Lajmëtarë të Paqes dhe Mirësisë
R.SH. - Vatikan
Në Ditën Botërore të Jetës së Kushtuar a Jetës Rregulltare, marrin rishtas në shqyrtim letrën "Profecia e pranisë: Jeta e shuguruar aty ku dinjiteti plagoset dhe besimi është në sprovë", dërguar nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë Instituteve të Jetës së Kushtuar dhe Shoqërive të Jetës Apostolike me rastin e Ditës së sotme të 30-të Botërore të Jetës së Kushtuar.
Letra "Profecia e pranisë: Jeta e shuguruar aty ku dinjiteti plagoset dhe besimi është në sprovë" ofron udhëzime mjaft të dobishme për reflektim serioz e thekson përmasën e fortë profetike të personave të kushtuar, pavarësisht se shpesh jetojnë në situata komplekse. Në shoqëritë ku zbulohet brishtësia, qoftë politikisht, shoqërisht apo institucionalisht, jeta e kushtuar është shenjë e dukshme se Zoti nuk braktis askënd.
Duke marrë parasysh format e ndryshme të kushtimit, letra përsërit atë çka i bashkon të gjithë personat e jetës së kushtuar: "një profeci e vetme merr formë: të qëndrosh me dashuri, pa braktisur, pa heshtur, duke e bërë jetën tënde Fjalën për këtë kohë dhe për këtë histori".
Letra është ftesë për të shqyrtuar udhëtimin tonë.
Si po jetojmë ne personat e kushtuar me besnikëri ndaj Krishtit dhe Ungjillit? Si i kapërcejmë vështirësitë dhe cilat aspekte të jetës sonë jemi të thirrur të thellojmë ose të konvertojmë? Duke parë situatën e sotme, ndonjëherë rrezikojmë të besojmë se shumë gjëra janë të gabuara. Nëse i interpretojmë ngjarjet me fé të gjallë, duke aktivizuar zemrat dhe mendjet tona, mund ta përkufizojmë këtë si një kohë tranzicioni, krize, domethënë kohë e dobishme për shpirtin. Është një mundësi që na është dhënë, në mënyrë që ne, personat e kushtuar, duke parë edhe njëherë rrënjën e thirrjes sonë, të mund të përqendrohemi me pasion te Krishti dhe Ungjilli.
Sot, flasim për brishtësinë njerëzore që përshkon pak a shumë ekzistencën e të gjithëve. Si po e menaxhojmë? Nëse njihet, mirëpritet dhe menaxhohet, në të vërtetë mund të transformohet në një burim, në energji pozitive për veten dhe për të tjerët. Kur kushtëzon jetën e një personi, shpesh duke e bërë atë të paaftë, kjo ndodh sepse individi lejon veten të përthithet vetëm nga plagët e tij pa njohur brenda vetes një gamë të gjerë potencialesh të animuara nga Shpirti i Zotit.
Kur një person lidh të gjitha anët që e përbëjnë atë – si anën biologjike, psikologjike, shpirtërore ose ekzistenciale - këto plagë nuk mund të kushtëzojnë më udhëtimin e tij personal ose komunitar, sepse ato janë një hapësirë e kufizuar. Kur një individ i pranon plagët e veta, ai aktivizon të gjitha energjitë e tij dhe bëhet një shenjë shprese, sepse "brishtësia na bën njerëz" (Papa Françesku, 4 janar 2023).
Njësimi i thellë ndodh kur një person rizbulon kuptimin e jetës së tij, Krishtin dhe Ungjillin, dhe pranon veten ashtu siç është, pa e idealizuar veten. Pastaj ata rifillojnë me pasion jetën e kushtuar, jetën rregulltare a murgare dhe pajtohen me veten dhe të tjerët, dhe zgjedhin të jetojnë sipas mësimeve të ungjillit pa zotëruar asgjë, t'u shërbejnë të gjithëve lirishëm, duke qëndruar me të tjerët, pa zënë pozicione pushteti. Duke u bashkuar thellësisht në Krishtin, ata zbulojnë praninë konkrete të të tjerëve, afër dhe larg, dhe fillojnë me ta procese marrie dhe dhënie pa shkaktuar konkurrencë, madje duke dhënë edhe jetën e tyre.
Të kushtuarit, duke e vendosur Jezu Krishtin dhe Ungjillin në qendër të ekzistencës së tyre, i përkushtojnë të gjitha burimet e tyre për të ruajtur bashkimin dhe të mirën e përbashkët. Ata nuk heqin dorë nga mendimet, ndjenjat, veprimet ose projektet e tyre personale, por vazhdimisht e bëjnë praninë e Krishtit të dukshme përmes sjelljeve dhe qëndrimeve të tyre njerëzore dhe ungjillore, kudo dhe gjithmonë, duke pritur gjithashtu me shpresë kohët e pjekurisë për veten dhe të tjerët.
Nuk duhet shkuar pas idealizmave ose planeve që janë të shkëputura nga realiteti, por përkundrazi gjithmonë e lidhim jetën tonë, komunitetin dhe shoqërinë tonë me Jezu Krishtin. Duke jetuar vazhdimisht në praninë e Tij, ne e bëjmë dashurinë e Zotit dhe Ungjillin të besueshëm.
Pali pohon se të gjithë janë tempull i Hyjit (1 Korintianëve 3,17). Çfarë na ndihmon të unifikojmë jetën tonë në Krishtin, pa privatizuar kohën dhe hapësirën, dhe të jemi të hapur për të dëgjuar Zotin dhe gratë e burrat e kohës sonë?
Të kthehesh te Krishti do të thotë të tregosh fytyrën njerëzore dhe hyjnore midis njerëzve që ndeshim. Do të thotë të rizbulosh rrugën drejt lidhjes autentike me të tjerët dhe të ndash gëzimet dhe vuajtjet e tyre, pa iu drejtuar vetëm mesazheve të shkruara ose fjalë të shpejta, të cilat ngadalë e gërryejnë ndjenjën e afërsisë dhe për rrjedhojë të marrëdhënies.
Kjo është një kohë vendimtare, sepse Jezu Krishti na fton të rizbulojmë drejtimin tonë, të jemi dëshmitarët e tij autentikë sot, sepse ekziston një nevojë urgjente për ta bërë Zotin të dukshëm në rrugët e botës, duke jetuar dhe mishëruar Ungjillin... Bota ka nevojë për lajmëtarë të njerëzimit që komunikojnë në mënyrë të dukshme paqen dhe mirësinë!