Kërko

Një stacion benzine në Havana Një stacion benzine në Havana

Ipeshkvijtë kubanë: rrezik kaosi dhe dhune për shkak të ndalimit të naftës

Përballë përkeqësimit të krizës, ipeshkvijtë kubanë paralajmërojnë për rrezikun e një përshkallëzimi të vuajtjeve në ishull dhe kërkojnë reforma të thella, dialog dhe respekt për dinjitetin njerëzor, pa përjashtime dhe pa dhunë. Ditët e fundit Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv me të cilin kërcënon me tarifa doganore vendet që furnizojnë Kubën me naftë.

R.SH. / Vatikan

Në një mesazh drejtuar “të gjithë kubanëve me vullnet të mirë”, ipeshkvijtë e Kishës katolike kubane shprehin shqetësimin e tyre të thellë për përkeqësimin e situatës sociale dhe ekonomike të vendit. Prelatët paralajmërojnë për rrezikun e një kolapsi të mëtejshëm shoqëror, veçanërisht pas vendimeve të fundit që kanë ndikuar në furnizimin energjetik të vendit. Rreziku i kaosit shoqëror dhe i dhunës mes qytetarëve të së njëjtës kombësi është real, pohojnë ata, duke sqaruar se asnjë kuban me vullnet të mirë nuk mund të gëzohet për një skenar të tillë.

Në tekstin e publikuar të shtunën, më 31 janar 2026, ipeshkvijtë e Kishës katolike të Kubës pasqyrojnë ndjenjën e përhapur në të gjithë ishullin: “Ata që janë të vëmendshëm dhe të ndjeshëm ndaj vuajtjes së të tjerëve dëgjojnë vazhdimisht se gjërat nuk po shkojnë mirë, se nuk mund të vazhdojmë kështu”. Bëhet fjalë për një thirrje, theksojnë ata, që i drejtohet gjithë shoqërisë, por “në mënyrë thelbësore atyre që mbajnë përgjegjësitë më të larta kur marrin vendime për të mirën e kombit”.

Duke ritheksuar thirrjen e bërë qershorin e kaluar me rastin e Vitit Jubilar, ipeshkvijtë e Kishës katolike të Kubës nënvizojnë se realiteti “i dhimbshëm dhe urgjent” jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është “përkeqësuar, dhe ankthi dhe dëshpërimi janë shtuar”.

Tensione të jashtme dhe rrezik shoqëror

“Lajmet e fundit, të cilat njoftojnë, ndër të tjera, eliminimin e çdo mundësie për hyrjen e naftës në vend, po ndezin sinjale alarmi, veçanërisht për më të pambrojturit. Rreziku i kaosit shoqëror dhe i dhunës mes bijve të të njëjtit popull është real. Asnjë kuban me vullnet të mirë nuk do të gëzohej për një skenar të tillë”, kanë deklaruar ipeshkvijtë e Kubës.

Në këtë kontekst, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka nënshkruar ditët e fundit një urdhër ekzekutiv që shpall gjendjen e emergjencës kombëtare në lidhje me atë që ai e konsideron një kërcënim nga ana e Kubës për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas dekretit, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të vendosë tarifa shtesë ndaj vendeve që furnizojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi Kubën me naftë, me synimin për të ndërprerë aksesin e produkteve të naftës në ishull dhe për të ushtruar presion mbi qeverinë e Havanës. Shtëpia e Bardhë pohon se qeveria kubane bashkëpunon me vende dhe grupe armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përfaqëson një rrezik të jashtëzakonshëm.

Prej këtej vjen edhe thirrja e ipeshkvijve të Kishës katolike të vendit: Kuba ka nevojë për ndryshime, “dhe ato janë gjithnjë e më urgjente”, por nuk mund të përballojë “ankth dhe dhimbje të mëtejshme”. Me fjalë të drejtpërdrejta, ata kërkojnë që të shmangen humbje të tjera jete dhe vuajtje, veçanërisht në dëm të të varfërve, të moshuarve, të sëmurëve dhe fëmijëve. Në këtë kontekst, ata rikujtojnë fjalët e Papës Shën Gjon Palit II gjatë vizitës së tij në ishull në vitin 1998, kur paralajmëroi se izolimi ka “pasoja pa dallim mbi popullsinë, duke rritur vështirësitë e më të pambrojturve”.

Dialog, dinjitet dhe e mira e përbashkët

Në përkim me mësimin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë, Episkopati i Kubës rithekson se konfliktet duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe diplomacisë, kurrë me detyrim. “Sepse njerëzit, duke folur, e kuptojnë njëri-tjetrin”, pohojnë ata, të bindur se, me vullnet të mirë, është gjithmonë e mundur të gjenden rrugë drejt së vërtetës, drejtësisë dhe paqes.

Njëkohësisht, ipeshkvijtë e Kishës katolike të Kubës theksojnë se dinjiteti dhe liria e personave brenda vendit nuk mund të kushtëzohen nga konflikte të jashtme. Një klimë respekti, pluralizmi dhe pjesëmarrjeje – theksojnë – nuk e dobëson një komb, por madje mund të favorizojë çtensionimin ndërkombëtar. Prandaj, duke parafrazuar Papën Shën Gjon Palin II, ata kërkojnë “që bota t’i hapet Kubës”, por edhe që “Kuba t’i hapet popullit të saj, të gjithë kubanëve, pa përjashtim”.

Kisha, në shërbim të shpresës

Ipeshkvijtë theksojnë më tej se Kisha Katolike do të vazhdojë ta shoqërojë popullin kuban përmes misionit të saj: të lutet, të shpallë Ungjillin dhe t’u shërbejë sidomos më të pambrojturve. Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Kubës gjithashtu pohojnë edhe gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar, nëse kërkohet, në krijimin e hapësirave të takimit dhe bashkëpunimit për të mirën e përbashkët.

Së fundi, në bashkim me Papën Leoni XIV, ata kujtojnë fjalët e tij në fillim të papnisë: “Kjo është ora e dashurisë!” Dhe, duke ia besuar Kubën ndërmjetësimit të Virgjërës së Bamirësisë, Nënës së popullit kuban, bëjnë një thirrje të fundit: të mbizotërojnë arsyeja dhe mendja e shëndoshë dhe që të gjithë bijtë e kësaj toke të mund të jetojnë “këtu në paqe, me dinjitet dhe të lumtur”.

01 shkurt 2026, 09:34