Paqja në Evropë, një konferencë në Luksemburg reflekton mbi rolin e vlerave katolike
R.SH. - Vatikan
A mund të kontribuojë mendimi shoqëror katolik dhe vlerat universale në promovimin dhe ndërtimin e paqes në kontinentin e vjetër? Mbi këtë temë do të reflektojë konferenca ndërkombëtare “Ndërtimi i paqes në Evropë: cili është roli i mendimit shoqëror katolik dhe vlerave universale?”, e planifikuar të mbahet në Luksemburg të premten, më 23 janar 2026, nga ora 9:00 deri në 17:00.
Simpoziumi organizohet nga Fondacioni "Centesimus Annus Pro-Pontefice", nga COMECE (Komisioni i Konferencave Ipeshkvore të Bashkimit Evropian) dhe nga Shkolla e Fesë dhe Shoqërisë në Luksemburg (Luxembourg School of Religion and Society (LSRS)).
Fokus mbi rindërtimin e Ukrainës
Punimet e simpoziumit do t'i kushtohen çështjes së "peacebuilding" (ndërtimit të paqes), i kuptuar si një proces gjithëpërfshirës dhe i integruar që përfshin të gjitha përmasat politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe relacionale që marrin pjesë në ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme. Megjithëse konferenca ka karakter ndërkombëtar, një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet dimensionit evropian. Konferenca do të jetë e strukturuar në disa sesione tematike, secila e dedikuar një aspekti specifik të ndërtimit të paqes: nga promovimi i dialogut dhe diplomacisë, deri te rindërtimi material dhe social i shoqërive pas konfliktit, me fokus të veçantë mbi rindërtimin e Ukrainës.
Temat e konferencës
Një vëmendje e veçantë do t'i kushtohet gjithashtu edhe kalimit nga një ekonomi lufte në një ekonomi të orientuar drejt paqes, duke analizuar se si politikat ekonomike dhe instrumentet financiare mund të mbështesin rimëkëmbjen, qëndrueshmërinë dhe stabilitetin afatgjatë. Sesionet do të trajtojnë edhe sfidën e pabarazive sociale, duke njohur rolin e tyre si faktorë konflikti dhe si pengesa për një paqe të qëndrueshme, për të arritur në përcaktimin e shtigjeve që çojnë drejt një drejtësie sociale dhe gjithëpërfshirjeje më të madhe.
Diskutimet do të reflektojnë gjithashtu edhe mbi rolin e integrimit evropian si një projekt ndërtimi paqeje (peacebuilding) në vetvete, duke konsideruar se si zgjerimi, bashkëpunimi dhe vlerat e përbashkëta mund të kontribuojnë në pajtimin, ndërtimin e besimit dhe forcimin e institucioneve demokratike në mbarë kontinentin.
Konferenca do të mbledhë zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, përfaqësues të kishave të krishtera, anëtarë të Parlamentit Evropian, ekspertë akademikë, konsulentë politikë që përfaqësojnë një gamë të gjerë palësh të interesit (stakeholders), përfaqësues të sindikatave të punëtorëve, ekonomistë dhe drejtues sipërmarrjesh. Eventi do të përfshijë gjithashtu video mesazhe nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, si dhe nga përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të institucioneve të BE-së.
Regjistrimet dhe pjesëmarrja online
Konferenca do të mbahet në selinë e Shkollës së Fesë dhe Shoqërisë në Luksemburg (LSRS), Centre Jean XXIII, 52, rue Jules Wilhelm, L-2728 Luksemburg. Në orën 8:00 do të kremtohet një Meshë, ndërsa konferenca do të fillojë në orën 9:00. Konferenca do të zhvillohet në gjuhën angleze dhe frënge.
Pjesëmarrja do të jetë e mundur edhe online, pasi aktiviteti do të transmetohet drejtpërdrejt (live streaming). Informacionet mbi transmetimin do të komunikohen pas regjistrimit. Regjistrimi është i detyrueshëm dhe mund të bëhet në adresën: https://www.lsrs.lu/fr/news/centesimus-annus-pro-pontifice-foundation-european-conference-2
Programi i plotë i kongresit mund të konsultohet në: www.centesimusannus.org