Kërko

Koordinimi i Tokës së Shenjtë për shtegtimin në Jerusalem 2026 Koordinimi i Tokës së Shenjtë për shtegtimin në Jerusalem 2026

Jeruzalemi, shtegtimi 2026 i Koordinimit të Tokës së Shenjtë

Deri më 22 janarin e ardhshëm, ipeshkvijtë e Konferencave ipeshkvnore të Zvicrës, Gjermanisë, Anglisë e Uellsit, Kanadasë, Danimarkës, Skocisë, Spanjës, Shteteve të Bashkuara, Finlandës, Francës, Irlandës, Islandës, Italisë, Norvegjisë dhe Suedisë do të jenë në Tokën Shenjte për të shprehur solidaritetin me bashkësitë e krishtera vendase dhe, më pas, për të raportuar në vendet e tyre përkatëse.

R.SH. / Vatikan

Nga e shtuna, 17 janar, e deri të enjten, 22, do të zhvillohet shtegtimi tradicional i Koordinimit të Tokës së Shenjtë në Jerusalem. Do të marrin pjesë ipeshkvijtë përfaqësues të Konferencave Ipeshkvnore të Zvicrës, Gjermanisë, Anglisë dhe Uellsit, Kanadasë, Danimarkës, Skocisë, Spanjës, Shteteve të Bashkuara, Finlandës, Francës, Irlandës, Islandës, Italisë, Norvegjisë dhe Suedisë. Kryeipeshkvi Nicolò Anselmi i Riminit do të marrë pjesë si përfaqësues i Konferencës Italiane të Ipeshkvijve (CEI).

Prelatët u takuan online me Patriarkun Latin të Jeruzalemit, Kardinalin Pierbattista Pizzaballa, Nuncin Apostolik në Izrael, Delegat Apostolik në Jerusalem dhe Palestinë, Kryeipeshkvin Adolfo Tito Yllane dhe famullitarin e Gazës, Atë Gabriel Romanelli, gjatë një takimi. Do të vizitojnë Motrat Comboni, prej kohësh të përfshira në komunitetet beduine, dhe do të kremtojnë Meshën e së Dielës me katolikët e Taybeh, duke e kaluar ditën me komunitetet Greko-Katolike dhe Greko-Ortodokse Melkite.

Impenjimi i Kishës për komunitetet lokale

Janë planifikuar edhe shkëmbime me Vikariatin e Shën Jakobit, Qendrën Rossing për Edukim dhe Dialog dhe Rabinët për të Drejtat e Njeriut, duke demonstruar angazhimin e Kishës Katolike për dialog dhe dinjitet njerëzor në një situatë të ndërlikuar. Planifikohet edhe vizita baritore në Seminarin Patriarkal Latin të Betlehemit, me temë "Tokë e Premtuar: takim e dialog me njerëz që sjellin shpresë". Seminari formon priftërinjtë dhe laikët e ardhshëm të kushtuar për t'i shërbyer Kishës lokale në një mjedis të brishtë. Ky takim është pjesë e një shtegtimi të vazhdueshëm solidariteti, duke pohuar se Kisha në Tokën Shenjte nuk është vetëm  Tokë e Premtuar, por mbetet vend ku ndërtohet dhe ndahet shpresa.

Vizita, takime dhe kohë lutjeje

Koordinimi i Tokës së Shenjtë mblidhet çdo vit për të shprehur afërsi, solidaritet dhe mbështetje shpirtërore e baritore për bashkësitë e krishtera që jetojnë në vendet ku jetoi Jezusi. Përmes vizitave, takimeve dhe kohëve të lutjes, ipeshkvijtë synojnë t'u kujtojnë të krishterëve vendas se nuk janë vetëm, të inkurajojnë shtegtimet dhe ta mbajnë të gjallë vëmendjen e Kishës universale në sfidat me të cilat përballet Toka e Shenjtë. Koordinimi i Tokës së Shenjtë është një grup ndërkombëtar ipeshkvijsh të cilët, në emër të Konferencave të tyre Ipeshkvnore, udhëtojnë çdo vit në Tokën Shenjte për të shprehur solidaritetin me bashkësitë e krishtera vendase, e më pas raportojnë në vendet e tyre përkatëse. Çdo vit shoqërohen nga priftërinj ekspertë dhe laikë.

Kisha Italiane ka treguar gjithnjë afërsi të thellë për Tokën Shenjte përmes vëllazërisë kishtare, projekteve të mbështetura nga taksat e taksapaguesit 8 për mijë dhe iniciativave të nxitura nga dioqezat dhe famullitë. "Do t’i çoj përsëri në Rimini, në dioqezën tonë dhe në Kishën italiane zërat, përvojat dhe lutjet e dëgjuara gjatë këtyre ditëve", pohoi Imzot Anselmi, i cili do të përgatisë raportin për Asamblenë e Përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore Italiane.

19 janar 2026, 12:19