Kard. Pizzaballa dhe Atë Ielpo u ndalohet hyrja në Varrin e Shenjtë
R.SH. / Vatikan
Sot paradite, 29 mars 2026, policia izraelite e pengoi Patriarkun Latin të Jerusalemit, Kardinalin Pierbattista Pizzaballa, dhe Kujdestarin e Tokës së Shenjtë, Atë Francesco Ielpo, të hynin në Bazilikën e Varrit të Shenjtë, në Jerusalem, ndërsa ishin në rrugë për të kremtuar Meshën e të Dielës së Larit a të Palmave.
Masë e paarsyeshme dhe joproporcionale
Patriarkana Latine dhe Kujdestaria e Tokës së Shenjtë e njoftuan këtë në një deklaratë të përbashkët. Ata denoncojnë se mohimi i hyrjes për ata që "kanë përgjegjësitë më të larta kishtare për Kishën Katolike dhe Vendet e Shenjta" përbën "një masë qartësisht të paarsyeshme dhe shumë disproporcionale". Ky vendim konsiderohet "i nxituar dhe krejtësisht i gabuar, i ndotur nga konsiderata të papërshtatshme" dhe "përfaqëson largim serioz nga parimet themelore të arsyes, lirisë së adhurimit dhe respektit për Status Quo-në".
Pengesa e parë e tillë në shekuj
Kardinali Pizzaballa dhe Kujdestari Atë Ielpo, shpjegohet, u ndaluan përgjatë rrugës, "ndërsa vazhdonin privatisht dhe pa asnjë karakteristikë procesioniale ose ceremoniale". Prandaj u detyruan të ktheheshin prapa. Është "hera e parë ndër shekuj" që udhëheqësit e Kishës "pengohen të kremtojnë Meshën e së Dielës së Palmave, në Kishën e Varrit të Shenjtë".
Ky, thuhet ashpërsisht në deklaratë, është "një precedent serioz" që injoron "ndjeshmërinë e miliarda njerëzve në mbarë botën të cilët, këtë javë, po i drejtojnë sytë nga Jerusalemi". Në komunikatë theksohet gjithashtu se gjatë gjithë kësaj kohe, udhëheqësit e Kishës kanë respektuar gjithmonë udhëzimet e autoriteteve dhe kufizimet e vendosura për shkak të konfliktit, duke vepruar "me përgjegjësi të plotë". "Mbledhjet publike janë anuluar, pjesëmarrja është ndaluar dhe janë bërë rregullime për transmetimin e festimeve e për qindra miliona besimtarë në të gjithë botën, të cilët, gjatë këtyre ditëve të Pashkëve, e kthejnë shikimin e tyre nga Jerusalemi dhe Bazilika e Varrit të Shenjtë".
Prandaj, Patriarku Latin Pizzaballa dhe Kujdestari i Tokës së Shenjtë Atë Ielpo "shprehin keqardhjen e tyre të thellë për besimtarët e krishterë në Tokën Shenjte dhe në mbarë botën, që lutja në një nga ditët më të shenjta të kalendarit të krishterë, është penguar në këtë mënyrë".
Një lutje për paqen nga Mali i Ullinjve
Sot, me rastin e solemnitetit të Dielës së Larit a të Palmave, sipas një deklarate të lëshuar më parë nga Patriarkana, Kardinali Pizzaballa, Patriarku Latin i Jerusalemit do të udhëheqë një çast lutjeje për paqe nga Shenjtërorja e Dominus Flevit në Malin e Ullinjve, në Jerusalem. Në përfundim, kardinali do të japë bekimin mbi Qytetin e Shenjtë.
E njëjta deklaratë sqaron se për shkak të kufizimeve të vendosura nga lufta në Lindjen e Mesme, pjesëmarrja në shtyp nuk do të lejohet, por mbulimi do të sigurohet nga një ekip i agjensisë Reuters.
Anulimi i procesionit për të Dielën së Palmave
Për të njëjtat arsye që lidhen me konfliktin, procesioni tradicional i së Dielës së Palmave nga Mali i Ullinjve në Jerusalem u anulua ditët e fundit. Me këtë rast, në një deklaratë të publikuar në faqen e internetit të Patriarkanës, kardinali theksoi se "ashpërsisë së kësaj kohe lufte, e cila na prek të gjithëve, tani i shtohet pamundësia për të festuar Pashkët së bashku, me dinjitet. Kjo plagë" i shtohet "shumë të tjerave të shkaktuara nga konflikti", megjithatë nuk mund ta ndalojë lutjen. Sepse, përfundoi ai, "asnjë errësirë, madje as ajo e luftës, nuk mund ta ketë fjalën e fundit".