Kërko

Kaloi në Amshim prifti e atdhetari dashur dom Kelmend Spaqi

Komuniteti dhe kryedioqeza e Tivarit, në Mal të Zi, Kisha katolike në Kosovë vajtojnë don Kelmend Spaqin, i cili ndërroi jetë sot më 2 prill 2026 në Tivar, Mal i Zi. Meshtar prej 33 vitesh, dom Kelmendi ishte një meshtar e figurë e shquar, i vlerësuar dhe i dashur nga populli, si dhe i respektuar nga të gjithë. Kryedioqeza e Tivarit dha sot lajmin e trishtë se don Kelmendi u nda nga jeta pikërisht në ditën e themelimit të Meshtarisë, të Enjtjen e Shenjtë të Pashkëve

R.SH. / Vatikan

Kryedioqeza e Tivarit dha sot lajmin e trishtë se dom Kelmendi u nda nga jeta pikërisht në ditën e themelimit të Meshtarisë,  të Enjten e Shenjtë të Pashkëve. 

Komuniteti dhe kryedioqeza e Tivarit, në Mal të Zi, Kisha katolike në Kosovë vajtojnë dom Kelmend Spaqin, i cili ndërroi jetë sot më 2 prill 2026 në Tivar, Mal të Zi. Meshtar prej 33 vitesh, dom Kelmendi ishte një meshtar dhe figurë e shquar, i vlerësuar dhe i dashur nga populli, si dhe i respektuar nga të gjithë.

Dom Kelmendi jetoi me moton për Fe, Atdhe e Liri. Qe jo vetëm bari dhe prijës shpirtëror, por mbrojtës e kultivues i vlerave identitare të popullit, pa dallim, sidomos në kohët e vështira të luftës, rojtar i guximshëm i vendlindjes. Ai nuk jetoi për vete,  jetoi për Popullin e Zotit, për Kombin të cilin e deshi deri në grahmën e fundit. Në ditët më të errëta të historisë së popullit të Kosovës, dom Kelmendi, me trimëri, u bë dritë shpresë për popullin e vet, u bë zë i së vërtetës dhe mburojë e të pambrojturve.

Dom Kelmend Spaqi qe njeri i Zotit, i mirë, bujar, i gatshëm e i papërtueshëm kurdoherë për çdo person e për çdo besimtar, punëtorë i thjeshtë në vreshtin e Hyjit, prift i vëmendshëm ndaj nevojave të popullit, dëshmitar besnik i mësimeve ungjillore, atdhetar i bindur.

Në oborrin e Kishës "Shna Ndou" në fshatin Gllogjan të Pejës, ku ishte famullitar, (04 prill 1999) gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku kishte strehuar mijëra banorë të Lugut të Baranit, një komandant serb me gishtin në këmbëzën e automatikut, iu drejtua Dom Kelmend Spaqit, me urdhrin: “T’i ndash myslimanët në njërën anë e katolikët në anën tjetër!”. Dom Kelmendi iu përgjigj me vendosmëri: “Këtu nuk ka myslimanë e katolikë; këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre. Së pari me vrisni mua dhe motrat e nderit, e pastaj këta të tjerët”. Gjithnjë gjatë luftës, në Kishën e "Shna Ndou" , meqë shqiptarët e fesë islame nuk kishin Xhami afër fshatit Gllogjan, dom Kelmendi bashkë me Motrat rregulltare që shërbenin në këtë famulli, vendosi ta lajmërojnë iftarin dhe syfyrin me anë të kambanave të Kishës. Ky misioni i vëllazërimit, testament, që dom Kelmendi e përmbushi.

 Ja njoftimi botuar në platforma sociale nga Kryedioqeza e Tivarit.

NË KUJTIM (IN MEMORIAM) don Kelmend Spaqi (18.10.1962 – 02.04.2026)

Sot, para agimit, në ditën e themelimit të meshtarisë – në të Enjtjen e Madhe, kaloi në amshim meshtari ynë i dashur dhe famullitari i Tivarit, don Kelmend Spaqi.

Trupi i don Kelmend Spaqit do të jetë i ekspozuar në Kishën e Shën Nikollës te Selia (selia e Kryedioqezës) nga e shtuna, 04.04.2026, ora 12:00, deri të dielën, 05.04.2026, ora 12:00, kur kortezhi do të niset drejt vendlindjes së tij, në Velezhë, Kosovë, ku të Hënën e Pashkëve, më 06 prill 2026 në orën 11:00 do të bëhet edhe kremtimi i Meshës së Dritës, riti i salikimit dhe varrimi.

Të gjithë ata që dëshirojnë të falënderojnë Hyjin për veprimtarinë e tij meshtarake në famullinë tonë, si dhe të gjithë ata që e kanë njohur, mund të vijnë të luten dhe të nënshkruhen në librin e zisë në Kishën e Shën Nikollës.

U prehsh në paqe, o bari i mirë!

Dritë të pastë shpirti në amshim dom Kelmend.

Pushofsh në paqe.

Jepja, o Zot, pushimin e pasosur!

E i ndrittë drita e pambaruar!

Pushoftë në Paqe!

Amen.

"O Zot, pranoje shërbëtorin Tënd dom Kelmendin në mbretërinë Tënde. Ai që në tokë ndau Bukën e Jetës me besimtarët, le të shijojë tani Gostinë e Amshuar në praninë Tënde. Ngushëllo familjen e tij dhe mbarë famullinë e Tivarit e popullin në këtë kohë dhimbjeje".

02 prill 2026, 18:32