Kërko

Apeli i Ipeshkvijve të SHBA-së për Haitin Apeli i Ipeshkvijve të SHBA-së për Haitin

Ipeshkvijtë amerikanë Trumpit: zgjatni statusin që mbron banorët e Haitit në Shtetet e Bashkuara

Ipeshkvijtë amerikanë i bënë thirrje qeverisë amerikane të mbrojë jetët e njerëzve dhe të respektojë ligjin. Konferenca ipeshkvnore shprehu shqetësim për heqjen e Statusit të Përkohshëm të Mbrojtur (TPS) për Haitin, më 3 shkurt, "meqenëse ky vend i Amerikës Qendrore nuk i plotëson më kërkesat për dhënien e tij".

R.Sh. Vatikan

Mbrojtja e jetës njerëzore, zbatimi i ligjit dhe sigurimi i një stabilitetit më të madh për njerëzit në këtë vend dhe gjetkë. Këto janë kërkesat që Konferenca ipeshkvnore e SHBA-së i bëri administratës Trump. Ipeshkvijtë shprehen të shqetësuar për heqjen e Statusit të Përkohshëm të Mbrojtjes (TPS) për Haitin, më 3 shkurt, gjoja se ky vend i Amerikës Qendrore nuk i plotëson më kërkesat për dhënien e tij. Në një deklaratë të nënshkruar nga ipeshkvi Brendan John Cahill i Victorias, Teksas, kryetar i Komitetit për Migracionin, dhe ipeshkvi Abdallah Elias Zaidan i Zojës sonë të Libanit të Los Anxhelosit të Maronitëve, kryetar i Komitetit për Drejtësi dhe Paqe Ndërkombëtare, thuhet se kjo çështje prek më shumë se 300,000 haitianë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, të cilëve shpejt do t’u hiqen statusi ligjor dhe e drejta e punës. "Tashpërtash nuk vërehet ndonjë mundësi e vërtetë që këta njerëz të kthehen në mënyrë të sigurtë dhe të rregullt në Haiti" – shkruajnë prelatët e lartë amerikanë, duke vënë në dukje se "kushtet aktuale janë pikërisht ato që justifikojnë dhënien e këtij statusi. Ne i bëjmë thirrje administratës të veprojë në përputhje me rrethanat duke ofruar këtë ndihmë jetësore". – vijojnë ipeshkvijtë e SHBA në kërkesën e tyre drejtuar qeverisë amerikane.

Dhuna dramatike

Haiti, vendi më i varfër në Amerikën Latine, po përjeton një nga faqet më të errëta në historinë e tij. Dje, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara kritikoi autoritetet vendore se nuk po bëhen përparime për tranzicionin politik dhe bëri thirrje për reforma të ngutshme në fushën e sigurisë, që të luftohet dhuna në rritje e bandave dhe grupeve kriminale. OKB-ja ka dënuar shkeljet dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, duke përfshirë dhunën seksuale ndaj grave, burrave dhe fëmijëve, si dhe trafikimin e qenieve njerëzore, kontrabandën e emigrantëve, vrasjet dhe rrëmbimin e të miturve nga bandat e armatosura.

Rreziqe vdekjeprurëse

E ashtuquajtura «këshilla për udhëtim» e Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Haitin është në nivelin 4, më i larti, për shkak të "rreziqeve vdekjeprurëse" në atë shtet. Këtu futet: rrëmbimi i njerëzve, veprimtaria terroriste dhe trazirat në qytet. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit po ndalon të gjitha fluturimet nga Shtetet e Bashkuara në Port-au-Prince [Port o Prëns], kryeqyteti i Haitit. Vendimi të cilin po kundërshtojnë ipeshkvijtë amerikanë është miratuar më 28 nëntorin e kaluar. Në atë kohë, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, vendosi se lejimi i qytetarëve haitianë  – ose i jo-qytetarëve që kanë banuar në Haiti – të qëndronin përkohësisht në Shtetet e Bashkuara, ishte kundër interesit kombëtar amerikan.

Solidaritet me vëllezërit dhe motrat tona haitiane

Në deklaratë, ipeshkvi Cahill dhe ipeshkvi Zaidan përsërisin nevojën që "Kongresi të krijojë mundësi kuptimplote për banorët afatgjatë me status të mbrojtur të përkohshëm, pavarësisht kombësisë që kanë,  në mënyrë që këta të paraqesin lutjen për leje qëndrimi më të përhershme". Episkopati amerikan pohon rishtas “solidaritetin me vëllezërit dhe motrat tona haitiane, kudo që të jenë”. – lexohet më tej në deklaratën e ipeshkvijve katolikë amerikanë.

30 janar 2026, 15:58