Kërko

Njerëzit presin në një stacion autobusi, në Caracas Njerëzit presin në një stacion autobusi, në Caracas

Venezuelë, kryetari i ipeshkvijve: "të nevojshme toleranca, pajtimi dhe falja"

Në një moment vështirësie të skajshme, në të cilin kombi i Amerikës Latine po përpiqet të gjejë ekuilibër dhe stabilitet, Imzot Jesús Andoni González de Zárate Salas, kryeipeshkvi metropolit i Valencias në Venezuelë dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvore të vendit, tregon se si "Kisha lokale po përpiqet të jetë një vend takimi për të gjithë dhe të shoqërojë vazhdimisht popullsinë në luftën e saj për triumfin e së mirës, së vërtetës dhe drejtësisë".

R.SH. - Vatikan

«Puna jonë, në këtë kuptim, është e përditshme». Kuptimi të cilit i referohet Imzot Jesús Andoni González de Zárate Salas është ai i promovimit të dialogut dhe paqes. Një veprim aspak i rëndomtë në një komb ku, pas arrestimit të Maduros, konteksti është ende në fazë përcaktimi. Nevoja për respekt reciprok dhe tolerancë, ftesa për falje dhe pajtim janë tema konstante në predikim, katekizëm dhe angazhimin edukativ kishtar si një formë përgjigjeje, që buron nga Ungjilli, ndaj polarizimit politik që ka ndikuar në jetën e venezuelanëve në dekadat e fundit.

Takimi dhe dialogu

«Kisha lokale — pohon imzot González de Zárate Salas në një bisedë me mediat e Vatikanit — përpiqet të jetë një vend takimi për të gjithë dhe të shoqërojë vazhdimisht popullsinë në luftën e saj për triumfin e së mirës, së vërtetës dhe drejtësisë». Ipeshkvijtë e Venezuelës, pikërisht në këtë moment vështirësie të madhe, janë plotësisht të vetëdijshëm për rolin e tyre themelor si udhëheqës, deri në atë pikë sa po mendojnë për iniciativa të reja «të cilat do të vendosen dhe zhvillohen vetëm pasi të vëzhgohet se si do të zhvillohet dinamika kombëtare».

Rrugët e paqes

Rrugët për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të lirë, Imzot González de Zárate i identifikon te «primati i dinjitetit të personit, i së mirës së përbashkët dhe i vlerave të mëdha ungjillore». Por edhe në praktikimin e solidaritetit sepse «kushtet e tanishme dhe komplekse sociale e ekonomike të kombit tonë janë rezultat i një procesi që është zhvilluar vitet e fundit. Pasiguria, mangësitë në arsim, shëndetësi dhe transport, pasiguria e pagave, inflacioni konstant, mungesa e prodhimit vendas janë faktorë që ndikojnë ndjeshëm në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të popullsisë dhe përbëjnë sot shqetësimin e saj kryesor, madje edhe përtej politikës».

Ndjenja kontradiktore

Zemra e popullit venezuelan, në pjesën më të madhe e përbërë nga besimtarë katolikë, është e ndarë nga ndjenja kontradiktore. «Mund të thuhet – hyn në detaje kryeipeshkvi – se në të bashkëjetojnë shqetësimet për pasojat konkrete të asaj që ka ndodhur dhe shpresat për një përmirësim të shpejtë dhe të qëndrueshëm». Shenjë hapjeje dhe pajtimi ishte njoftimi nga autoritetet i një numri të konsiderueshëm lirimesh nga burgu: «Sigurisht që është një lajm i mirë. Megjithatë, kjo ka krijuar shqetësim të madh te familjarët e të burgosurve sepse nuk janë dhënë informacione të sakta se kush do të përfitojë nga këto masa dhe cili do të jetë përfshirja e tyre reale. Për më tepër, procesi i lirimit është shumë i ngadaltë. Familjarët e të burgosurve vazhdojnë të presin lirime të tjera: ata kalojnë madje edhe natën para portave të burgjeve duke pritur që kjo të ndodhë. Kërkesa e përgjithshme e popullsisë është lirimi i të gjithë të burgosurve politikë, ashtu si edhe ne ipeshkvijtë kemi bërë thirrje vazhdimisht».

Zoja Mari e shpresës

Ajo që i dha shpresë të vërtetë një populli që ndihet i dërrmuar ishte, më 14 janarin e kaluar, kremtimi i festës së Zojës Mari e njohur në Venezuelë me emërtimin Baresha Hyjnore, që tradicionalisht zhvillohet në dioqezën e Barquisimeto-s, por që përfshin gjithë Venezuelën. Në procesionin e ikonës së Virgjërës Mari, më popullore në të gjithë vendin, kujton imzot González de Zárate, pjesëmarrja e besimtarëve ishte masive, pavarësisht se klima aktuale social-politike është ende në fazë stabilizimi: «Dhe kjo përfaqëson një shprehje të qartë të burimit shpirtëror të popullit venezuelan dhe se si në momente të vështira, si këto që po jetojmë, Zoti ynë Jezu Krisht dhe Nëna e Tij, Virgjëra e Shenjtë, vazhdojnë të jenë pika referimi, ngushëllimi dhe force për të gjithë ne».

20 janar 2026, 16:22