Kërko

Groenlandë, famullitari i Nuuk: "Shtëpia jonë nuk është në shitje"

Në mes të tensioneve gjeopolitike, dëshmia për mediat e Vatikanit e priftit slloven Tomaž Majcen, i cili udhëheq komunitetin e vogël katolik në ishullin arktik: "Grenlandezët janë të lënduar sepse ekziston një vetëdije e fortë se zëra të fuqishëm e të largët flasin për tokën e tyre pa e njohur vërtet atë".

R.SH. - Vatikan

«Grenlanda është shtëpia jonë dhe ne duam të vendosim vetë për të ardhmen e saj». Një «vendosmëri e heshtur» përshkon rrugët e akullta të Nuuk-ut, i cili me 20.000 banorë është qyteti kryesor i Grenlandës. Ai që përshkruan për mediat e Vatikanit ndjenjën mbizotëruese mes banorëve të ishullit më të madh në botë është Atë Tomaž Majcen, meshtar slloven i urdhrit të vëllezërve minorë konventualë, i cili prej rreth dy vjetësh e gjysmë në Nuuk është famullitar i Kishës së Krishtit Mbret, e vetmja famulli katolike e ritit latin e pranishme në mbi 2 milionë kilometrat katrorë akull dhe tokë të Grenlandës.

Një popull me një histori dhe një kulturë

Toka periferike me vetëm 56.000 banorë, sot është bërë qendra e mosmarrëveshjeve gjeopolitike botërore për mineralet e rralla dhe burimet energjetike. «Atmosfera në Nuuk dukët e qetë, por përbrenda është intensive», tregon Atë Tomaž, i cili që kur pranoi ftesën e ipeshkvit të Kopenhagës në verën e vitit 2023 për të marrë kujdesin baritor të komunitetit katolik të ishullit arktik, ka mësuar t'i njohë banorët e tij: «Janë njerëz që priren të vëzhgojnë, të dëgjojnë dhe të reflektojnë thellë para se të flasin. Por muajt e fundit kam ndjerë një lloj shqetësimi në jetën e përditshme. Flitet për politikën globale më shumë se më parë: në dyqane, në tavolinat e kafeneve dhe madje edhe pas shërbimeve fetare».

Shumë njerëz, tregon rregulltari slloven Atë Tomaž, «ndihen më shumë të lënduar sesa të zemëruar» duke dëgjuar presidentin e SHBA-së, Donald Trump, i cili flet për Grenlandën «në terma të interesave strategjike ose pronësie». «Ata janë prekur në ndjenjën e dinjitetit — shpjegon ai — grenlandezët nuk duan të shihen si një “territor” apo si një “zgjidhje” për problemet e të tjerëve. Ata duan të shihen si një popull me një histori, një gjuhë, një kulturë dhe një fe». Frika, sipas aAë Tomaž, nuk është ndjenja mbizotëruese «por ekziston një vetëdije e fortë se zëra të fuqishëm, të largët, flasin për Grenlandën pa e njohur vërtet atë. Kjo krijon një ndjenjë vulnerabiliteti, por edhe uniteti».

Komuniteti katolik, i vogël por i gjallë

Ky unitet gjen ushqim dhe themel mes komuniteteve të besimtarëve. Rreth 90 për qind e grenlandezëve i përkasin Kishës ungjillore luterane, e rrënjosur në historinë dhe identitetin e popullit. «Katolikët janë vetëm një pakicë shumë e vogël; këtu në Nuuk janë rreth 500 katolikë, ndërsa në të gjithë Grenlandën janë rreth 800, me prejardhje nga kombe, gjuhë dhe background të ndryshme». Shumë prej tyre vijnë nga Filipinet dhe Evropa: «Famullia jonë është e vogël, por shumë e gjallë».

Kisha në Grenlandë, edhe pse numerikisht e paktë, sipas famullitarit të Nuuk-ut ka një rol të rëndësishëm për të kujtuar se «një tokë nuk është kurrë vetëm tokë. Ajo është gjithmonë e lidhur me njerëzit, me kujtimet, me paraardhësit dhe me brezat e ardhshëm». Çdo të diel, nga Kishat ungjillore luterane lartohen lutje për Mbretërinë e Danimarkës dhe për qeverinë autonome të Grenlandës. Iniciativa e kërkuar nga Paneeraq Siegstad Munk, peshkope e Grenlandës për Kishën ungjillore luterane, përfshihet në një kontekst gjeopolitik të paprecedentë.

«Kishat — këmbëngul Atë Tomaž — ofrojnë diçka të heshtur por të fuqishme: lutje, prani, dëgjim dhe themel moral. Kur flasim për krijimin si dhuratë të Zotit dhe për dinjitetin njerëzor, ne po themi tashmë diçka shumë të fortë kundër reduktimit të Grenlandës në një objekt strategjik. Grenlanda nuk duhet të shndërrohet në një tabelë shahu për interesa globale».

 

23 janar 2026, 15:33