Kërko

Parlamenti Europian në Strasburg Parlamenti Europian në Strasburg

Comece: të garantohet dinjiteti dhe drejtësia në botën e punës

Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian, në prag të votimit për një direktivë mbi punën që është programuar të mbahet në Strasburg më 20 janar, u bën thirrje eurodeputetëve që të rreshtohen në favor të një tranzicioni të drejtë që mbron dinjitetin. «Punëtorët të mos paguajnë pasojat e transformimit ekologjik dhe industrial», deklarojnë në një shënim ipeshkvijtë e Kishave evropiane.

R.SH. - Vatikan

Dinjiteti i punës, dialogu social dhe pjesëmarrja, mbrojtja e komuniteteve dhe e kapacitetit prodhues, rindërtimi i besimit përmes drejtësisë dhe solidaritetit: këto janë vlerat dhe hapat e nevojshëm për të arritur një tranzicion ekologjik dhe digjital të qëndrueshëm në botën e punës, duke garantuar krijimin e vendeve të reja të punës dhe duke rigjallëruar ekonomitë lokale. Ky është objektivi i përfshirë në direktivën që Parlamenti Evropian pritet të votojë të martën, më 20 janar

Këtë e mbështet Sekretariati i Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece), i cili në një dokument të titulluar "Një tranzicion i drejtë që mbron dinjitetin njerëzor, punën dhe komunitetet", pohon se «vetëm një tranzicion njerëzor gjithëpërfshirës dhe socialisht i drejtë» është në gjendje të «bashkojë Evropën dhe të garantojë një mbështetje të qëndrueshme për transformimin ekologjik të nevojshëm për të mirën e përbashkët».

Sfidat e tranzicionit të dyfishtë

Nisma legjislative që po shqyrtohet në Strasburg i kërkon Komisionit Evropian të propozojë një direktivë të re për të mbrojtur punëtorët në kuadër të tranzicioneve të gjelbra dhe digjitale. Qëllimi është ballafaqimi me sfidat dhe mundësitë e një ndryshimi të drejtë në vendin e punës, si dhe krijimi në BE i një kuadri masash strategjike për rajonet e prekura nga tranzicioni i dyfishtë. Nën shqyrtimin e Parlamentit janë edhe financime më të mëdha specifike nga Bashkimi Evropian për periudhën pas vitit 2027.

Ipeshkvijtë e Kishave Katolike të Evropës bëhen zëdhënës të punëtorëve të rajoneve industriale evropiane, të cilët janë të shqetësuar për pasojat e transformimit ekologjik: a do t'i lërë ai pas dore? A do të detyrohen fëmijët e tyre të braktisin rajonet e origjinës në kërkim të një pune dinjitoze? «Që tranzicioni ekologjik të jetë i suksesshëm — lexohet në tekstin e Komisionit të Episkopateve të Bashkimit Evropian (Comece) — ai duhet të përjetohet nga qytetarët jo si një kërcënim, por si një angazhim i përbashkët dhe plot shpresë. Ai duhet të formësohet së bashku me ata që preken nga ndryshimi, jo të imponohet».

Nga këndvështrimi i doktrinës sociale të Kishës Katolike, përgjegjësia ekologjike dhe drejtësia sociale janë të pandashme. Dhe prandaj «dinjiteti njerëzor, vlera e punës, solidariteti midis brezave dhe territoreve, si dhe kujdesi për të mirën e përbashkët, duhet të mbeten në qendër të përgjigjes së Evropës ndaj transformimit ekologjik dhe industrial».

Të mbrohen familjet

Frika është se ristrukturimet industriale ose, më keq akoma, mbylljet e papritura, njoftimet e minutës së fundit dhe planet e pamendueshme të pushimeve nga puna mund të dëmtojnë punëtorët, familjet dhe komunitete të tëra, veçanërisht në rajonet që tashmë përballen me sfida strukturore. Kërkesa e Konferencave Ipeshkvore të Evropës është që «të planifikohet ndryshimi para se ai të kthehet në krizë», duke përdorur maturinë dhe përgjegjshmërinë, e mbi të gjitha duke përfshirë në mënyrë domethënëse punëtorët në përcaktimin e të ardhmes së tyre profesionale, përfshirë trajnimin dhe rikualifikimin: masa këto të dobishme për të mos shkaktuar frikë, rezistencë, shpërbërje sociale dhe humbje ekonomike afatgjata. Edhe në këtë rast nevojitet dialogu midis autoriteteve publike, punëdhënësve, punonjësve dhe përfaqësuesve të tyre, sepse kur komunitetet përfshihen në parashikimin dhe menaxhimin e ndryshimit, «ka më shumë gjasa që reformat të kuptohen dhe të mbështeten».

Dinjiteti i punëtorëve

Për ipeshkvijtë, pra, Kontinenti i Vjetër duhet të ndjekë objektivat e tij klimatike duke garantuar në të njëjtën kohë dinjitetin e punëtorëve. Dhe është çështje përgjegjësie sociale «të mbështetet punësimi cilësor, të ruhen kompetencat në Evropë, të forcohen zinxhirët e vlerës dhe të shoqërohen rajonet dhe komunitetet që përballen me shndërrime strukturore». Një qasje kjo — vërehet në dokument — që «pasqyron vizionin e ekologjisë integrale të artikuluar në enciklikën Laudato si’, e cila kërkon tranzicione që nuk lënë askënd pas». Shndërrimi duhet të perceptohet si i drejtë dhe i besueshëm. Vetëm kështu mund të rilindë besimi i njerëzve te institucionet dhe te politikat e gjelbra. Veprimi për klimën, dinjiteti njerëzor, kohezioni social, qëndrueshmëria afatgjatë dhe një ekonomi e fortë mund të shkojnë paralelisht: «Një tranzicion i drejtë nuk është vetëm një sfidë teknike apo ekonomike, por edhe morale. Ai kërkon solidaritet midis brezave, territoreve dhe grupeve sociale, si dhe një vëmendje të veçantë ndaj atyre që janë më të ekspozuar ndaj ndryshimit».

Komisioni i Episkopateve të Kishave Katolike Bashkimit Evropian përfundon duke u bërë thirrje përgjegjësve politikë, të cilët janë thirrur të votojnë, që të vlerësojnë nëse «mbrojnë realisht dinjitetin e punës, forcojnë dialogun social, respektojnë subsidiaritetin dhe mbështesin ata që janë më të prekur nga ky shndërrim».

19 janar 2026, 10:53