Kërko

Të zhvendosurit nga përleshjet në Kivu Të zhvendosurit nga përleshjet në Kivu

RD Kongos, një masakër e re përgjak Kivunë e Veriut

Numri i të vdekurve nga sulmi i djeshëm në Gelumbe, është ndërmjet 25 e 35 vetësh. "Tmerr i planifikuar, që vazhdon në heshtjen e Perëndimit", pohon për mediat e Vatikanit Atë Giovanni Piumatti, prej kohësh misionar fidei donum në dioqezën kongoleze të Butembo-Beni.

R.SH. / Vatikan

Një masakër e re gjakos Republikën Demokratike lindore të Kongos. Ndërmjet 25 e 35 civilëve u vranë brutalisht dje, në një sulm që i atribuohet Forcave Demokratike Aleate (ADF), milicive që në vitin 2009 iu betuan besnikëri të ashtuquajturit Shtet Islamik (IS), ndaj prej vitesh tërbohen në këto toka.

Mungesë stabiliteti në kufirin ndërmjet Kivu-së së Veriut dhe Iturit

Këtë herë, masakra u krye afër fshatit Gelumbe, pranë Beni-Oicha, në pjesën më veriore të rajonit të Kivu-së së Veriut, pothuajse në kufi me Iturin. Është i njëjti grup që, nëntorin e kaluar, kreu një masakër në Byambwe, në dioqezën e Butembo-Beni. Ndërsa në fund të korrikut, në një sulm kundër kishës katolike të Komandës, vrau mbi 40 civilë.

Tmerre pa fund

"Është tmerr i planifikuar", pohon Atë Giovanni Piumatti, meshtar italian nga Pinerolo dhe misionar fidei donum, prej kohësh në dioqezën kongoleze të Butembo-Beni, kur dha lajmin për mediat e Vatikanit. Meshtari flet për trupa me kokë të prerë e për kufoma flakur gjatë rrugëve. Këto territore janë të banuara nga një popullsi e krishterë, si katolike ashtu edhe protestante, e cila për vite me radhë ka jetuar në kthetrat e panikut, shkaktuar nga dhuna e përsëritur. Këto tmerre pa fund tani janë "rutinë" - shton ai -  përsëritën çdo javë për të paktën dy ose tre vjet".

Atë Piumatti shpjegon edhe se ekziston atmosfera e pasigurisë lidhur me përgjegjësitë për këtë paqëndrueshmëri të vazhdueshme: shumë vendas - vijon ai - pretendojnë se ekziston një lloj bashkëfajësie nga ana e Forcave të Armatosura të Republikës Demokratike të Kongos (FARDC), duke pasur parasysh se fenomeni nuk është përmbajtur për shumë vite, pavarësisht bashkëpunimit të trupave nga Uganda fqinje.

Interesat në zonë

Gjendja e paqartë në zonën e Benit, pasqyron paqëndrueshmërinë më të gjerë në pjesën tjetër të rajonit të Kivu-së, me territoret e Gomës dhe Bukavu-së, jashtëzakonisht të pasura me minerale dhe metale të rralla, tani "të pushtuara" dhe të administruara nga milicitë pro-Ruandane M-23 për më shumë se një vit. "Lufta në Kivu, gjatë viteve, la pas 10 milionë të vdekur, ndërkohë që Perëndimi vijon të heshtë" - denoncon Atë Piumatti. "Qëllimi specifik është të ruhet kaosi", thekson prifti, gjë që bëhet për arsye të ndryshme, duke përfshirë "zotërimin e tokës dhe të burimeve të çmuara e, ndoshta, edhe interesat fisnore".

09 shkurt 2026, 12:23