Kërko

Imzot Iyad Twal kremton Meshën për Pagëzimin e Zotit Imzot Iyad Twal kremton Meshën për Pagëzimin e Zotit

Ipeshkvi Iyad Twal: Kisha jordaneze, urë dialogu e paqeje

Vikari Patriarkal i Jordanisë nënvizon rolin e rëndësishëm të katolikëve në Tokën Shenjte, të ngarkuar me hapjen e rrugës për unitetin e vërtetë e me tejkalimin e dallimeve fetare e kulturore. E u bën thirrje shtegtarëve të kthehen për t’i vizituar vendet e shenjta e për të kontribuar, me mbështetjen e tyre, në ndërtimin e rrugës drejt paqes.

R.SH. / Vatikan

Të krishterët në Lindjen e Mesme kanë për detyrë t'u tregojnë popujve të Tokës Shenjte se ekziston një mënyrë për të jetuar në paqe, duke njohur dinjitetin e secilit. E besimtarët e Jordanisë mund të jenë, në këtë kuptim,  shembull i bashkëjetesës dhe bashkëpunimit.

Vikari Patriarkal në Jordani, Imzot Iyad Twal, u takua me median e Vatikanit në fund të Meshës me rastin e shtegtimit në vendin e Pagëzimit të Zotit, al-Maghtas, në Kishën e madhe të përuruar vetëm një vit më parë në bregun lindor të lumit Jordan. Një vend, shpjegon ipeshkvi, që "forcon përshpirtërinë e këtij populli, duke përforcuar edhe identitetin e tij kombëtar". Një faqe, që të ndihmon "të ndjesh, të përjetosh dhe të zbulosh se si mund të jesh i krishterë në Tokën e Shenjtë, në vendin e fesë sonë, të dogmave tona".

Katolikët, nxitje drejt paqes

Katolikë nga mbarë vendi mbërritën me këtë rast, duke përfaqësuar pjesën më të madhe të Patriarkatit Latin të Jeruzalemit, që u shërben besimtarëve në katër vende: Izrael, Palestinë, Jordani dhe Qipro. Ata mund të jenë forca lëvizëse për paqen, thekson Twal, ndërsa Kisha vendase "punon për drejtësinë dhe paqen e drejtë për të gjithë, për Tokën Shenjte, për Jordaninë, për trojet palestineze, për Galilenë", duke besuar gjithmonë "në ndihmën e Zotit, sepse pa të nuk mund të bëjmë".

Thirrja për shtegtarët

Ajo që ndodhi dy vitet e fundit përtej lumit Jordan - lufta në Gaza -  ndikoi në të gjithë Lindjen e Mesme. Tani është koha për t'u angazhuar në dialog, thekson ai, sepse kushtet e lejojnë, ashtu siç na lejojnë t’u bëjmë thirrje shtegtarëve nga mbarë bota për t’u kthyer në Tokën Shenjte, për ta jetuar fenë, për të ndihmuar, me mbështetjen e tyre, në rritje, dhe për të ndërtuar rrugën drejt paqes. Detyrë që është edhe pjesë e misionit të Kishës së Jordanisë: "T’i mirëpresin vëllezërit, motrat e shtegtarët dhe, si të krishterë, ta jetojnë fenë e të jenë të devoçëm ndaj viseve shenjte".

Shembulli i Jordanisë

Rruga është e vështirë, famullitari nuk e fsheh, por është e shënuar qartë. Gjëja më e rëndësishme është të dimë se e dëshirojmë paqen që na nevojitet. Arritja e saj kërkon vullnet, duke përjashtuar dallimet, si "fetare ashtu edhe kulturore", duke u ndaluar tek larmia e natyrshme e secilit komb e duke u përqendruar vetëm në atë që "e bën tjetrin të ndryshëm", që nuk i respekton të tjerët e as dinjitetin e tyre e që nuk do të krijojë mundësinë për arritjen e paqes së dëshiruar. Jordania është shembull i bashkëjetesës paqësore, i mbështetur nga "një kulturë e fortë mikpritjeje dhe pranimi të anasjelltë, si dhe nga ndjenja e përkatësisë ndaj kombit dhe familjes Hashemite, e cila përcakton unitetin dhe identitetin".

Veprimi i Kishës jordaneze

Udha e bashkëjetesës dëshmohet, sidomos, nga të rinjtë e krishterë, nga shkollat ​​e famullitë, të cilat e mbajnë gjallë përmes edukimit, edhe nga veprimi i Kishës, e cila "është shumë e pasur në Jordani, sepse përveç latinëve, përfshin edhe maronitë, melkitë, katolikë sirianë dhe katolikë armenë. Kjo është shenjë e universalitetit dhe e angazhimit për të ndërtuar ura me të gjithë".

10 janar 2026, 11:03