Kërko

Konferenca për shtyp e udhëheqësve të Konferencës Episkopale Venezueliane Konferenca për shtyp e udhëheqësve të Konferencës Episkopale Venezueliane

Venezuela, Kisha kërkon rivendosjen e demokracisë dhe drejtësisë sociale

Në fund të Asamblesë së tyre Plenare, ipeshkvijtë e Venezuelës bënë thirrje për pajtim kombëtar bazuar në respektimin e sovranitetit popullor, lirimin e të burgosurve politikë dhe vëmendje urgjente ndaj krizës humanitare.

R.SH. . Vatikan

Në përfundim të Asamblesë së tyre Plenare, ipeshkvijtë e Kishës katolike të Venezuelës bëjnë thirrje për një pajtim kombëtar, të bazuar në respektimin e sovranitetit popullor, çlirimin e të burgosurve politikë dhe një vëmendje urgjente ndaj krizës humanitare.

Në një mesazh të shpërndarë nga Konferenca Ipeshkvore e Venezuelës (CEV) më 9 shkurt 2026, pas një citimi nga libri i Izaisë profet, "Drita jote do të lindë si agimi", ipeshkvijtë i drejtohen popullit të Zotit, duke ofruar një mesazh shprese. Ata theksojnë se ngjarjet e 3 janarit të këtij viti kanë ndryshuar thelbësisht peizazhin politik dhe social të vendit. Në këtë kontekst të brishtë, ipeshkvijtë e Venezuelës kujtojnë se Jezusi është gjithmonë me popullin e tij, ashtu siç na kujton Ungjilli kur Jezusi qetëson stuhinë mbi det.

Sovraniteti dhe Demokracia
Në mesazhin e tyre, ipeshkvijtë e Venezuelës kërkojnë rivendosjen e sovranitetit dhe demokracisë përmes rikonstruktimit të institucioneve të vendit, përfshirë pavarësinë e pushteteve dhe praninë e një Gjykate të Lartë të Drejtësisë dhe një Këshilli Kombëtar Zgjedhor të besueshëm, i aftë për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta. Ata theksojnë se populli duhet të ketë mundësinë për të shprehur vullnetin e tij përmes një vote të drejtë dhe të fshehtë, që është mohuar gjatë zgjedhjeve presidenciale të 28 korrikut 2024.

Solidariteti me Popullin
Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Venezuelës rinovojnë solidaritetin dhe mbështetjen e tyre për të burgosurit politikë dhe familjet e tyre, për ata që janë detyruar të emigrojnë dhe për të sëmurët që nuk mund të gjejnë ilaçet e nevojshme. Ata gjithashtu shprehin dhimbjen për të gjithë ata që kanë humbur të drejtat e tyre, për të rinjtë që janë privuar nga mundësitë e avancimit, dhe për komunitetet indigjene që janë marginalizuar. Ipeshkvijtë lutën për paqe dhe për shpirtin e atyre që kanë humbur jetën për shkak të dhunës.

Pajtim dhe vëllazërim
Kisha katolike e Venezuelës thekson rëndësinë e një procesi të gjetjes së paqes dhe lirisë përmes shmangies së dhunës, urrejtjes dhe hakmarrjes. Ky proces kërkon përpjekje për pajtim, falje dhe njohje të ndërsjellë mes venezuelianëve, në një përpjekje të vazhdueshme për të respektuar dinjitetin e njeriut dhe për të ushtruar vëllazërinë.

Drejtësia dhe liritë themelore
Ipeshkvijtë bëjnë thirrje për një respekt të plotë të të drejtave të njeriut, duke përfshirë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për një proces të drejtë dhe të barabartë. Ata kërkojnë që të shpallen të pavlefshme ligjet që kufizojnë të drejtat themelore të njeriut dhe bëjnë thirrje për një amnisti të plotë për të burgosurit politikë si një hap i nevojshëm për pajtimin dhe bashkëjetesën demokratike.

Një të ardhme për më të varfrit
Ipeshkvijtë e Kishës katolike të Venezuelës përmendin edhe vështirësitë ekonomike që ka përjetuar populli venezuelian e kërkojnë që të ardhurat nga sektori i naftës të përdoren për të përmirësuar pagat dhe programet sociale në mënyrë të drejtë, për të mundësuar, kështu, një jetë të denjë për qytetarët. Ata e shohin familjen si bazën e zhvillimit të shëndetshëm të individëve dhe kërkojnë një angazhim të gjithanshëm për të tejkaluar varfërinë dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për popullin.

Në fund, ipeshkvijtë e Kishës katolike të Venezuelës ftojnë venezuelianët të gjejnë forcë dhe dritë në lutjet e përditshme për të përballuar sfidat aktuale dhe të përqendrohen në praktikat shpirtërore gjatë Kreshmës, si lutja dhe leximi i Fjalës së Zotit, adhurimi Eukaristik dhe Udha Kryqe, për të forcuar lidhjet si bijë të Zotit dhe qytetarë të së njëjtës tokë.

10 shkurt 2026, 12:16