Kërko

Këtu Jezusi vdiq e u ringjall: pse Varri i Shenjtë është kaq i rëndësishëm?

Bazilika në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit është shenjë e historisë dhe e fesë, por edhe laborator për takim dhe bashkëjetesë. Parandalimi i festimit të së Dielës së Palmave ishte plagë për mbarë njerëzimit.

R.SH. - Vatikan

Nuk është Kishë si çdo tjetër, por një nga vendet më të rëndësishme për të krishterët e të gjitha feve, ndërtesa nën çatinë e së cilës, sipas traditës, ndodhën ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kishës, të të gjitha Kishave: vdekja dhe ringjallja e Jezusit.

Është Kisha e Varrit të Shenjtë, në zemër të Qytetit të Vjetër të Jeruzalemit.

Këtu janë Kalvari dhe Varri i Zbrazët, dy polet e pandashme të misterit të vdekjes dhe ringjalljes së Jezusit, misteri që festohet çdo vit gjatë Javës së Madhe, të Shenjtë, sezoni më i rëndësishëm liturgjik për Kishën. Varri i Shenjtë i Jezu Krishtit është pikë takimi ndërmjet historisë e fesë, që gjithmonë ka tërhequr shtegtarë nga mbarë bota, sepse nën këta gurë Kisha njeh rrënjët e misionit të saj. Për këtë arsye, ndalimi i vendosur dje i Kardinalit Pierbattista Pizzaballa, Patriarkut Latin të Jeruzalemit të latinëve, dhe i Kujdestarit të Tokës së Shenjtë, Atë Francesco Ielpo, ka një peshë të madhe jo vetëm në  nivel fetar, por edhe në marrëdhëniet ndërmjet feve të mëdha, që kanë një pikë referimi në Qytetin e Shenjtë.

Thesar feje e historie për botën

Provat e lashta e vendosin në këtë zonë kodrën e Golgotës, ku u kryqëzua Krishti, dhe varrin e blerë nga Jozefi i Arimatesë në këtë zonë, ku trupi i Jezusit u varros me nxitim në prag të Sabatit - të së shtunës. Që nga shekulli i 4-të, kur Konstandini vendosi të ndërtonte një bazilikë për të ruajtur këto vende të shenjta, ndërtesa u bë cak i pandërprerë shtegtimi, pavarësisht nga shkatërrimi, rindërtimi dhe periudha e ripërtëritjes së thellë. Pamja aktuale zbulon një shtresëzim stilesh dhe ndërhyrjesh që flet jo vetëm për qëndrueshmërinë e vendit, por edhe për vazhdimësinë e fesë së krishterë gjatë shekujve.

Prania e përditshme e besimtarëve nga çdo kontinent i jep bazilikës ritëm intensiv liturgjik. Denominacionet e ndryshme të krishtera sjellin traditat e tyre të lutjes këtu, në këtë mjedis, që kërkon vëmendje dhe respekt të ndërsjellë. Katolikët, ortodoksët grekë, armenët dhe përfaqësuesit e Kishave të tjera Lindore festojnë në të njëjtën ndërtesë, secili me rite dhe hapësira të përcaktuara, por të bashkuar nga një nderim i përbashkët për Varrin e Zbrazët. Pavarësisht kompleksitetit që rrjedh nga ky shumës, jeta e Shenjtërores mbetet shenjë konkrete e dialogut të mundshëm, e mbështetur nga devocioni i përbashkët dhe lidhja e vazhdueshme me Misterin e Pashkëve.

Ekuilibri delikat, por i çmuar i "status quo-së"

Kjo bashkëjetesë bëhet e qëndrueshme nga "status quo", marrëveshja që rregulloi saktësisht menaxhimin e kompleksit që nga shekulli i 18-të. Asgjë nuk mund të ndryshohet, as edhe një detaj i vetëm, pa pëlqimin e të gjitha komuniteteve të përfshira. Fretërit e Vegjël të Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë, të pranishëm për tetë shekuj në emër të Kishës Katolike, kanë përgjegjësinë për bazilikën, së bashku me Kishën Ortodokse Greke dhe Kishën Apostolike Armene. Edhe Bashkësitë e tjera të pranishme kanë zona e të drejta të veçanta, në një strukturë që, ndonse e ngurtë, ka siguruar me kalimin e kohës, vazhdimësinë e adhurimit dhe ruajtjen e vendit. Status quo-ja mbetet mjet themelor për ruajtjen e paqes në një vend plot me tensione fetare dhe politike e, në të njëjtën kohë, përfaqëson një shembull unik të qeverisjes së përbashkët në zemër të një qyteti, simbol i përkatësisë fetare të botës.

Itinerari i shtegtarëve brenda bazilikës, përshkon disa nga stacionet e fundit të Udhës së Dhimbshme: nga kryqëzimi, në vendin ku u varros korpi i Krishtit, deri në edikula, që strehon varrin. Këtu përqendrohet lutja e atyre që kërkojnë kontakt të drejtpërdrejtë me kujtimin e Mundimeve të Jezu Krishtit,  gjest i thjeshtë e i lashtë, që vazhdon t'u flasë zemrave të atyre që vijnë në këtë shenjtore. Pavarësisht pasigurive dhe brishtësisë së kontekstit të tij, Varri i Shenjtë mbetet shenjë uniteti për të krishterët dhe burim shprese, që përfshin shekujt. Kjo është arsyeja pse, veçanërisht në kontekstin aktual ku konflikti i armatosur duket të jetë i vetmi mjet për të zgjidhur çështjet ndërkombëtare, ruajtja dhe përmirësimi i një vendi si Varri i Shenjtë ka  vlerë profetike me rëndësi universale.

(nga Avvenire, 30 Mars 2020, nga Matteo Liut)

30 mars 2026, 16:54