Kërko

2026.03.21 Sepolcro

Toka Shenjte, në lutje për paqe

Nga Kujdestaria, ftesa e bashkësisë françeskane drejtuar besimtarëve për t’u bashkuar shpirtërisht në ritet dhe kremtimet e këtyre ditëve

R.SH. - Vatikan

Edhe në këto ditë, ndonëse hyrja në Bazilikën e Varrit të Shenjtë u mohohet besimtarëve për arsye sigurie, "lutja në Vendet Shenjte vazhdon pa ndërprerje". Këtë e saktëson Kujdestaria e Tokës Shenjte përmes një deklarate të përhapur për të theksuar se "festimet, ritet, procesionet e përditshme dhe lutjet liturgjike të planifikuara nuk kanë pushuar kurrë, as ditën as natën, siç është vendosur nga status quo”.

Bashkimi në lutje për të ndalur luftën dhe dhunën

"Prania jonë shekullore në Vendet e Shëlbimit dhe lutja që lartohet atje çdo ditë, janë në emër të mbarë Kishës dhe për të mirën e mbarë njerëzimit" - lexohet në deklaratë -. Në çaste veçanërisht dramatike, si ato që po i jetojmë, ajo dëshiron ta bëjë të pranishme fenë, shpresën dhe lutjen e çdo të pagëzuari, në mënyrë që nga këto vende shumë të shenjta të vazhdojë të lartohet lutja për paqe e pajtim ndërmjet popujve. Fretërit e Rojtarisë të Tokës Shenjte shpjegojnë se tani për tani "nuk është e mundur të bëhen parashikime për kremtimet e Javës së Madhe”.

Rojtaria është në dialog të vazhdueshëm me autoritetet kompetente dhe me Kishat e tjera përgjegjëse për Varrin e Shenjtë". Prandaj, ata i ftojnë të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje "për t'i dhënë fund luftës dhe dhunës, dhe për t’i ndjekur me guxim e përgjegjësi udhët e dialogut, të diplomacisë dhe të politikës, të vetmet shtigje të afta për të ndërtuar paqe të drejtë e të qëndrueshme".

21 mars 2026, 17:06