Kërko

MOZAMBIQUE-WEATHER-CYCLONE-HEALTH

Zimbabve: Ipeshkvijtë mbrojnë foshnjet e palindura ende

Ligjet e reja që do të votohen nesër, më 10 shkurt, në Zimbabve i zgjerojnë kërkesat ligjore për ndërprerjen e shtatzanisë deri në njëzet javë kur ka rrezik për shëndetin, anomali serioze fetale, përdhunim ose incest. Ipeshkvijtë e vendit afrikan po u bëjnë thirrje qeveritarëve të mbrojnë jetën dhe dinjitetin e foshnjeve të palindura.

R.Sh. Vatikan

"Ju kërkojmë të respektoni përgjegjësinë tuaj kushtetuese për të mbrojtur të drejtën e jetës të foshnjeve të palindura në masën më të plotë të mundshme". Kjo thirrje, drejtuar senatorëve të parlamentit të Zimbabvesë, është përmbajtja e mesazhit që Konferenca Episkopale e vendit afrikan publikoi ditët e fundit përpara shqyrtimit të 10 shkurtit të një projektligji  – të miratuar tashmë nga Asambleja Kombëtare – që mund të zgjerojë dhe lehtësojë mundësinë e abortit. Mesazhi me titull "Një thirrje për ndërgjegjen: mbroni jetët e pafajshme", i priu Ditës së Lutjes që u kremtua të premten, më 6 shkurt, dhe u lexua dje në të gjitha kishat e vendit afrikan gjatë Meshës të së Dielës.

Më shumë ndihmë për gratë dhe fëmijët

Ipeshkvijtë katolikë, përfshirë kryetarin e konferencës ipeshkvnore imz. Paul Horan, u bëjnë thirrje ligjvënësve mos ta pranojnë ligjin dhe të ushtrojnë "tagrin solemn" të tyre për të mbrojtur jetën, duke miratuar ligje që ndihmojnë lindjen e foshnjëve, kundër ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë. Nga ana e vet, Konferenca Ipeshkvnore e Zimbabves shpreh gatishmërinë e saj për të punuar me parlamentarët për të hartuar legjislacion dashamirës që ofron "alternativa moralisht të pranueshme përballë abortit, pa harruar kujdesin para lindjes, këshillimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për gratë dhe foshnjat e pambrojtura". Ipeshkvijtë gjithashtu u bëjnë thirrje të gjithë të krishterëve dhe njerëzve me vullnet të mirë të mbajnë një qëndrim të vendosur kundër projektligjit të propozuar, duke theksuar se ai "e shporon në zemër trashëgiminë morale afrikane dhe të krishterë". Ata që "e nderojnë jetën njerëzore si dhuratë nga Zoti, i cili na krijoi sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Tij, kanë arsye të vlefshme për të kundërshtuar eliminimin e foshnjave të palindura" – lexohet në thirrjen e ipeshkvijve të Zimbabves.

Çfarë parashikon ligji

Në fund të vitit 2025, Asambleja Kombëtare miratoi një sërë ndryshimesh në Ligjin e Shërbimeve Mjekësore. Disa ndryshime synojnë të përafrojnë seksionin e vitit 1977 mbi abortin me Kushtetutën e vitit 2013. Ndryshimet e reja në ligj, ndër të tjera, do t'u lejonin vajzave nën 18 vjeç të kryenin abort në tremujorin e parë, edhe pa pëlqimin e prindërve, dhe në përgjithësi do të zgjeronin kërkesat ligjore për aborte deri në 20 javë në rastet që përfshijnë rreziqe shëndetësore, anomali serioze fetale, përdhunim ose incest. Mbështetësit e projektligjit thonë se reformat mund të ulin numrin aborteve të pasigurta dhe të forcojnë të drejtat riprodhuese. Ndërsa ata që i kundërshtojnë këto ndryshime në legjislacion nënvizojnë se projektligji dobëson mbrojtjen e foshnjave të palindura dhe mund të çojë në abuzim.

Mbrojtja e jetës

Konferenca e ipeshkvijve paralajmëron se ligji i propozuar synon ta bëjë abortin "diçka të lehtë për t’u kryer, edhe pa dijeninë ose pëlqimin e prindërve ose kujdestarëve në rastin e të miturve, dhe madje edhe pa përfshirjen e një bashkëshorti/bashkëshorteje". Kjo gjë përfaqëson, thuhet në deklaratë, "një banalizim të rëndë të një veprimi që zbaton ndërprerjen e qëllimshme të një jete njerëzore thjesht sepse ajo jetë është e paaftë të mbrohet vetë". Ky ndryshim “shmang garancitë e përcaktuara me ligj dhe minon dinjitetin e familjes”.

“Ndërsa falënderojmë për heqjen e dënimit me vdekje në Zimbabve”, përfundojnë ipeshkvijtë e vendit afrikan, duke i ftuar bashkësitë e krishtera të reflektojnë, “ne lutemi gjithashtu që fëmijët ende në barkun e nënës të mos dënohen me vdekje vetëm ngaqë nuk mund t’i shohim fytyrat dhe nuk mund t’i dëgjojmë zërat e tyre”.

10 shkurt 2026, 10:11