Kërko

Udha e Kryqit dhe e Diela e Larit në Sapë

Edhe Kisha dioqezane e Sapës ka filluar Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve. Edhe e Diela e Larit që kujton hyrjen e Krishtit në Jeruzalem, ashtu si në mbarë Kishën universale, u kremtua edhe në Katedralen e Shën Terezes së Kalkutës në Vau Dejës.

R.SH. / Vatikan

Edhe Kisha dioqezane e Sapës ka filluar Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve. Ashtu si në mbarë Kishën universale, edhe në Katedralen e Shën Terezes së Kalkutës në Vau Dejës u kremtua e Diela e Larit që hapi kremtimet e Javës së Shenjtë të Pashkëve të Jezu Krishtit. Nga Vau Dejës njoftimi Violeta Marashit:

Violeta Marashi

UDHA E KRYQIT DHE E DIELA E LARIT NË SAPË

Tashmë kemi hyrë në Javen e Madhe, ndërsa në pragun e të Dieles së Larit, të premten u mbajt Udha e Kryqit në malin e Shën Markut udhëhequr nga Administratori Dioqezan i Sapës, Atë Mariano Tarantino. Gjatë kësaj udhe në të 14 ndalesat u kujtuan mundimet e Jezusit që hoqi në malin e Kalvarit deri në kryqëzimin e tij. Përmes meditimit mundimet e Krishtit u shoqëruan me uratë, lutje dhe këngët e kohës së Krezhmeve. Është ky moment që na afrohet secilit që të ndalemi e të mendojmë Krishtin Zot që dha jetën për ne dhe për mëkatet tona.

Në mesazhin e tij me këtë rast Atë Marino kujtoi ish bariun e Sapës, Imzot Simon Kullin përmes fjalëve të tij që na ka lënë. Ai gjithashtu u ndal edhe tek plagët sociale që po përjetojnë njerëzit sot në vendin tonë, si shpopullimi ku pleqtë po mbartin kryqin e të mbeturit vetëm, të rinjtë që po studiojnë dhe nuk kanë një premtim për punën dhe të ardhurat e tyre për të jetuar në këtë vend dhe shumë familje që mundohen të punojnë dhe me shumë vështirësi çojnë përpara familjen për të rritur, edukuar dhe shkolluar fëmijët e tyre.

Edhe e Diela e Larit që kujton hyrjen e Krishtit në Jeruzalem, ashtu si në mbarë Kishën universale, u kremtua edhe në Katedralen e Shën Terezes së Kalkutës në Vau Dejës. Proçesioni i organizuar nëpër rrugët e qytetit u ndoq nga qindra besimtarë që kishin mbushur duart me degë të larit dhe ullinjëve, për t’u drejtuar më pas drejt Katedrales duke marrë pjesë në kremtimin e kësaj dite të kryesuar nga Administratori Atë Mariano.

Me kremtimin e të Dieles së Larit, kur fillon dhe Java e Shenjtë, të gjithë ne të krishterët të mundohemi që në këtë javë të shenjtë, nëpërmjet lutjes të sodisim misteret e shenjta në mënyrë që të mund të bashkohemi shpirtërisht me Jezusin, në themelin e besimit tonë që është Ringjallja e Krishtit të Dielen e Pashkëve.

Violeta Marashi

30 mars 2026, 15:22