Bullgaria: mbrëmje përkujtimore për viktimat e komunizmit. Atë Cortesi: “Qëllimi ishte zhdukja e plotë e katolikëve”
R.SH. / Vatikan
Më 1 shkurt, në KonKatedralen katolike Shën Jozefi në Sofje, Bullgari, u zhvillua një takim përkujtimor për viktimat e komunizmit, kushtuar “Shtypjeve kundër besimeve fetare”. Mes të pranishmëve ishin imzot Christo Proykov, ipeshkëv nderi i Eparkisë së Shën Gjonit XXIII, ipeshkvi ortodoks Tihon, disa priftërinj dhe rregulltarë katolikë, si dhe Hairi Emin nga zyra e Myftiut të Madh.
“Kujtesa është e domosdoshme, sepse nuk mund të bëjmë ndryshe, dhe edukimi e lutja janë një shpëtim”, tha Tony Nikolov, kryeredaktor i revistës “Krishterimi dhe kultura”. Ai shprehu keqardhjen që deri më sot asnjë prift ortodoks, viktimë e regjimit komunist, nuk është kanonizuar dhe kujtoi qindra ortodoksë, katolikë, protestantë dhe myslimanë të përndjekur për shkak të fesë.
Prof. Metodiev vuri në dukje se gjatë komunizmit mbi 400 priftërinj ortodoksë humbën jetën ose u bënë objekt i represioneve. Në vitin 1948 hyri në fuqi ligji i ri që ndaloi çdo veprimtari shoqërore ose me të rinjtë. Sipas tij, “veprimi i shtetit kishte për qëllim ta vinte Kishën nën kontroll”.
“Fati i katolikëve, megjithatë, ka qenë ndryshe, në kuptimin që në atë rast qëllimi ishte pikërisht eliminimi i tyre, pasi konsideroheshin një trup i huaj”, shpjegoi rregulltari pasionist Atë Paolo Cortesi, famullitar i Lindjes së Virgjërës Mari në Belene. Përveç të Lumëve tashmë të shpallur nga Kisha katolike, një ipeshkëv dhe tre priftërinj, Atë Cortesi kujtoi edhe tre figura të tjera: Atë Flavian Mankin, ipeshkvin Imzot Ivan Romanov dhe Atë Fortunato Bakalski, për të cilët është në zhvillim procesi i lumturimit. Rregulltari Pasionist pohoi se në vitin 1948 nga regjimi komunist në Bullgari u dëbuan të gjithë priftërinjtë dhe rregulltarët e huaj dhe u konfiskuan të gjitha pronat.