Kërko

Kori i Sapës në Reggio Emilia

Një përvojë vëllazërie në mes dy Dioqezave që prej dekadash ecin së bashku; Dioqeza e Sapës dhe e Reggio Emilias. Nga 19 deri më 23 mars, Administratori Dioqezan i Sapës, atë Mariano Tarantino së bashku me Korin Dioqezan zhvilluan një vizitë 4 ditore në këtë zonë të Italisë

R.SH. - Vatikan

Takime, meshë e vizita. Këto karakterizuan mikpritjen italiane për administratorin dioqezan të Sapës, atë Mariano Tarantino, i cili, nga 19 deri më 23 mars, së bashku me Korin Dioqezan zhvilluan një vizitë 4 ditore në dioqezën e Reggio Emilias, në Itali, një dioqezë mike prej pothuajse tre dekadash. Më hollësisht, na njofton Violeta Marashi...

Dëgjoni Violeta Marashin...

VIZITA E DIOQEZËS SAPË NË DIOQEZËN E REGGIO EMILIAS

Këto ditë datë 19 – 23 mars, Administratori Dioqezan i Sapës, Pader Mariano Tarantino së bashku me Korin Dioqezan zhvilluan një vizitë 4 ditore në Dioqezën e Reggio Emilias, në Itali, një dioqezë mike prej pothuajse tre dekadash.

Në fillim Atë Mariano është pritur nga Ipeshkvi i vendit, Mons. Giacomo Morandi, në rezidencën e tij, ku zhvilluan një bisedë miqësore mes tyre, duke kujtuar edhe Mons. Simonin që e kishte shumë për zemër këtë binjakëzim mes dy dioqezave. Njëkohësisht u diskutua edhe për vazhdimin e këtij binjakëzimi ku Atë Mariano shprehi falenderimet për mbështetjen e treguar deri më sot si në në anën pastorale ashtu edhe atë sociale.

Gjithashtu Administratori i Sapës,  u takua edhe me Përgjegjesin e Qendrës Misionare, dom Markon dhe me Drejtorin e Caritasit të Reggios, Andrean si edhe me shumë miq të tjerë që në këto vite kanë vizituar dhe mbështetur dioqezën e Sapës, dhe u fol gjithnjë për vazhdimësi të kësaj ecjeje të përbashkët.

Tjetër eveniment u zhvillua të shtunën e 21 marsit, edhe në famullinë Castelnuovo ne Monti, ku u kremtua Mesha Shenjtë në gjuhën shqipe për të gjithë shqiptarët e asaj zone. Dhe me këtë rast, kori Dioqezan i Sapës, animoi me këngët liturgjike në gjuhën shqipe. Pas meshës kjo famulli organizoi një festë të përbashkët për shqiptarët, ku grupi i Sapës pati mundësinë të takohej me shqiptarët që kishin ardhur për meshën shenjte.

Ndërsa të dielen e pestë të Kreshmeve zhvilluan një tjetër vizitë në famullinë e Novelarës ku morën pjesë në Meshën Shenjte të paradites, ndërsa pasdite gjatë një vigjilje lutjeje në kujtim të Martirëve tanë të Shqipërisë, Kori Dioqezan e shoqëroi këtë mbrëmje lutjeje me këngët në shqip kushtuar Martirëve.

Ishte kjo një përvojë vëllazërie në mes dy Dioqezave që prej dekadash ecin së bashku; Dioqeza e Sapës dhe e Reggio Emilia. Një shkëmbim eksperiencash duke përcjellur bashkë me muzikën një mesazh rilindjeje miqësie.

24 mars 2026, 15:19