Çelësi i fjalëve të Kishës: themeli dhe qëllimi i bashkësisë politike
R.SH. - Vatikan
Koncili II i Vatikanit, në Kushtetutën “Gaudium et spes” (25), nënvizon se “personi njerëzor është themeli dhe qëllimi i bashkëjetesës politike”. Javën e kaluar, duke vijuar ciklin kushtuar Doktrinës Shoqërore të Kishës, filluam reflektimin mbi bashkësinë politike, duke vënë në dukje disa aspekte biblike mbi të cilat bazohet impenjimi i të krishterëve në politikë. Bashkësia politike buron nga natyra e njeriut, ndërgjegjja e të cilit “zbulon dhe nxitet për të ndjekur” urdhrin e gdhendur nga Hyji në të gjitha krijesat e Veta, siç thekson Papa shenjt Gjoni XXIII në enciklikën “Pacem in terris” (258), i cili e përcakton këtë urdhër edhe në dokumente të tjera si “një rend etiko-fetar, i cili ndikon më shumë se çdo vlerë tjetër materiale mbi drejtimet dhe zgjidhjet, që duhet t’u jepen problemeve të jetës individuale dhe të shoqërisë brenda bashkësive kombëtare dhe në marrëdhëniet mes tyre” (Gjoni XXIII, enc. Mater et magistra, 450). Ky rend, që zbulohet dhe zhvillohet gradualisht nga njerëzimi, është në bazën e bashkësisë politike, që ka për qëllim realizimin më të plotë të secilës prej gjymtyrëve të saj, të cilat duhet të bashkëpunojnë për të mirën e përbashkët.
Koncepti i popullit
Bashkësia politike gjen në konceptin e popullit përmasën e vet autentike: ajo “është, dhe duhet të jetë në realitet, njësia organike dhe organizuese e një populli të vërtetë”, siç thoshte Papa Pio XII nga valët e Radio Vatikanit (Radiomesazhi i Krishtlindjes, 24 dhjetor 1944). Populli nuk është turmë e patrajtë, masë e palëvizshme, që manipulohet dhe instrumentalizohet, por tërësi njerëzish, secili prej të cilëve “në vendin dhe sipas mënyrës së vet” ka mundësinë të formojë një opinion të vetin mbi gjërat publike dhe ka lirinë për ta shprehur ndjeshmërinë e vet politike e për ta bërë atë të vlefshme për të mirën e përbashkët. Populli është tërësi personash të vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe bindjet e tyre, pra, ata mbeten individë autonomë në gjirin e një bashkësie politike.
Çështja e pakicave
Gjithsesi, populli karakterizohet nga bashkëndarja e jetës dhe e vlerave, në nivel shpirtëror dhe moral. Çdo populli i përgjigjet në përgjithësi një komb, por, për arsye të ndryshme, jo gjithmonë kufijtë kombëtarë përkojnë me ata etnikë. Lind kështu çështja e pakicave, që historikisht ka krijuar jo pak konflikte. Magjisteri papnor e kishtar pohon se pakicat përbëjnë grupe me të drejta dhe detyra të veçanta. Së pari, pakica gëzon të drejtën për të ekzistuar: “Kjo e drejtë - denonconte Papa shenjt Gjon Pali II në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 1989 (5) - mund të mos respektohet, deri në rastet e skajshme kur ajo mohohet nëpërmjet formave të dukshme a jo të genocidit”. Pakicat kanë të drejtë edhe ta ruajnë kulturën e tyre, përfshirë gjuhën, si edhe bindjet e tyre fetare, përfshirë kremtimin e kultit. Kisha është e vetëdijshme se në luftën për të drejtat e tyre, pakicat mund të kërkojnë autonomi më të madhe apo edhe pavarësinë: në këto rrethana delikate, mëson ajo, dialogu dhe marrëveshjet janë udha për të arritur paqen, pa përdorur në asnjë rast terrorizmin. Mësim i vyer sidomos në kohën e sotme, me luftërat dhe qëndrimet autoritare, që përshkojnë botën. Pakicat, vijon më tej Doktrina Shoqërore e Kishës, kanë edhe detyra; para së gjithash, bashkëveprimin për të mirën e përbashkët të shtetit ku ndodhen.
