"Nga Kryqi, revolta kundër një shoqërie, që i fshin plagët dhe 'jetët e padenja'"
R.SH. / Vatikan
nga Erik Varden
Ipeshkvi i Trondheimit dhe murgu trapist, norvegjezi Imzot Erik Varden mbajti meditimet për Ushtrimet Shpirtërore të Kreshmës për Papën dhe anëtarët e Kuries Romake. Në këtë shkrim po marrim një fragment nga libri tij me titull "I ndriçuar nga një lavdi e fshehur"(Illuminati da una gloria nascosta) (173 faqe), në librari nga 27 marsi, botuar nga Edizioni San Paolo, dhe po publikojmë vetëm një fragment të librit.
"Për shekuj me radhë, Kisha ka qenë e kujdesshme në paraqitjen e plagëve që Krishti i pësoi gjatë Mundimeve të tij, e zënë siç ishte duke formuluar me fjalë paradoksin që qëndron në zemër të propozimit të krishterë: në Krishtin, hyjnorja dhe njerëzorja janë të dyja plotësisht të pranishme, e ky njeri "i lindur nga Virgjëra Mari" është në të njëjtën kohë "Hyj prej Hyjit; Dritë prej Drite". Vetëm kur Koncili i Kalcedonisë krijoi kornizën konceptuale të nevojshme për ta ruajtur këtë ekuilibër, shpirti i krishterë ishte i lirë ta imagjinonte, jo vetëm me fjalë, por edhe me art, grafikisht, poshtërimin që e mori lirisht përsipër Zoti i bërë njeri.
Kryqëzimi u shfaq si emblemë e krishterë par excellence. Ai erdhi për të zënë qendrën e skenës së kultit, të paktën në Perëndim, ku dukjet e Zotit të plagosur u bënë pika qendrore e Kishave dhe e ndërtesave tona të tjera, duke e formuar kështu ndërgjegjen publike. Duke u kujtuar të krishterëve të Korintit për ardhjen e tij ndërmjet tyre, Pali shkroi: "Unë nuk u paraqita, duke ju shpallur misterin e Zotit me fjalë, as me dije të lartë. Sepse vendosa të mos di asgjë ndërmjet jush, përveç Jezu Krishtit, e Krishtit të kryqëzuar" (1 Kor 2,1-2).
Qendrueshmëria absolute e Mundimit shëlbues të Jezusit përshkoi doktrinën e këtij predikatari të pakrahasueshëm të pajtimit, mëshirës, hirit shndërrues, gëzimit dhe jetës së amshuar. Duhet guxim për të ndjekur shembullin e tij në një kulturë që na tundon të përhapim një Ungjill më të gëzuar, të parashikueshëm në terma të procedurave të fiksuara dhe rezultateve të paracaktuara. Rreth nesh, navatat e Katedraleve të lashta, të errësuara nga kryqet, po shndërrohen në fusha minigolfi. Shenjtëroret përdoren për skeçe laike të projektuara, për të paraqitur një "rëndësi" të supozuar. Ndërkohë, dy hapa larg, megjithatë, në arenën e botës, të rinjtë lëkunden të dëshpëruar, duke kënduar ëmbëlsisht se jeta është varrë e hapur dhe se "nuk ka balsam në Galaad" (Jer. 8,22).
Dy prirje kontradiktore shënojnë përpjekjet e sotme për të përballuar plagët. Nga njëra anë, njerëzit janë gati për të zbuluar plagët e tyre, qofshin të fituara, të trashëguara apo të përfytyruara, si shprehje të identitetit. Ata mund të kenë arsye të mira, motive të bazuara në kërkesat për drejtësi. Por, siç shpjegoi shën Bernardi, perspektiva motivuese humbet, nëse e rrënjosim ndjenjën e vetvetes në lidhjen me një plagë. Ne rrezikojmë të zhytemi në zemërim, pasion që zëvendëson aspiratat për shërim me pohime vetëmohuese. Zemërimi dhe reflektimi i tij, hidhërimi, mund të na bllokojnë në një dëshpërim të vetëkënaqur, në mënyrë perverse.
Nga ana tjetër, ka përpjekje për t’i fshirë plagët. Nënkuptohet se plagët nuk duhet të ekzistojnë dhe se, nëse ekzistojnë, gjymtyrët e sëmura do të hiqen. Në shoqëritë që janë bërë transaksionale, elementët joproduktivë nuk kanë vend; shikohen si anomali dhe trajtohen ashpërsisht. Ky qëndrim është i dukshëm në polemikat mbi abortin dhe eutanazinë, si dhe në diskursin e përsëritur mbi eugjenetikën.
Shihet në ëndrrat distopiane për të çliruar shoqëritë nga të padëshiruarit, të cilët disa politikanë do t'i përkufizonin si rezerva ose do t'i linin të binin nga maja e një shkëmbi. Ky zhvillim mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Megjithatë, duket e vështirë të mohohet se eklipsi në vetëdijen publike të figurës së Krishtit të Kryqëzuar, të Plagosur-por-jo-të-Mposhtur, ka të bëjë me të gjitha këto.
