Kërko

2022.05.02 Mostra Onde Barocche

Meditime për Javën e Madhe të Pashkëve

Java e Madhe e Shenjtë e Pashkëve fillon me të Dielën e Larit. Ta përshkojmë me një vështrim mbi Jezusin, mbi misterin e dashurisë së Tij që shkon deri në dhurimin e vetes.

R.Sh. Vatikan

Jezusi nuk vuri asgjë para vullnetit të Atit Hyjnor, as planin e predikimit që kishte filluar, as miqtë që kishte thirrur pranë vetes dhe i kishte mësuar të vazhdonin misionin e Tij, madje as Nënën Mari që e donte aq shumë. Asgjë! Jezusi iu bind me besnikëri Atit.

Pas hyrjes me ngadhënjim të Jezusit në Jeruzalem, brohoritjet e turmës "Hosana" – të përbërë nga të rinj dhe të vjetër, me palma, rregë ullinjsh dhe mantelë të shtrirë si qilima – shpejt ndryshuan dhe u bënë thirrje për "kryqëzim", “Të kryqëzohet!”. Këto fjalë, me shumë mundësi, u shqiptuan nga e njëjta turmë, e pavetëdijshme për arsyen e dënimit të tij, as për të vërtetën, por thjesht duke iu përshtatur britmave të shumicës.

Zërat e pak vetëve – ato të apostujve dhe të Nënës së tij të dashur, Marisë – zërat e atyre që e dinin se ishte i pafajshëm dhe gjithçka që ai kishte bërë gjatë jetës së tij publike, u mbytën nga britmat këmbëngulëse "Kryqëzoje!". Dhe përsëri, kur i nxorën përballë Jezusin dhe një kriminel, turma bërtiti: "Duam që Baraba të lirohet, Jezusi i Nazaretit të vritet!"

Jezusi vendosi t'i bindej Atit, zgjodhi të bënte vullnetin e Tij! Për këtë arsye, gjatë Darkës së Pashkës, Jezusi gjeti një mënyrë për të na lënë një shembull. U lau këmbët dishepujve të tij, ai që ishte Mësuesi, për të na thënë se edhe ne duhet ta duam dhe t'i shërbejmë njëri-tjetrit me përparësen e ngjeshur në brez, gjithmonë të gatshëm t'i shërbejmë të gjithëve me një mëshirë të tillë, madje edhe më të panjerzishëmve , madje edhe atyre që na bëjnë të vuajmë dhe na shkaktojnë ankth, nga mëngjesi deri në darkë. Le të reflektojmë: midis të dymbëdhjetëve ishte Juda, dhe Jezusi e dinte mirë se do ta tradhtonte, megjithatë e zgjodhi, e mbajti midis miqve të tij, kurrë nuk e largoi. Kush e di me sa durim u përpoq ta edukonte! Jezusi e dinte se Juda ishte hajdut por prapseprap e la të mbarështonte pasurinë e përbashkët. Sa shumë besim kishte tek Juda deri në çastin e fundit!

Edhe atë mbrëmje, në darkë me dishepujt, kush e di me çfarë guximi, para se të vdiste, Jezusi gjeti një mënyrë të qëndronte përgjithmonë me ne, Eukaristinë, Sakramentin e Dashurisë. Nuk kishte ku të vente më poshtë në shkallën e përultësisë! Kështu, shëlbuesi ynë bëhet i pranishëm në një copë bukë dhe disa pika verë. Trupi, Gjaku, Shpirti dhe Hyjnia e Tij, i gjithë personi i tij, është në mesin tonë përgjithmonë dhe të gjitha ata që e pranojnë si Shpëtimtar mund ta marrin në zemër.

Kur shkoi për t’u lutur në vetmi, Jezusi thirri Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin që t’i bënin shoqëri, por, mjerisht, ata ranë në gjumë ndërsa Jezusi i lutej Atit t’ia largonte atë kelshejt vuajtjesh. Skena e agonisë në Kopshtin e Ullinjve na shfaqet para syve. Jezusi, i ndrydhur nga pritja e sprovës që e pret, i vetëm para Hyjit, e thërret atë me shprehjen e tij të zakonshme dhe të qetë të besimit, “Abba, Atë!”. Por Ati duket se nuk e dëgjon zërin e Birit të tij të dashur. E pra, thellësinë e këtij misteri nuk do të reshtim kurrë së kundruari!

Jezusi dënohet, lihet vetëm. Miqtë e tij, nga frika, ikin, e braktisin. Jezu Krishti tradhtohet nga Juda dhe mohohet nga Pjetri. I gjithë hidhërimi i këtij paradoksi vihet re në britmën në dukje të dëshpëruar të dhimbjes që Jezusi lëshon nga kryqi: “Zoti im, Zoti im, pse më braktise?”

A mund të merret me mend një stërmundim më i madh, një terr më i zi se ky? Britma e Jezusit në kryq, pavarësisht ankthit të tij, është lutja e Birit që ia ofron jetën e vet Atit Hyjnor me dashuri, për shëlbimin tonë. Jezusi e lëshon veten në duart e Atit. Mundimet e tij janë një vuajtje e tmerrshme e shpirtit. Megjithatë, ungjilltarët na tregojnë se edhe në honin e dhimbjes së tij, ai vdes duke u lutur për falje për xhelatët e tij  duke e lënë veten përfundimisht në duart e Atit: "Atë, në duart e tua, po e dorëzoj shpirtin tim!"

Të Premten e Madhe dhe të Shtunën e Madhe, Kisha vazhdon të kundrojë këtë fytyrë të përgjakur të Jezu Krishtit, në të cilën fshihet jeta e Zotit dhe i ofrohet shëlbimi botës. Por kundrimi i fytyrës së Krishtit nuk merr fund te kryqi ku është i gozhduar.

Jezusi është i Ngjalluri, i Gjalli që ecën me ne përgjatë shtigjeve të kësaj bote. Ai gjendet tek njeriu që jeton pranë nesh çdo ditë, por që ne, me verbërinë tonë shpirtërore, nuk e dallojmë. Ngjallja është përgjigjja e Atit ndaj Birit që i bindet.

Si besimtarë, ndihemi thellësisht përgjegjëse që jemi të thirrur nga Jezusi ta ndjekim Atë në një jetë të përkushtuar plotësisht, dhe ndonëse kemi gëzim të madh në zemër, duhet të kuptojmë se nuk mund t’i përgjigjemi si duhet gjithë dashurisë që Ai, Jezusi na ka dhënë dhe vazhdon të na japë. Ne besojmë pa kufij në mëshirën e Tij të pafundme Hyjnore, dhe këtë Javë të Shenjtë të Pashkës, me ndihmën e Tij, duam të ripërtërijm[ angazhimin tonë për ta dëshmuar Jezu Krishtin Zot çdo ditë, me të gjithë forcën tonë të pakët.

31 mars 2026, 11:30