Kërko

Një zonë e Zaporizhias pas sulmit rus më 6 shkurt Një zonë e Zaporizhias pas sulmit rus më 6 shkurt

Zaporizhzhia nën sulm, ipeshkvi: mos e harroni Ukrainën

Dëshmia e ipeshkvit ndihmës Jan Sobilo pas një bombardimi të ri në rajonin e termocentralit bërthamor ukrainas: sirenat e alarmit bien vazhdimisht e shumëkush nuk po shkon më në strehim. Është e pamundur ta bësh këtë shpesh, përndryshe do të na duhej të jetonim nëndhe

R.SH. / Vatikan

Gjatë natës ndërmjet 5 dhe 6 shkurtit si dhe në orët e para të mëngjesit, ushtria ruse nisi përsëri sulmin masiv në disa lokalitete të Ukrainës. Ndër rajonet më të goditura ishte rajoni i Zaporizhzhias. Shumë shtëpi u dëmtuan dhe u shtuan viktima të reja civile: një çift i martuar, një burrë 49-vjeçar dhe një grua 48-vjeçare, ndërsa një djalë 14-vjeçar dhe një burrë tjetër u plagosën.

Lidhur me situatën pas një bombardimi tjetër, imzot Jan Sobilo, ipeshkëv-ndihmës i dioqezës latine të Kharkiv-Zaporizhzhya, duke folur për mediat e Vatikanit, përshkroi edhe jetën e përditshme të një qyteti, që vazhdon të ndeshet me sirenat, të ftohtin dhe mungesën e energjisë elektrike dhe të ngrohjes. "Në orën tetë të mëngjesit kremtuam Meshën Shenjte", kujton. "Ishin të pranishëm edhe të ftuar nga Italia: drejtori i Shoqërive Misionare Papnore (PMS) në Ukrainë, Atë Luca Bovio, IMC, dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjatë kremtimit, u dëgjuan shpërthime të forta: ishte një bombardim. Pashë edhe një dron të rrëzuar: fluturoi si top zjarri, e ra duke u djegur në ajër. Mëngjes shumë i dhunshëm". Megjithatë, pavarësisht nga gjithçka, vëren ipeshkvi, njerëzit vazhdojnë të luten. "Njerëzit tani luten duke kujtuar. Është e trishtueshme ta thuash, por jemi mësuar me luftën. Sirenat bien vazhdimisht, ditë e natë. Shumë nuk zbresin më ndër strehime, sepse është e pamundur ta bësh këtë vazhdimisht. Ose do të duhej të jetoje nën tokë gjatë gjithë kohës. Kështu që njerëzit përpiqen të mbijetojnë sa më mirë që të munden".

Energji e mjaftueshme për të gjithë

Një nga problemet më serioze mbetet mungesa e energjisë elektrike. "Ndërprerjet e energjisë, shpjegon ai, janë të shpeshta. Disa lagje sot nuk kanë energji elektrike, ndërsa të tjerat e kanë. Në Zaporizhzhia, ndërprerjet totale janë të rralla, ndërsa ndërprerjet lokale janë të rregullta, sepse nuk ka energji të mjaftueshme për të gjithë". Situata e ngrohjes varet shumë nga lloji i ndërtesës: "Ata që kanë gaz, si ne, mund të ngrohen sadopak. Ndërsa në shumë ndërtesa moderne gjithçka funksionon me energji elektrike. Kur ndërpritet energjia elektrike, nuk ka ngrohje, pompat nuk punojnë, madje edhe uji ndërpritet. Disa njerëz ngrohen në makinat e tyre: në mbrëmje, ulen në to, ngrohen pak, pastaj shkojnë në shtëpi dhe flejnë të veshur për të kursyer ngrohjen". Kjo situatë nuk prek veç Zaporizhzhian, por edhe qytete të tjera, si Kievi dhe Dnipro.

Solidaritet nga Papa dhe famullitë

Në këto rrethana kaq të vështira, famullitë po bëhen pikë themelore referimi. "Njerëzit - thotë Imzot Sobilo - vazhdojnë të vijnë në Meshë. Në bashkë-katedralen, në Shenjtëroren e Zotit Atë Mëshirëplotë, Fretërit Françeskanë Albertinë shpërndajnë bukë katër herë në javë. Vijnë përherë rreth një mijë e pesëqind vetë e, të shtunave, deri në dy mijë. Marrin bukë e reçel". Megjithatë, burimet po pakësohen. "Situata është shumë e ndërlikuar. Ndihma, gjithnjë e më e pakët, udhëtimi më i vështirë dhe jo të gjithë transportuesit pranojnë të na sjellin ndihmë. Por fretërit vazhdojnë të pjekin bukë e të dhurojnë reçel, ndërsa disa organizata i ndihmojnë”. E kështu vazhdon.....

Pas Krishtlindjes, mbërriti edhe një dërgesë e veçantë: "Një kamion me ndihma nga Kardinali Konrad Krajewski. Kishte makarona. Janë të mira, ndonëse pak pikante, ndaj njerëzit i vlerësojnë shumë sepse të ngrohin kur bën ftohtë. Edhe ushtarët në front i kërkojnë ndihmat: herë pas here vijnë t’i marrin sepse janë të lehta edhe për t'u mbajtur. E thonë se u shpëtojnë jetën.

Për Kishën lokale, ndihma e ushtrisë është përparësi. "Ndihma e ushtarëve tanë është themelore. Nëse nuk do të na mbronin, çdo ndihmë tjetër do të bëhej e pakuptimtë. Pushtuesit do të vinin dhe do të merrnin gjithçka. Kjo është arsyeja pse lutemi për ta dhe i mbështesim në çdo mënyrë të mundshme: ata po mbrojnë vendin tonë".

Lufta, barrë e rëndë

Situata ushtarake mbetet shumë e tensionuar. "Deri këtë dimër, ishte pak më e qetë" - shpjegon Monsinjor Sobilo. "Ne ishim të bindur se ushtria jonë do ta mbante agresorin larg qytetit. Tani i shohim rusët duke përparuar drejt Zaporizhzhies, fronti buçet e burrat tanë përballojnë vështirësi të mëdha". Në këto rrethana, e ftohta nuk na ndihmon: "Ata po bombardojnë qytetin, sistemin energjetik, gjithçka që na jep dritë e ngrohje. Civilët po vuajnë, e po ashtu edhe ushtarët. Ushtria ruse po shfrytëzon dimrin, për të përparuar. Lumi Dniepër është i ngrirë dhe grupet e sabotimit e të zbulimit po kalojnë nëpër akull".

07 shkurt 2026, 17:04