Çelësi i fjalëve të Kishës: risitë në ekonomi
R.SH. - Vatikan
Në epokën moderne, globalizimi ekonomik dhe financiar përbën një dukuri, që e ka transformuar mënyrën e funksionimit të ekonomive kombëtare. Është krijuar një sistem i ri global nga integrimi i tregjeve të mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, ku marrja e vendimeve ekonomike ndikohet nga dinamika ndërkombëtare, duke i bërë kufijtë kombëtarë gjithnjë e më të tejdukshëm. Kjo “ndërlidhje planetare” e ka rritur fuqinë e tregjeve financiare, që sot mundësojnë lëvizjen e kapitaleve në kohë reale në çdo cep të botës. Kisha Katolike thotë fjalën e saj edhe për këtë kohë të re botërore, duke e konsideruar globalizimin një mjet, as pozitiv e as negativ në vetvete, por natyrisht, duke i bërë njerëzit të reflektojnë mbi rezultatet e përdorimit të këtij mjeti, që varen gjerësisht nga ata vetë, nga qëllimet e synimet e tyre. Për këtë arsye, në Doktrinën e saj Shoqërore, së cilës ia kemi kushtuar emisionet e këtij cikli, ajo nënvizon përfitimet e dukshme, që ka sjellë globalizimi si përhapja më e shpejtë e teknologjisë, ulja e kostove të komunikimit dhe zgjerimi i tregtisë ndërkombëtare, por vë në dukje edhe rreziqet serioze, që fshihen pas entuziazmit të parë, sidomos, shtimin e pabarazive. Ndërsa disa vende përfitojnë nga ritme të përshpejtuara zhvillimi dhe pasurimi, të tjera mbeten në prapaskenë. Kjo ka të bëjë jo vetëm me hendekun ndërmjet të pasurve dhe të varfërve, por edhe me atë brenda shoqërive të industrializuara. Pikërisht globalizimit, tregjeve financiare dhe sfidës së zhvillimit solidar ia kushtojmë emisionin e parë të ciklit për këtë vit.
Kisha Katolike kërkon një globalizim me solidaritet, që të mos prodhojë “fitues dhe humbës”, por të garantojë pjesëmarrjen e të gjithëve në përfitimet e ekonomisë. Vetëm nëse përparimi teknologjik shoqërohet me mundësi të barabarta për të gjithë, mund të shmanget zgjerimi i hendekut mes Veriut dhe Jugut. Nevojitet një etikë e re ekonomike, që vendos në qendër të mirën e përbashkët dhe respektin për dinjitetin njerëzor, përndryshe “të varfrit mbeten të varfër, ndërsa të pasurit bëhen më të pasur”. Magjisteri papnor nënvizon nevojën për drejtësi shoqërore dhe për respektimin e larmisë kulturore, duke kundërshtuar çdo formë të re “kolonializmi ekonomik”. “Globalizimi – u thoshte Papa shenjt Gjon Pali II anëtarëve të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, në vitin 2001 (Gjon Pali II, Fjalim në Akademinë Papnore të Shkencave Shoqërore, 27 prill 2001, 4) - nuk duhet të jetë një lloj i ri kolonializmi. Ai duhet të respektojë ndryshimet kulturore që, në kuadrin e harmonisë universale të popujve, janë çelësi interpretues i jetës. Në veçanti, nuk duhet t’i privojë të varfrit prej ç’kanë më të çmuar, përfshirë besimet dhe praktikat fetare, pasi bindjet autentike fetare janë shfaqja më e qartë e lirisë njerëzore”.
Herë të tjera, gjithnjë Papa Gjon Pali II e ka ngritur zërin për solidaritetin ndërmjet breznive, që ka edhe aspektin e tij ekonomik. Vërtet, shfrytëzimi i tepërt i burimeve natyrore në dëm të brezave të ardhshëm është padrejtësi morale dhe ekonomikisht i dëmshëm. Prandaj, globalizimi i ekonomisë duhet të shoqërohet nga një vetëdije ekologjike dhe sociale, që mbron ekuilibrin e planetit.
Sistemi financiar ndërkombëtar
Tregjet financiare kanë qenë gjithmonë një element thelbësor për zhvillimin ekonomik, pasi lehtësojnë investimet dhe shpërndarjen e burimeve. Megjithatë, në shekullin XXI, shpërthimi i transaksioneve spekulative dhe mundësia për t’i lëvizur tejet lehtë kapitalet kanë krijuar një sistem tepër të ndërlikuar e të brishtë. Financat moderne shpesh ndjekin një logjikë vetëreferuese, të shkëputur nga ekonomia reale dhe nga nevojat e njerëzve. Proceset e risive dhe të çrregullimit të tregjeve financiare priren, në fakt, të konsolidohen vetëm në disa pjesë të globit.