Një qytetërim që, në nivel të caktuar, kërkon masën e tij në imazhin, që pohon rëndësinë e durimit dhe të vuajtjes shëlbuese, shndërrohet me kalimin e kohës: ai mund të mësojë edhe empatinë, ndjenjë që nuk është spontane për njerëzimin e zvetnuar. Nderimi për plagët e Krishtit ka përcaktuar ndjeshmërinë e krishterë për shekuj me radhë, shprehur me devocionin ndaj relikteve të Mundimeve, me Udhën e Kryqit, me poezinë dhe pikturën, e edhe me veprat muzikore, nga Vajtimet e rilindjes - te Pasioni i Bach e deri te himnografia e shekullit të 19-të.
Gjeti shprehje në kultin e Zemrës së Krishtit, që u përhap në mbarë botën pas tërbimit revolucionar. Në zemrën e të gjithë kësaj ishte respekti për misterin e madh të vuajtjes, ndjenjë e gjendjes aktuale njerëzore. Kryqi na lejon të zotërojmë realitetin, duke pohuar njëkohësisht natyrën e pacaktuar të plagëve, të cilat mund të shërohen e edhe të bëhen burime shërimi.
Të lëshosh rrënjë në këtë mister feje, do të thotë të punosh drejt një revolte konstruktive kundër mashtrimeve të përsëritura: kundër mashtrimit politik se shoqëria dhe shteti duhen organizuar sipas një modeli evolutiv, që synon përsosmërinë njerëzore; kundër mashtrimit antropologjik të një standardi normativ të "shëndetit", përdorur për të shënuar ndarjen ndërmjet jetëve "që ia vlen të jetohen" dhe jetëve të konsideruara "të padenja"; kundër mashtrimit kulturor që i atribuon plagëve fuqi fatale dhe deterministe; e edhe kundër mashtrimit psikologjik, që i dorëzohet dëshpërimit, i hipnotizuar nga zëri i cili na pëshpërit në vesh, në mes të natës, historinë e plagëve intime: "Do të jetë gjithmonë kështu".
Mundimet e Krishtit na mundësojnë të vajtojmë pa zemërim. Na nxisin dhembshurinë, kategori epistemologjike e aftë të përgatisë një vizion të bekuar, si ai i Jobit: "Kisha dëgjuar për ty me veshin tim, por tani sytë e mi të panë" (Jobi 42,5). Ne, me Tomën apostull, mund t'i lutemi Krishtit të Kryqëzuar dhe të Ngjallur: "Zoti im e Hyji im!" (krahaso Gjoni 20,28). Ungjilli pohon se plagët e Krishtit, pas ringjalljes së tij, nuk u zhdukën, por u shndërruan në varrë të lavdishme. Edhe plagët e botës mund të jenë të tilla, kur mbi to derdhen vaji dhe vera e Krishtit!
Për besimtarët, Kryqi është si simboli ashtu edhe kujtimi i një ngjarjeje.
Simboli i Mundimeve të Krishtit nuk është diçka që e lindim: na u dha. Është Ai që na interpreton, e jo ne. Ia vlen të këmbëngulim në të, ndërsa notojmë kundër rrymës së një kapitalizmi simbolik të përqendruar në "prodhimin e dijes". Në këtë botë virtuale, "faktet" janë artefakte. Narrativat, imazhet dhe të dhënat trafikohen për të përjetuar ndryshimin, pra për konsum të mëtejshëm. Është e vështirë të kuptosh diçka dhe ta ndryshosh atë në të njëjtën kohë. Si pasojë, kërkimi i qartësisë luan një rol më të vogël në diskursin publik aktual, retorika e pakapshme dhe simbolet e parregullta të të cilit janë disi të dizajnuara për të ngatërruar (krahaso artikullin e Costica Bradatan në Times Literary Supplement, 14 shkurt 2025).
Megjithatë, qeniet njerëzore dëshirojnë të kuptojnë. Ata përcaktohen nga nevoja e tyre për të pyetur: "Pse?"; ata kanë nevojë për mendimin e qartë të Kishës dhe shpresën e përqendruar te Krishti; kanë nevojë për ndjenjën e saj të sigurt të drejtimit; nevojë për simbolet e saj, të cilat janë realiste, të ndryshme nga ato të botës, të përqendruara në një trup historikisht të plagosur, në vdekjen e kapërcyer, në fatin e përjetshëm të qenies njerëzore integrale, të përbërë nga trupi e shpirti. Perspektiva sublime e besimit tonë bazohet në realitete, që kanë ndodhur dhe, në bashkim me korpin mistik të Krishtit, vijojnë të ndodhin!
Ne shpallim se Dashuria transformuese e ka ngopur vuajtjen njerëzore edhe në manifestimet e saj më ekstreme, duke arritur në thellësitë e ferrit, dhe se asnjë shkretim nuk është për këtë arsye përfundimtar. Ky është Ungjilli ynë. Koha jonë e kërkon me sa zë që ka. Të rinjtë që, në parqet tona, këndojnë me zemër të rënduar, kanë uri: e dëgjojnë kur vjen i paraqitur "me autoritet" (krh. Mt 7,29) nga të krishterë të aftë për ta shpjeguar dhe për ta manifestuar të vërtetën pa kompromis, duke treguar hirin e Krishtit, që mund ta ripërtërijë dhe ta transformojë jetën tonë".
(Nga Avvenire, 28 Mars 2026)