Kërko

2023.01.12 Agnello di Dio

Të meditojmë me Ungjillin e dielës së dytë gjatë vitit 'A': "Ja Qengji i Hyjit, që shlyen mëkatet

O Zot Jezu Krisht, Gjon Pagëzuesi/sheh në Ty Qengjin,/që i pafajshëm e i bindur,/vjen të marrë mbi vete/mëkatin e botës./.. O Zot Jezu Krisht, Gjon Pagëzuesi/jep dëshmi për Ty/ e rrëfen se Ti je Biri i Hyjit.

R.SH. - Vatikan

Në të diele, të dytën gjatë vitit liturgjik (A), Ungjilli sipas Gjonit, në kreun e tij të parë (29-34), na përgatit për fatin e Jezu Krishtit. Shën Gjon Pagëzuesi thotë për të: “Ja Qingji i Hyjit, që shlyen mëkatet e botës”. Ky është Zoti, që e lejon ligësinë e njeriut t’i bëjë keq edhe Atij vetë, por njëkohësisht, ndien edhe dhembshuri për vuajtjet e kësaj bote. Fjalët e Shën Gjon Pagëzuesit, që e kumtojnë Jezusin si “Qengjin e Hyjit, që shlyen mëkatin e botës!” janë vendimtare për fenë tonë të krishterë dhe për misionin e Kishës, sepse në çdo kohë, ajo është e thirrur të bëjë si Gjon Pagëzuesi, duke ua treguar Jezusin njerëzve e duke u thënë se Ai është i vetmi Shëlbues, pasi pagëzon me Shpirtin Shenjt. Të ndjekim pjesën ungjillore?

29 Të nesërmen Gjoni e pa Jezusin duke ardhur kah ai e tha: ‘Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës!’… 32 Gjoni dëshmoi edhe: ‘E pashë Shpirtin Shenjt kah zbriti prej qiellit porsi pëllumb dhe zuri vend mbi të. 33 Unë nuk e njihja atë, porse Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, Ai edhe më tha: ‘Në atë që të shohësh se zbret Shpirti Shenjt dhe zë vend në të, ai është që pagëzon me Shpirtin Shenjt.’ 34 Unë e pashë dhe dëshmoj: Ky është Biri i Hyjit”.

Të lutemi së bashku:

 

O Zot Jezu Krisht, Gjon Pagëzuesi

sheh në Ty Qengjin,

që i pafajshëm e i bindur,

vjen të marrë mbi vete

mëkatin e botës.

Ne e dimë: këto fjalë

do të bëhen realitet kur

Ti do ta pranosh furinë

e dhunës dhe të keqdashjes

e do të japësh jetën që

t’i vihet fre një herë e përgjithmonë

pushtetit të së keqes e të vdekjes.

 

O Zot Jezu Krisht, Gjon Pagëzuesi

pohon se Ti vjen tek ne

me forcën e Shpirtit Shenjt.

Ne e dimë: mbaroi pritja,

tani Zoti vepron përmes Teje

dhe e shndërron jetën e njerëzve.

Ti jep zemër e ngushëllon, shëron e çliron

që njerëzit të rigjejnë

shpresën e gëzimin.

Ti kumton një Ungjill, një Lajm të Mirë,

i destinuar të sjellë dritë e paqe.

 

O Zot Jezu Krisht, Gjon Pagëzuesi

jep dëshmi për Ty

e rrëfen se Ti je Biri i Hyjit.

Jo një profet i çfarëdoshëm,

jo vetëm njeri i Zotit,

por dikush, që është i lidhur

në mënyrë unike e të thellë

me Atin Qiellor, me misterin e Tij të dashurisë,

je Ti i vetmi, që mund t’i zbulosh botës

fytyrën e Zotit dhe planin hyjnor të shëlbimit.

17 janar 2026, 09:38