Kërko

Jeruzalem, Dominus Flevit Jeruzalem, Dominus Flevit

Toka Shenjte, krerët e Kishave të Jeruzalemit: vdekja nuk e ka fjalën e fundit!

Në mesazhin e Pashkëve, drejtuar besimtarëve të Lindjes së Mesme, prijësit fetarë na ftojnë të kemi shpresë "për të ecur në një jetë të re" pavarësisht "nga lufta shkatërrimtare rajonale".

R.SH. / Vatikan

Siç na mëson Shkrimi Shenjt dhe na e zbulon feja, "shkretimi i varrit nuk ishte fundi i historisë; vdekja nuk e pati fjalën e fundit. Përmes fuqisë së Zotit, Krishti u Ngjall fitimtar nga varri, duke i këputur prangat e mëkatit e të vdekjes. Prandaj, në këto kohë katastrofike, ne ua pohojmë këto fjalë të fuqishme dhe inkurajuese komuniteteve tona dhe të krishterëve në mbarë botën". Këto, fjalët prekëse, shkruar nga patriarkët dhe udhëheqësit e Kishave të Jerusalemit, në mesazhin e tyre të Pashkëve, të publikuar sot.

"Në javët që i paraprinë përkujtimit të këtij viti të vdekjes dhe të ringjalljes së Krishtit", kujtojnë, një luftë e re dhe shkatërruese rajonale e flaku përsëri mbarë Tokën Shenjte dhe Lindjen e Mesme në kaos!

Çdo ditë që kalon sjell me vete shkallëzime gjithnjë e më të dhunshme: një cikël i pamëshirshëm vdekjesh, shkatërrimesh dhe vuajtjesh të tmerrshme përhapet në mbarë botën, duke shkaktuar vështirësi ekonomike gjithnjë në rritje. Nga tymi i zi i këtij shkatërrimi që po përhapet, errësira ​​e thellë e mbështjell rajonin tonë, duke na mbytur si ajri brenda varrit të vulosur të Krishtit të kryqëzuar. E edhe shpresa duket se na braktisi. Megjithatë, "ashtu si Krishti u Ngjall prej së vdekurish përmes lavdisë së Atit, kështu edhe ne do të mund të ecim në një jetë të re” (Romakëve 6,4).

Lutje për kë vuan nga lufta

Ftesa për besimtarët dhe për të gjithë burrat dhe gratë vullnetmira është, pra, të "punojnë dhe të luten pa pushim për lehtësimin e turmave të panumërta në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë, që po vuajnë rëndë nga shkatërrimet e kësaj lufte". “I nxisim të ndërmjetësojnë për përfundimin e menjëhershëm të gjakderdhjes dhe për drejtësinë e paqen, që të mbizotërojnë më në fund në të gjithë rajonin tonë të shkatërruar nga lufta, duke nisur nga Jeruzalemi dhe duke u shtrirë në Gaza, Liban e në mbarë Tokën Shenjte, në Shtetet e Gjirit, në Teheran dhe deri në skajet më të harruara të Tokës".

27 mars 2026, 14:47