Mbrojtja dhe nxitja e të drejtave njerëzore
Pasi sqaron kështu konceptin e popullit, magjisteri papnor e kishtar, duke mbrojtur individin në gjirin e tij - pa e homologuar atë me çdo kusht me gjithë bashkësinë, pasi kjo do të ishte një lloj diktature - e konsideron themel dhe qëllim të bashkësisë politike, e cila duhet të punojë për njohjen dhe respektimin e dinjitetit të këtij individi përmes mbrojtjes dhe nxitjes së të drejtave themelore e të pamohueshme të njeriut. Papa shenjt Gjoni XXIII, në enciklikën Pacem in terris (273), shkruan: “Në epokën moderne, vënia në jetë e së mirës së përbashkët gjen specifikimin e vet bazë në të drejtat dhe detyrat e personit”. Në të drejtat njerëzore janë përmbledhur kërkesat kryesore morale dhe juridike, që duhet të çojnë në krijimin e bashkësisë politike. Ajo e ndjek të mirën kur vepron për krijimin e një ambienti njerëzor në të cilin shtetasve u jepet mundësia për ushtrimin e vërtetë të të drejtave njerëzore dhe për përmbushjen e plotë të detyrave përkatëse: “përvoja tregon se kur mungon veprimi i duhur i pushtetit publik, çekuilibrimet ekonomike, shoqërore dhe kulturore ndërmjet qenieve njerëzore priren të shtohen; si rrjedhim, të drejtat themelore të njeriut mund të mbeten pa përmbajtje e domethënie, duke vënë në rrezik edhe plotësimin e detyrave përkatëse” (Gjoni XXIII, enc. Pacem in terris, 274). Doktrina Shoqërore i kërkon bashkësisë politike të mos krijojë pozita privilegji, duke mbrojtur vetëm të drejtat e disave e duke ua bërë të pamundur të tjerëve ushtrimin e të drejtave të tyre.
Bashkëjetesa e bazuar në miqësinë civile
Domethënia e thellë e bashkëjetesës civile dhe politike nuk spikat menjëherë nga lista e të drejtave dhe e detyrave të personit. Kjo bashkëjetesë e fiton krejt domethënien e vet nëse bazohet në miqësinë civile dhe në vëllazërinë, siç vinte në dukje që shën Toma i Akuinit në kohën e vet (shih Sententiae Octavi Libri Ethicorum, lect. 1: Ed. Leon. 47, 443). E drejta të bën të respektosh interesin, të mirat materiale e rregullat, ndërsa miqësia nuk e sheh interesin, por bazohet në gatishmërinë për plotësimin e kërkesave të tjetrit. Po shën Toma i Akuinit shpjegonte se “Miqësia civile”, e kuptuar në këtë mënyrë, është zbatimi më autentik i parimit të vëllazërimit, i pandashëm nga ai i lirisë dhe i barazisë. Bëhet fjalë për një parim, që në pjesën më të madhe të tij, ka mbetur pa u vënë në jetë në shoqëritë politike moderne dhe bashkëkohore, sidomos për shkak të ndikimit të ushtruar nga ideologjitë individualiste dhe kolektiviste.
Një bashkësi është e qëndrueshme kur e drejta përcaktohet, respektohet dhe jetohet edhe sipas mënyrave të solidaritetit dhe të përkushtimit ndaj të afërmit. Njeriu është person, jo vetëm individ. Me termin “person” tregohet “një natyrë e pajisur me inteligjencë dhe vullnet të lirë” (Gjoni XXIII, enc. Pacem in terris, 259): është pra, një realitet shumë më i lartë se ai i një subjekti, që shprehet në nevojat e prodhuara thjesht nga përmasa materiale. Këshilla ungjillore e dashurisë i ndihmon të krishterët për të kuptuar domethënien më të thellë të bashkëjetesës politike. Vizioni i krishterë i shoqërisë politike i jep rëndësi maksimale vlerës së bashkësisë, si model organizativ i bashkëjetesës dhe si stil i jetës së përditshme.