Kërko

2019.01.14 Koncili Kuvendi i Arberit 1703  Concilium Provinciale sive Nationale Albanum Habitum Anno MDCCIII

Përkujtojmë sot Kuvendin e Arbërit, Mërqinjë, 14-15 janar 1703

Në Kuvendin kishtar tё Arbërit, mbajtur në janar të vitit 1703, episkopati shqiptar, në njërën anë analizoi aspektet e brendshme kishtare: administrimin e Sakramenteve, lirinë fetare e të kultit, reformën e zakoneve e tjera, dhe në anën tjetër, gjendjen e popullsisë në realitetin shoqëror nën sundimin otoman me të gjitha problemet e rënda që përjetonte çdo ditë

R.SH. / Vatikan

Mërqinja e Lezhës është një fshat në veri të këtij qyteti. Në një shpat mali, nga ana e djathtë, kur udhëton drejt Shkodrës, shihet një Kishë e vetmuar, kushtuar Shën Gjon Pagëzuesit, kryepre. Kjo ishte, në kohën e sundimit osman kur u mbajt Kuvendi i Arbërit, selia e ipeshkvit të Lezhës, imzot Nikollë Vladanjit, ashtu sikurse Rrjolli ishte selia e ipeshkvijve të Shkodrës.

Më 14 dhe 15 janar të vitit 1703, në Mërqi, u mbajt Kuvendi i Arbenit, një mbledhje madhe e të gjithë prelatëve katolikë që gjendeshin në vend, nën udhëheqjen e imzot Vincenc Zmajeviqit, delegat apostolik i dërguar posaçërisht në Arbëri nga Papa Klementi XI.

Mbas rënies të Shqipërisë nën sundimin osman edhe jeta e Kishës katolike u përshkua ndër shumë vështirësi. Kështu, në vitin 1629 caktohet si ipeshkëv i Lezhës, imzot Benedetto Orsini, nga Dubrovniku. Në relacionet që i dërgon Propagadës Fide në Romë, në vitet 1630-1640, ai shpreh çudinë e vet kur thotë se në dioqezën që drejton ka fshatra që nuk kanë parë ipeshkëv me sy tash 60 vjet dhe të gjithë banorët i përqafojnë dhe kërkojnë me ngulm Sakramentet e Shenjta.

Edhe më vonë, përgjatë këtij shekulli, problemet me të cilat ndeshte Kisha Katolike ishin nga më të ndryshmet. Plagë si mungesa e sakramenteve, konkubinati, divorci, marrja peng e vajzave të reja ngaqë familjet nuk ishin në gjendje t’i shlyenin haraçin sundimtarëve turq, gjakmarrja, marrja peng e meshtarëve në mënyrë që të kërkohej shpagim për ta, gjendja e mjeruar ekonomike dhe rrënimi i shumë Kishave, e detyruan Selinë e Shenjtë, me interesimin e drejtëpërdrejtë të Papës Klementit XI, të mbante një Kuvend a Sinod ku të përcaktoheshin rregullat dhe të pohohej tagri i Kishës dhe i ipeshkvijve. Ky qe Kuvendi i Arbërit.

Ndër të gjitha shkeljet që u përmenden aty dhe për të cilat morën vendime, veçojmë sakramentin e pagëzimit. Për delegatët apostolikë si imzot Marin Bici, arqipeshkëv i Tivarit, i cili e kishte vizituar Arbërinë në vitin 1610, ashtu edhe për Imzot Shtjefën Gasprin e në fund për imzot Zmajeviqin, ishte tepër e çuditshme sesi edhe shqiptarët myslimanë, ndonëse kishin shekuj nën sundimin osman, kërkonin me ngulm nga famullitarët që t’u pagëzonin fëmijët, me mendimin se Sakramenti i pagëzimit largonte sëmundjet e po ashtu i mbronte të vegjëlit nga kafshimi i gjarpërinjve ose nga ujku! Kështu, në vitin 1610, në Tivar, imzot Marin Bicin gati e vranë ngaqë nuk pranoi të pagëzonte një fëmijë mysliman për arsyet e mësipërme.

Ashtu si shumë kapituj të tjerë që lidhen me çështjet e lartpërmendura, edhe Sakramenti i pagëzimit gjeti hapësirë në botimin e vendimeve të Kuvendit të Arbërit.

Ishte vetë Imzot Zmajeviqi ai që hartoi veprën përfundimtare të punimeve të Kuvendit të Arbenit, dhe madje u mor me përkthimin e saj duke ia besuar këtë çështje një misionari françeskan, gjë që na flet shumë për këtë prelat. Kështu pohon Atë Vincenc Malaj, françeskan shqiptar nga Mali i Zi, një ndër studiuesit kryesorë që është marrë me këtë ngjarje historike të Kishës katolike në Shqipëri.

Në fazën përgatitore të punimeve të Kuvendit, bie në sy se Selia e Shenjtë, sa herë bëhej fjalë për Arbërinë, gjatë sundimit osman, dërgonte atje prelatë që ishin me origjinë shqiptare si imzot Marin Bici; ose thjesht shqiptarë, si imzot Shtjefën Gaspri ose me lidhje të forta me Shqipërinë si imzot Vinçenc Zmajeviqi, nga Perasti, në Mal të Zi. Familja e këtij, me mbiemrin Drago në Kotorr, dhe në Perast me mbiemrin e sllavizuar Zmajeviq, ka pasur gjithnjë lidhje të shumëfishta me Arbërinë. Kështu, anëtarë të familjes Drago të Kotorrit i gjejmë në Vlorë, si doganierë qysh në shekullin XIII-XIV. Këtë lidhje shpirtërore me Shqipërinë ai e dëshmoi edhe me vepra.

Kështu, më vonë, kur u bë arqipeshkëv i Tivarit, imzot Zmajeviqi i ndihmoi shumë arbërit e Briskut, Ljarjes dhe Shestanit të largoheshin në vitin 1729 drejt territoreve të Venedikut, në Arbanas, në Zarë, ku gjenden ende sot e kësaj dite.

Kuvendi i Mërqinjës vendosi rregull në Kishën katolike në Shqipëri e në trevat shqiptare dhe shpëtoi nga asgjësimi jo vetëm prelatët dhe klerin në përgjithësi por edhe besimtarët. Në të njëjtën kohë nxiti edhe botimet me karakter fetar në gjuhën shqipe që ndikuan në përhapjen e gjuhës sonë deri kur u shpall pavarësia në 1912.

14 janar 2026, 16:59