Kërko

Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jerusalemit

Kard. Pizzaballa: në Gazë njerëzit jetojnë në kanale, çdo gjë është ende e shkatërruar

Patriarku Latin i Jeruzalemit foli për dramën në Rripin e Gazës gjatë një video lidhjeje me fondacionin "Oasis": Bordi i Paqes nuk është bërë operativ dhe nuk e dimë nëse do të bëhet; "manipulimi i emrit të Zotit për të justifikuar këtë apo çdo luftë tjetër është mëkati më i rëndë që mund të kryejmë në këtë kohë".

R.SH. - Vatikan

Me luftën kundër Iranit që po përfshin mbarë Lindjen e Mesme, kardinali Pierbattista Pizzaballa rikthen në plan të parë skenarin e Gazës, ku situata humanitare mbetet shkatërrimtare. Kështu tha Patriarku Latin i Jeruzalemit gjatë një video lidhjeje me fondacionin "Oasis", duke kujtuar fjalët e shprehura vazhdimisht nga Papa Leoni XIV mbi dhunën që gjeneron vetëm dhunë tjetër dhe ushqen një urrejtje të thellë.

Zoti është me ata që vuajnë

“Manipulimi i emrit të Zotit për të justifikuar këtë apo çdo luftë tjetër – deklaroi patriarku latin i Jeruzalemit Pizzaballa – është mëkati më i rëndë që mund të kryejmë në këtë kohë”.

“Nuk ka kryqëzata të reja dhe Zoti nuk ka lidhje me gjithë këtë”, theksoi ai, “Zoti është mes atyre që po vdesin, që janë keq, që vuajnë”. Kardinali Pizzaballa paraqiti më pas një gjendje jashtëzakonisht kritike të situatës humanitare në Rripin e Gazës, për të cilën tashmë flitet pak, duke u ndalur edhe te i ashtuquajturi ‘Komiteti për Paqe’ i promovuar nga presidenti Donald Trump. “53% e Rripit të Gazës, ku jetojnë mbi dy milionë të shpërngulur, është nën kontrollin e drejtpërdrejtë izraelit; 47% ku ndodhet pjesa më e madhe e palestinezëve është nën kontrollin e Hamasit. 80% e Rripit është e shkatërruar dhe rindërtimi nuk ka filluar ende”.

Kjo situatë reflektohet edhe mbi ato pak struktura shëndetësore që kanë mbetur në këmbë dhe janë pjesërisht operative. “Mungojnë ilaçet, madje edhe antibiotikët bazë. Njerëzit jetojnë fjalë për fjalë në kanalet e ujërave të zeza, në tenda. Shkollat janë pothuajse të gjitha të shkatërruara”. Rripi i Gazës mbetet i padepërtueshëm për ndihmat, me vendkalimet praktikisht të mbyllura. Duke komentuar nismën amerikane, ai konstatoi se “Bordi i Paqes (Board of Peace) nuk është bërë operativ dhe nuk e dimë nëse do të bëhet. Dhe ende nuk e kam kuptuar se çfarë dëshiron të bëjë”.

Situatë e vështirë edhe për të krishterët

Bllokimi është total, denoncon patriarku i Jeruzalemit të Latinëve, me Hamasin që nuk dëshiron të dorëzojë armët derisa Izraeli të tërhiqet dhe Izraelin që nuk do të lëshojë pe derisa lëvizja islamiste të çarmatoset. Kardinali Pizzaballa më pas tërhoqi vëmendjen mbi përkeqësimin e krizës në Bregun Perëndimor. “Pothuajse çdo ditë ka sulme të kolonëve kundër palestinezëve, përfshirë edhe të krishterët”.

Lëvizja edhe këtu është bërë pothuajse e pamundur dhe lejet në pjesën më të madhe anulohen. Ndërkohë, po ecin përpara nismat legjislative izraelite për riregjistrimin e tokave në dëm të popullsisë palestineze. Kriza dhe tensionet nuk kursejnë as sistemin arsimor të krishterë, duke vënë në vështirësi shumë familje. Në Jeruzalem janë 15 shkolla të krishtera ku nuk mund të arrijnë më mbi dyqind mësues të krishterë që jetojnë në Betlehem. “Jemi gjithmonë nën një tension të vazhdueshëm, – përfundon kardinali Pizzaballa – dhe situata mbetet shumë e komplikuar për të gjithë ne”.

17 mars 2026, 14:18