Kjo asimetri globale e bën sistemin financiar një burim pasigurie për vendet më të dobëta, që preken nga krizat pa qenë pjesëmarrëse në përfitimet ekonomike. Prandaj, kërkohen rregulla e norma institucionale ndërkombëtare, për të siguruar transparencë, përgjegjësi dhe stabilitet, pa penguar konkurrencën. Ekonomia, pohon Doktrina Shoqërore e Kishës, duhet të jetë në shërbim të njeriut dhe jo e kundërta.
Roli i bashkësisë ndërkombëtare në ekonominë globale
Globalizimi e ka dobësuar rolin e shteteve në kontrollin e ekonomive kombëtare. Kapitalet lëvizin lirshëm, tregjet imponojnë kushtet e tyre dhe politikat kombëtare shpesh gjenden nën presionin e kërkesave për “besueshmëri financiare”. Në këtë kuadër, bashkësia ndërkombëtare, nënvizon magjisteri papnor e kishtar, duhet të marrë përsipër një rol më aktiv – jo vetëm si arbitër, por si institucion drejtues moral dhe politik i proceseve ekonomike.
Institucionet ndërkombëtare duhet të marrin mbi vete detyrën e mbrojtjes së të mirës së përbashkët globale, duke përfaqësuar interesat e vendeve të varfra në të njëjtën mënyrë me ato të fuqive të mëdha ekonomike. Vetëm përmes bashkëpunimit, politika mund të shtrijë veprimtarinë e vet përtej kufijve kombëtarë dhe të garantojë që ekonomia të ecë në shërbim të dinjitetit njerëzor. Kjo kërkon forcimin e institucioneve ndërkombëtare dhe krijimin e mekanizmave të rinj të drejtësisë ekonomike globale. Siç thoshte shën Gjon Pali II në enciklikën “Centesimus annus” (58): institucionet, “në vlerësimin e rrjedhojave të vendimeve të tyre, duhet t’i mbajnë gjithmonë parasysh si duhet ata popuj dhe vende, që kanë peshë të vogël në tregun ndërkombëtar, por kanë nevoja më të ngutshme”, prandaj, duhen mbështetur më shumë.
Një zhvillim tërësor dhe solidar
Qëllimi përfundimtar i ekonomisë duhet të jetë zhvillimi tërësor i çdo njeriu dhe i të gjithë njerëzve. Shpërndarja e barabartë e burimeve, solidariteti dhe përfshirja universale në fitimet ekonomike janë themelore për qëndrueshmërinë e ardhshme të botës. Në një kohë kur problemet shoqërore kanë përmasa globale, asnjë shtet nuk mund të veprojë i vetëm. Vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar dhe etikës së përgjegjësisë mund të kapërcehet kultura e individualizmit, që dominon sot.
Zhvillimi solidar i ndihmon edhe vetë vendet e pasura, të cilat përballen me humnerën shpirtërore, me humbjen e kuptimit të jetës edhe në mes të begatisë materiale. Kisha Katolike nuk ka qenë kurrë kundër krijimit të pasurisë, pasi ajo ka të bëjë me realizimin e personit dhe është arritje për të, por procesi i krijimit të pasurisë bëhet i dëmshëm kur shoqërohet me mënjanimin e më të dobëtve. Hendeku ndërmjet këtyre “dy botëve” (të pasurve e të varfërve) mbetet plagë morale dhe shoqërore, “si në shoqëritë e zhvilluara, ashtu edhe në shoqëritë jo të zhvilluara. Vërtet – shkruan gjithnjë Papa shenjt Gjon Pali II në enciklikën ‘Sollicitudo rei socialis’ (14) - ashtu siç ekzistojnë pabarazi shoqërore deri në nivelin e mjerimit në vendet e pasura, po ashtu, paralelisht, në vendet më pak të zhvilluara, shihen jo rrallë shprehje të egoizmit dhe të mburrjes për pasurinë e zotëruar, sa tronditëse aq edhe shkandulluese”.
Nevoja për një vepër të madhe edukative dhe kulturore
Ekonomia nuk është qëllim në vetvete, por mjet në shërbim të njeriut. Kur ajo absolutizohet, duke u reduktuar në prodhim dhe konsum, krijon një shoqëri materialiste, që e humbet orientimin etik dhe shpirtëror. Për këtë arsye, kërkohet një reformë kulturore dhe edukative globale: formimi i konsumatorëve të përgjegjshëm, rritja e ndjenjës së detyrës tek prodhuesit dhe etika në media e në komunikimin publik.
Kisha thekson nevojën për një ekonomi që vë në qendër njeriun; një ekonomi, që e mat suksesin jo me fitimin, por me dinjitetin, drejtësinë dhe solidaritetin që prodhon(Gjon Pali II, enc. “Centesimus annus”, 36).