Kardinali Pizzaballa: marrëveshje për Pashkët, kremtimet e garantuara por me dyer të mbyllura
R.SH. – Vatikani
Kremtime të Pashkëve me dyer të mbyllura, me një numër të kufizuar njerëzish dhe në regjim sigurie. Pas ngjarjeve të rënda dhe të paprecedenta të 29 marsit, të Dielën e Larit, kur policia izraelite bllokoi kardinalin Pierbattista Pizzaballa dhe atë Francesco Ielpo, duke u penguar atyre hyrjen në Kishën e Varrit të Shenjtë, sot Patriarku Latin i Jeruzalemit dhe Rojtari i Tokës së Shenjtë, në një konferencë shtypi të përbashkët, shpallën masat e reja për atë që është data qendrore e vitit liturgjik dhe e fesë krishtere.
Ka ende dhimbje dhe keqardhje për një ndalesë që ngjalli reagimin e fortë të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, por kardinali Pizzaballa tha menjëherë: ''Nuk është qëllimi ynë t'u rikthehemi në mënyrë polemizuese ngjarjeve të së dielës së kaluar. Dëshira jonë është më tepër të shohim përpara me frymë konstruktive, në mënyrë që liria e kultit për të gjitha fetë të respektohet gjithmonë dhe Status Quo – veçanërisht brenda Bazilikës së Varrit të Shenjtë – të ruhet plotësisht. Mbi këto parime dëshirojmë të vazhdojmë të ndërtojmë, në dialog dhe bashkëpunim me autoritetet, të bindur se respekti i ndërsjellë është themeli i një bashkëjetese autentike dhe i mbrojtjes së Vendeve të Shenjta, të cilat nuk i përkasin vetëm kësaj toke, por mbarë njerëzimit”.
Të drejta të panegociueshme
Urimi i ipeshkvit të Jeruzalemit dhe i Rojtarit të Tokës së Shenjtë është që “ngjarje të tilla të mos përsëriten më” dhe që të mbrohen të drejtat e komuniteteve të krishtera: “Ajo që ndodhi – theksuan ata – na ofron gjithashtu rastin për të riafirmuar me qartësi disa parime dhe të drejta themelore që i konsiderojmë thelbësore dhe të panegociueshme. Prej më shumë se shtatë shekujsh, Rojtaria Françeskane e Tokës së Shenjtë ruan Vendet e Shenjta kryesore dhe, në veçanti, Bazilikën e Varrit të Shenjtë, së bashku me Kishën Greko-Ortodokse dhe Kishën Apostolike Armene. Bëhet fjalë për një prani të vazhdueshme dhe të qëndrueshme, të njohur me kalimin e kohës dhe të respektuar nga autoritetet e ndryshme që kanë qeverisur këtë tokë. Prej shtatë shekujsh, një komunitet i qëndrueshëm fretërish françeskanë jeton dhe kremton brenda Varrit të Shenjtë pa ndërprerje, në çdo rrethanë dhe situatë, edhe gjatë periudhave më të vështira të historisë, përfshirë kohët e luftës. Për më tepër, që nga fillimi i konfliktit aktual, më 28 shkurt, liturgjia brenda Bazilikës nuk është ndërprerë kurrë”.
Edhe në kohë lufte, Status Quo nuk është shkelur kurrë
Patriarku Latin deshi gjithashtu të kujtonte në mënyrë të prerë “se Rojtari i Tokës së Shenjtë është eprori i Varrit të Shenjtë dhe, si i tillë, nuk ka nevojë për lejen e policisë për të hyrë në Bazilikë”. Nuk bëhet fjalë për një privilegj – shpjegoi ai – “por për njohjen e një të drejte të konsoliduar prej kohësh”. Ai këmbënguli më pas në faktin se për shekuj me radhë, qeveritë e ndryshme që kanë pasuar njëra-tjetrën në Tokën e Shenjtë kanë konfirmuar dhe respektuar gjithmonë Status Quo-në", domethënë kuadrin juridik dhe praktik që rregullon jetën e Vendeve të Shenjta dhe të komuniteteve që i ruajnë ato. “Është e rëndësishme të kujtojmë se miliarda besimtarë në mbarë botën shikojnë drejt Jeruzalemit dhe lutjeve që thonë në vendet e shenjta. Qeveria e Izraelit duhet ta ketë parasysh këtë aspekt, si dhe përgjegjësinë që i takon ndaj botës krishtere, për të vazhduar të garantojë në çdo moment – dhe pavarësisht vështirësive – zhvillimin e lutjeve dhe për të gjetur zgjidhje të përshtatshme në koordinim me ne. Kjo është ajo që u bë dje, dhe u gjetën zgjidhje. Bëhet fjalë për një dialog që duhet të mbahet në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë”.