Kërko

Në foto: raketa me rreze të gjatë veprimi. Në foto: raketa me rreze të gjatë veprimi.

Traktati «New Start», ipeshkvijtë e SHBA-së: Skadimi i tij është papranueshëm

Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shteteve të Bashkuara, arqipeshkvi Coakley, foli pak para skadimit të marrëveshjes së vetme të kontrollit të armëve bërthamore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. "Dallimet ndërkombëtare në politikë, sado serioze, nuk mund të përdoren si shfajsim për ta bllokuar diplomacinë" – tha prelati amerikan.

R.Sh. Vatikan

"Rreziqet që sjellin konfliktet e tashme në të gjithë botën, përfshirë luftën shkatërruese në Ukrainë, e bëjnë skadimin e marrëveshjes «New START» thjesht të papranueshëm", u shpreh arqipeshkvi Paul S. Coakley, kryetar i Konferencës së ipeshkvijve katolikë të Shteteve të Bashkuara. "I ftoj besimtarët dhe të gjithë burrat dhe gratë me vullnetmirë të luten me zjarr që ne, si një bashkësi ndërkombëtare, ta shtojmë guximin për të ndjekur paqen e vërtetë, paqen që i shndërron gjërat dhe që është e qëndrueshme", – shtoi arqipeshkvi amerikan.

Të çelen rrugët e çarmatimit

Kryetari i Konferencës së ipeshkijve katolikë të Shteteve të Bashkuara, imzot Coakley u shpreh kështu sepse, më 5 shkurt, skadon Traktati i reduktimit të armëve strategjike i njohur si «New Start». Bëhet fjalë për marrëveshjen e fundit të gjerë për kontrollin e armëve bërthamore ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Në thirrjen e tij, arqipeshkvi Coakley u kërkoi politikanëve të angazhohen në bisedime diplomatike për të ruajtur parimet e traktatit dhe për të hapur "shtigje drejt çarmatimit". Arqipeshkvi më pas kujtoi fjalët e Papa Leonit XIV në fjalimin e tij drejtuar trupit diplomatik, ku theksohej "nevoja për t’i përmbajtur marrëveshjes New START" dhe ku paralajmërohej për "rrezikun e kthimit në një garë për të prodhuar armë gjithnjë e më të sofistikuara, përfshirë madje edhe inteligjencën artificiale".

Të ndiqet dialogu gjithmonë

Në vijim, arqipeshkvi Coakley kujtoi mesazhin për Ditën Botërore të Paqes, në të cilin Papa Leoni XIV përmendte Shën Gjonin XXIII dhe thirrjen e tij për "çarmatim të plotë", të bazuar te mendësia e cila pranon se "paqja e vërtetë dhe e qëndrueshme midis kombeve nuk mund përcaktohet nga zotërimi i sasive të barabarta të armëve, por vetëm nga besimi i ndërsjellë".

"Politikat e ndryshme ndërkombëtare, sado serioze, nuk mund të përdoren si shfajsime për të bllokuar diplomacinë. Përkundrazi, ato duhet të na nxisin të vijojmë një dialog më efektiv dhe më energjik", vazhdoi imzot Paul Coakley. Prelati e mbylli thirrjen e tij me këtë lutje: "Princi i Paqes i ndriçoftë zemrat dhe mendjet tona për të kërkuar paqe në botë sipas frymës së vëllazërisë së përbotshme".

05 shkurt 2026, 09:35