Kërko

2026.03.14 Share peace logo

Çelësi i fjalëve të Kishës: kontributi i Kishës për paqen

“Paqja rrënjoset vetëm nëpërmjet paqes, asaj paqeje që s’është e shkëputur nga detyrat e drejtësisë, por që ushqehet nga flijimi vetjak, zemërbutësia, mëshira, dashuria”, shkruan Papa Pali VI në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 1976

R.SH. - Vatikan

Nxitja e paqes në botë është pjesë integruese e misionit me të cilin Kisha vazhdon veprën shëlbuese të Krishtit në tokë. Kisha, në fakt, është, në Krishtin, «”sakrament” domethënë shenjë dhe mjet paqeje në botë dhe për botën», siç thoshte Papa shenjt Gjon Pali II, në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2000 (20). Pjesë e Doktrinës Shoqërore të Kishës, së cilës ia kemi kushtuar këtë cikël emisionesh, është pikërisht nxitja e paqes së vërtetë, e cila është shprehje e fesë së krishterë në dashurinë, që Hyji ushqen për çdo qenie njerëzore. Nga feja që liron në dashurinë e Hyjit rrjedh një vizion i ri për botën dhe një mënyrë e re për t’iu afruar tjetrit, qoftë ai person i vetëm apo popull i tërë: është fe që ndryshon dhe ripërtërin jetën, e frymëzuar nga paqja, që Krishti u ka lënë apostujve të Vet (shih Gjn 14, 27). E shtyrë vetëm nga kjo fe, Kisha dëshiron të nxisë unitetin e të krishterëve dhe bashkëpunimin e frytshëm me besimtarët e feve të tjera. Diferencat fetare nuk mund dhe nuk duhet të përbëjnë shkak për konflikt: kërkimi i përbashkët i paqes nga ana e të gjithë besimtarëve është një faktor i fortë uniteti ndërmjet popujve (shih Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 1988, 3). Kisha fton persona, popuj, shtete dhe kombe që të bëhen pjesëmarrës të shqetësimit të saj për rivendosjen dhe konsolidimin e paqes duke theksuar, në veçanti, funksionin e rëndësishëm të së drejtës ndërkombëtare.

Paqja e vërtetë është e mundur vetëm nga falja dhe pajtimi

Kisha mëson se paqja e vërtetë është e mundur vetëm nga falja dhe pajtimi. Nuk është e lehtë të falësh kur ndodhesh përpara rrjedhojave të luftës dhe të konflikteve, sepse dhuna, sidomos kur të çon “deri në humnerat e çnjerëzimit dhe të pikëllimit” (Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 2002, 9), lë gjithmonë trashëgimi një barrë të rëndë dhimbjesh, që mund të lehtësohet vetëm nga një reflektim i thelluar, i ndershëm dhe i guximshëm me palët kundërshtare dhe që duhet të jetë në gjendje t’i trajtojë vështirësitë e sotme me një qëndrim pendese. Pesha e së kaluarës, që nuk mund të harrohet, mund të pranohet vetëm në prani të faljes së ndërsjellë, të dhënë e të marrë: bëhet fjalë për një rrugë të gjatë dhe të vështirë, por jo të pamundur (Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 1997, 3 e 4).

Krijimi i Organizmave gjyqësore ndërkombëtare

Falja e ndërsjellë nuk duhet t’i lërë mënjanë kërkesat e drejtësisë e, aq më pak, të pengojë ecjen që të çon tek e vërteta: drejtësia dhe e vërteta përfaqësojnë kushtet paraprake konkrete të pajtimit. Doktrina Shoqërore e Kishës i sheh si të përshtatshme nismat, që kanë për qëllim krijimin e Organizmave gjyqësore ndërkombëtare. Organizma të tilla, duke përfituar nga parimi i juridiksionit universal dhe nga procedura të përshtatshme, që respektojnë të drejtat e të pandehurve dhe të viktimave, mund të vërtetojnë të vërtetën mbi krimet e kryera gjatë konflikteve të armatosura. Është e nevojshme, megjithatë, të shkohet përtej sjelljeve kriminale, qoftë të atyre që veprojnë aktivisht, qoftë të atyre që janë fajtorë për moskryerjen e një veprimi, që duhej bërë; duhet të shkohet edhe përtej vendimeve për procedurat e dëmshpërblimit, në mënyrë që të arrihet vendosja e marrëdhënieve të drejta ndërmjet popujve të ndarë, me vulën e pajtimit. Është e nevojshme, gjithashtu, të nxitet respektimi i së drejtës për paqe: kjo e drejtë “favorizon krijimin e një shoqërie brenda së cilës marrëdhëniet e forcës zëvendësohen nga marrëdhëniet e bashkëpunimit, duke pasur parasysh të mirën e përbashkët” (Gjon Pali II, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 1999, 11).

Kisha lufton për paqen me lutje

Kisha lufton për paqen me lutje. Lutja hap zemrën jo vetëm për marrëdhënie të thella me Hyjin, por edhe për takimin me të afërmin nën shenjën e respektit, të besimit, të mirëkuptimit, të vlerësimit dhe të dashurisë. Lutja përhap guxim dhe mbështet të gjithë “miqtë e vërtetë të paqes”, të cilët kërkojnë ta nxisin atë në rrethanat e ndryshme në të cilat jetojnë. Lutja liturgjike është “kulmi drejt të cilës priret veprimi i Kishës dhe njëherazi edhe burimi prej së cilës rrjedh krejt forca e saj” (Koncili II i Vatikanit, Kusht. Sacrosanctum Concilium, 10); në veçanti kremtimi eukaristik, “burim dhe kulm i krejt jetës së krishterë” (Koncili II i Vatikanit, Kusht. dogm. Lumen gentium, 11), është burimi i pashtershëm i çdo angazhimi autentik të krishterë për paqen.

Ditët Botërore të Paqes

Ditët Botërore të Paqes, për shembull, janë kremtime me intensitet të veçantë për lutjen e kërkimit të paqes dhe për angazhimin e ndërtimit të një bote paqeje.

Papa Pali VI i themeloi këto ditë me qëllim që “t’ua kushtonte mendimeve dhe qëllimeve të paqes një kremtim të veçantë ditën e parë të vitit shoqëror” (Pali VI, Mesazh për Ditën Botërore të Paqes 1968). Mesazhet papnore për këtë rast të përvitshëm përbëjnë një burim të pasur përditësimi dhe zhvillimi të doktrinës shoqërore dhe tregojnë veprimin e vazhdueshëm baritor të Kishës në dobi të paqes: “Paqja rrënjoset vetëm nëpërmjet paqes, asaj paqeje që s’është e shkëputur nga detyrat e drejtësisë, por që ushqehet nga flijimi vetjak, zemërbutësia, mëshira, dashuria”, shkruante vetë Papa Pali VI në Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Paqes 1976.

26 mars 2026, 09:52