Kërko

Romë, Bazilika e Shën Pjetrit dhe Sinagoga Romë, Bazilika e Shën Pjetrit dhe Sinagoga

Kard. Pizzaballa: të shndërrohet dialogu kristiano-hebraik e të përshtatet me shoqërinë

Marrëdhënia ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve duhet të kalojë nga takimi ndërmjet elitave - në dialog ndërmjet bashkësive. Kjo është bindja e Patriarkut Latin të Jeruzalemit të latinëve që, në prag të Ditës për dialogun ndërmjet dy besimeve, më 17 janar, bën thirrje për përtëritjen e marrëdhënieve.

R.SH. / Vatikan

Gjashtëdhjetë vjet pas shpalljes së deklaratës konciliare Nostra Aetate, dhe në dritën e dy viteve të vështira të fundit të konfliktit në Tokën Shenjte, ndjehet fort nevoja e përtëritjes së marrëdhënieve ndërmjet hebrenjve dhe të krishterëve, me shikimin e ngulur në të ardhmen. Është plotësisht i sigurt për këtë Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, në pragun e Ditës së 37-të për thellimin dhe zhvillimin e dialogut ndërmjet katolikëve dhe hebrenjve, që do të mbahet të shtunën, më 17 janar, me temë "Në ty do të quhen të bekuara të gjitha familjet e Tokës”.

Të kalohet nga niveli elitar, në atë të bashkësisë

"Ne duhet të identifikojmë mënyra për të ndërtuar e për të zhvilluar marrëdhënie për të mirën e komuniteteve tona", thekson Kardinali, duke shtuar: "Nëse deri tani jemi shprehur në nivelin e dialogut ndërmjet elitave, tani është koha që kjo të ndodhë ndëmjet komuniteteve". Patriarku  i Jerusalemit të latinëve kar. Pizzaballa është specialist i shkrimeve të filozofit hebraik Abraham Heschel, i cili bashkëpunoi në deklaratën Nostra Aetate, e cila është një nga dokumentet e Koncilit Ekumenik të Vatikanit I, që ka transformuar qasjen katolike ndaj besimeve të tjera, duke u bërë teksti themeltar i dialogut ndërfetar dhe duke hedhur poshtë antisemitizmin.

"Heschel"- shpjegon kard. Pizzaballa - në vitet 1960 shkroi një artikull të rëndësishëm, titulluar “Asnjë Fe nuk është ishull'". Kjo deklaratë u bë shumë e njohur dhe tregon se si, edhe atëherë, autori ishte i vetëdijshëm se asnjë fe nuk mund ta kufizojë dinamikën e saj, ta mbyllë a ta jetojë ekskluzivisht brenda vetes". Kard. Pizzaballa përfundon duke theksuar se rritja përcaktohet edhe nga niveli i hapjes ndaj të tjerëve, nga aftësia për t'u lidhur me të tjerët. Kjo nuk do të thotë se, në këtë mënyrë, identiteti vetjak errësohet; përkundrazi, forcohet përmes takimeve me të tjerët. Kjo duhet të jetë shumë e qartë, e sot po bëhet gjithnjë më e dukshme dhe më e nevojshme.

17 janar 2026, 09:45