Kërko

2020.01.17 La chiamata dei primi discepoli di Gesu

Të meditojmë me Ungjillin e dielës së tretë gjatë vitit 'A': “do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”

Misioni yt, o Jezu Krisht, fillon/nga periferitë e historisë, /nga ajo Galile, që pa çdo të mirë e çdo të keqe: /tokë tranziti e konflikti, /…To, o Jezus, Ti merr fjalën për të shpallur/një epokë të re/ ngushëllimi e shprese. / Veçse u kërkon nga dishepujt të jenë gati/për të pranuar një plan të ri, Mbretërinë e Zotit, /dhe për t’ia kushtuar realizimit të tij/të gjitha energjitë/e mendjes e të zemrës, gjithë vullnetin…

R.SH. – Vatikan

Në Ungjillin sipas Mateut të së dielës III gjatë vitit kishtar tregohet se Jezusi shkoi në Kafarnaum, që të përmbushej ç’kishte thënë profeti Isaia. Shën Mateu ungjilltar, në kreun e katërt, duke marrë një imazh nga libri i Isaisë profet, na thotë ç’është Jezu Krishti për ne: dritë. Ndër vështirësitë e jetës, na arrin një fjalë e mirë: mos shihni vetëm errësirë, shikoni edhe dritën me të cilën Hyji na e shndrit jetën, sepse na ka dërguar Birin e Tij për të ndarë me ne mundimet e për t’i bërë dishepujt e vet “peshkatarë njerëzish”. Të ndjekim pjesën  e Ungjillit:

Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit,  që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet: “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit,  Galileja pagane,  populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.” Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!  Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish! Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij. Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Të lutemi së bashku

 

Misioni yt, o Jezu Krisht, fillon

nga periferitë e historisë,

nga ajo Galile, që pa çdo të mirë e çdo të keqe:

tokë tranziti e konflikti,

tokë migracionesh e përzierje racash.

Pikërisht aty, në atë rajon të torturuar

Ti merr fjalën për të shpallur

një epokë të re

ngushëllimi e shprese.

 

Sjell një Ungjill, një lajm të mirë,

për të gjithë ata, që jetojnë

të dëshpëruar e të humbur,

nën kupolën e rëndë të shtypjes,

të poshtëruar, të robëruar e pa të ardhme.

 

Nuk kufizohesh me fjalë,

por i shkëput nga pushteti i së keqes,

nga sëmundja, nga vuajtjet e dhimbshme, nga mëkati.

Veçse u kërkon të jenë gati

për të pranuar një plan të ri, Mbretërinë e Zotit,

dhe për t’ia kushtuar realizimit të tij

të gjitha energjitë

e mendjes e të zemrës, gjithë vullnetin.

 

Vërtet, përmes Teje, Hyji bëhet i pranishëm

e vepron për të na çliruar e për të na shpëtuar.

Kush nuk kënaqet me të tashmen,

kush vazhdon të besojë në premtimet

që na bënë profetët,

kush lëshohet në dorën e Atij, që qysh në fillim,

e mori për zemër fatin e të mjerëve,

mund të ta besojë jetën e vet,

i vetëdijshëm se e ka vendosur në duar të sigurta.

Vërtet, o Jezus, duart e tua

janë plot me dhembshuri e mëshirë.

24 janar 2026, 17:11