Kërko

2025.11.20 Due bambini coinvolti nel progetto Scuola e Alimentazione

Venezuelë, mesazhi i ipeshkvijve: shkolla të jetë vend i paqes dhe drejtësisë

Presidenti i Komisionit të Konferencës Episkopale të Venezuelës për Arsimin, imzot Curiel Herrera, me rastin e rinisjes së vitit shkollor, u bën thirrje të gjithë fëmijëve, adoleshentëve, të rinjve dhe anëtarëve të tjerë të komuniteteve edukative që të përdorin mjetet e studimit dhe të nxënies për ndërtimin e harmonisë në vend.

R.SH. / Vatikan

“Me rinisjen e rrugëtimit drejt qendrave tona në këtë vit të ri civil, Komisioni ynë dëshiron të dërgojë një përshëndetje plot shpresë për çdo mësues, çdo nxënës, çdo familje dhe çdo anëtar që përbën komunitetin tonë kombëtar arsimor. Bashkohemi me dëshirën që arsimi të jetë hapësira ku konsolidohen paqja dhe drejtësia, duke pranuar se, pavarësisht vështirësive, hapësira arsimore vazhdon të jetë vendi më i shenjtë për të mbjellë farën e fesë, angazhimin me vlerat e drejtësisë dhe lirinë që orienton ekzistencën tonë”: kështu shkruan imzot Carlos Enrique Curiel Herrera, ipeshkëv i Carora-s dhe president i Komisionit për Arsimin i Konferencës Episkopale të Venezuelës, me rastin e hapjes së vitit të ri shkollor, që përkon me momentin delikat që po kalon vendi i Amerikës Latine.

Mesazh shprese

Duke iu drejtuar nxënësve dhe mësuesve, imzot Herrera uroi që Zoti t’i shoqërojë “në çdo hap që do të bëni, që drita e Tij e shfaqur në festën e Epifanisë sapo të kremtuar të shkëlqejë në zemrat tuaja dhe që gëzimi i takimit të përtërijë forcat tuaja për të shërbyer me besnikëri ungjillore. I kërkojmë Shën José Gregorio Hernández – vijon shënimi i ipeshkvit venezuelan – që të na dhurojë urtësinë dhe përvujtërinë e tij për të shërbyer, dhe Shenjtës Nënë Carmen Rendiles Martínez që të na mësojë të edukojmë me atë butësi që transformon jetët”.

Ftesa për të ndërtuar paqen

Nga këtu buron edhe ftesa për të gjithë fëmijët, adoleshentët, të rinjtë dhe anëtarët e tjerë të komuniteteve edukative që “të paraqesin mjetet e tyre të studimit dhe të nxënies si instrumente për ndërtimin e paqes në vend”. Momenti i fillimit të vitit shkollor “le të jetë një mundësi për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të dalluar e pranuar vullnetin e Zotit, për të kërkuar pajtimin dhe paqen e Venezuelës, dhe për të përtërirë angazhimin tonë për t'i mbajtur shkollat tona si hapësira të sigurta të ndërtimit të qytetarisë, demokracisë, drejtësisë dhe paqes”.

12 janar 2026, 15:19