rendit të krijuar prej Tij. Ky rend perceptohet nga ndërgjegjet dhe realizohet, në jetën shoqërore, përmes të vërtetës, drejtësisë, lirisë dhe solidaritetit që sjellin paqen.

22 janar 2026, 09:26