Kërko

Foto arkivi e një Kishe katolike në Vietnam Foto arkivi e një Kishe katolike në Vietnam

Kisha Vietnameze vë në dukje rritjen e vokacioneve, bën thirrje për formim misionar të përtërirë

Me dhjetëra diakonë të rinj të shuguruar këtë vit, udhëheqësit e Kishës në Vietnam theksojnë nevojën për të shndërruar thirrjen e shumta meshtarake në një shërbim misionar autentik.

R.SH. / Vatikan

Në fillim të vitit, Kisha Katolike Vietnameze shuguroi 76 diakonë, të cilët pritet të shugurohen meshtarë në vitin e ardhshëm. Diakonët e saposhuguruar vijnë nga disa dioqeza midis 27 dioqezave të vendit dhe nga 83 kongregata rregulltare mashkullore. Shugurimi i tyre pasqyron vitalitetin e vazhdueshëm të vokacioneve meshtarake dhe rregulltare në vend. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të dhënat e Kishës tregojnë gjithashtu se rreth 12 për qind e seminaristëve janë me origjinë vietnameze, me rreth 400 deri në 500 meshtarë vietnamezë që shërbejnë aktualisht në shtete të ndryshme. Një Kishë "vatër vokacionesh"

Kisha në Vietnam shpesh përshkruhet si një "vatër vokacionesh", duke prodhuar vokacione të shumta çdo vit si për jetën dioqezane ashtu edhe për atë rregulltare. Shifrat aktuale tregojnë se vendi ka rreth 6.000 meshtarë dhe pothuajse 31.000 rregulltarë e rregulltare që u shërbejnë rreth shtatë milionë katolikëve. Ndërsa këto numra shihen gjerësisht si mbresëlënës, udhëheqësit e Kishës pranojnë gjithashtu se ato paraqesin sfida të rëndësishme pastorale dhe misionare. Vokacionet e bollshme, vërejnë vëzhguesit, duhet të shoqërohen me një formim të fortë misionar dhe shpërndarje pastorale të drejtë.

Shpërndarje pastorale e pabarabartë

Duke shkruar për UCA News, komentuesi katolik Petrus Do reflektoi mbi sfidën se "si të shndërrohet një bollëk meshtarësh në misionarë të vërtetë dhe jo thjesht në priftërinj famullie". Ai vuri në dukje shpërndarjen e pabarabartë të klerit, veçanërisht midis zonave urbane dhe rurale. “Në qendrat urbane të Vietnamit, është e zakonshme të gjesh dy ose tre meshtarë që shërbejnë në një Kishë të vetme famullie,” shkruan ai. Në këto “zona të sigurta”, jeta meshtarake shpesh përqendrohet në administrim, shërbime liturgjike, kremtime të mëdha dhe projekte ndërtimi. Në të kundërt, në Malësinë Qendrore dhe në rajonet veriperëndimore ët vendit, shumë komunitete të pakicave etnike presin me muaj për një Meshë të vetme. Meshtarët shpesh udhëtojnë qindra kilometra nëpër terren të thyer për të arritur në Kapela të thjeshta me çati kashte.

Përtëritja e formimit meshtarak

Petrus Do theksoi gjithashtu edhe nevojën për një reformë urgjente në formimin meshtarak. Ndërsa studimet filozofike dhe teologjike zakonisht zgjasin rreth dhjetë vjet, tha ai, këto duhet të plotësohen me një formim të vazhdueshëm me "një zemër misionare", të aftë për të shërbyer në periferi. Ky vizion pasqyron mësimin e Papës Françesku, i cili shpesh u bën thirrje priftërinjve të kenë "erën e deleve", të rrënjosur në afërsinë me njerëzit. Një formim i tillë, vuri në dukje Petrus Do, duhet të shkojë përtej trajnimit intelektual dhe të fokusohet në spiritualitetin misionar, inkulturimin dhe dialogun ndërfetar. Meshtarët e ardhshëm thirren të bëhen "misionarë të shpresës" duke mësuar gjuhët lokale, duke u angazhuar në veprimin social dhe duke ndarë vështirësitë e komuniteteve ku shërbejnë. Përmes kësaj qasjeje, kleri mund të kuptojë më mirë dhimbjen, aspiratat dhe realitetet e përditshme të besimtarëve që u janë besuar.

Plani baritor për përtëritjen misionare

Si përgjigje ndaj këtyre sfidave, ipeshkvijtë vietnamezë kanë caktuar vitin 2026 si Vitin e "Çdo i krishterë si nxënës misionar". Kjo iniciativë formon pjesë të një plani baritor trevjeçar të përqendruar në përtëritjen misionare:

2025–2026: Çdo i krishterë është një nxënës misionar

2026–2027: Çdo komunitet i krishterë është një komunitet misionar

2027–2028: Kisha e Krishtit në Vietnam shkon përpara

Programi synon të vendosë shpirtin misionar në zemër të jetës meshtarake dhe kishtare, duke inkurajuar klerin dhe laikët që të marrin përgjegjësi aktive për ungjillëzimin. Me shumë meshtarë vietnamezë që tani shërbejnë në vendet fqinje aziatike dhe në pjesë të largëta të botës, udhëheqësit e Kishës theksojnë se vokacionet janë një dhuratë për t'u bashkëndarë, jo thjesht për t'u ruajtur. Viti kërkon të nxisë një proces të thellë të konvertimit misionar, duke mundësuar që vokacionet e shumta të bëhen një katalizator për përtëritje në të gjithë Kishën.

nga At Mark Robin Destura, RCJ

06 shkurt 2026, 17:33